Vdiq Little Richard, pionieri i rock ‘n’ rollit

Muzikanti amerikan, Richard Wayne Penniman, i njohur si Little Richard, dhe i vetëquajturi “arkitekti i rock ‘n’ rolit”, ka vdekur të shtunën në moshën 87-vjeçare, ka raportuar revista “Rolling Stone”.

 I biri i tij, Danny Penniman, konfirmoi vdekjen e artistit duke deklaruar se nuk dihet shkaku i vdekjes.

Kitaristi Charles Glenn kishte thënë për “TMZ” se muzikanti ka qenë i sëmurë për dy muaj dhe se ka vdekur në shtëpinë e tij në Tennesse.

Në kulmin e karrierës së tij, në vitet e ’50-a dhe në fillim të ’60-ave, Richard kishte publikuar hitet “Tutti Frutti”, “Long Tall Sally”, “Good Golly, Miss Molly” e “Lucille”.

Shpërthimi i tij si këngëtar kishte ardhur më 1955 kur kishte arritur marrëveshje me “Specialty Records”. Ai ishte i njohur për stilin e pazakontë të paraqitjes – syve të hijezuar, e veshjet me shumëngjyra.