Flet arkitektja e njohur: Çfarë është Teatri i Operas?! Vepra më bufatorike…

Kryeministri i Shqipërisë në apologjinë e detyruar nga rrethanat në Le Monde përmendte Teatrin e Operas dhe Baletit si një nga dy ngrehinat e kulturës që kishte mundësuar qeveria e tij. Arkitektja dhe aktivistja Doriana Musai sjell këtë shkrim trajtesë për këtë teatër.

Nga Doriana Musai

Krenaria e një Njeriu, i cili e quan ‘Tempull të rilindur të kulturës’ atë që është projekti më i keq arkitektonik i një teatri në Shqipëri.

Rikonstruksioni që iu bë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, nga kompanitë private, miq me kryeministrin, është ndoshta vepra më butaforike që ministri i kulturës, me mbikqyrjen e veçantë të kryeministrit kanë prodhuar deri më sot. Për nga interieri nuk do ndalem, pasi material ‘cheap shit’ dhe dizajni alla rendera 3D kineze, nuk janë veçse kopje të ripordhuara nga interneti dhe si të tilla pa autorësi.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, i ndodhur në krahun verior të objektit me arkitekturë sovjetike, është ndërtuar në vitet 60-të, mbi rrënojat e Pazarit të Vjetër të Tiranës. Gjatë kohës kur Shqipëria kishte aleat Rusinë, ndikimi rus u refletua edhe në arkitekturën e kryeqytetit duke lënë gjurmë të dukshme dhe të dhunshme në territorin e Tiranës Historike. Objekti në tërësinë e vet është jashtë shkallës urbane të sheshit dhe objekteve të tjera në perimetër të tij.

Qeveria shqiptare, në 2018, shënjoi pikërisht dy teatro kombëtare. Atë të operas dhe baletit vendosi ta rikonstruktonte ndërsa ndërtesën 80 vjeçare të Teatrit Kombëtar ta shembte. Për shumë që nuk e dinë, Teatri i Operasdhe Baletit, si edhe shumë institucione të kulturës shqiptare, ka lindur pikërisht në Teatrin Kombëtar për t’u vendosur në fillim tek Akademia e Arteve dhe zhvendosur më vonë nga godina italiane në godinën sovjetike.

Sot TOB ka mbaruar dhe po përdoret nga propaganda qeveritare për t’i treguar popullatës se nuk është qeveria që nuk do teatrot por ai teatër- i pari i qytetit- nuk plotësonte shijet estetike dhe sipas disa ‘teknikëve’ nuk vlente të ruhej si pjesë e trashëgimisë.

Pa u ndalur tek krimi i kryer në bashkëpunim nga një sërë institucionesh shqiptare deri tek parlamenti shqiptar, për shembjen e Teatrit Kombëtar, doja të evidentoja disa detaje teknike, këtë me qëllim për të thirrur në vëmendje Insitutin e Ndërtimit dhe arkitektët.

Nëse Instituti i Ndërtimit do të dërgonte arkitektët e vet për inspektim në TOB, ata do të shkruanin:

  1. Për qytete me popullsi mbi 1 milion banorë, Teatri i Operas duhet të ketë kapacitet nga 1400-2000 persona. Pas rikonstruksionit TOB nuk kalon as 800 vende, bashkë me galerinë dhe platenë.
  2. Teatri i Operas dhe Baletit, ka shkelur normat e projektimit pasi numri maksimal i karrigeve që duhet të mbajë një rresht në teatër është 16, aty janë 30 (të paktën kaq numërohen nga videot e KM)
  3. Çdo 10 rreshta do të duhej një koridor i ndërmjetëm me gjerësi më të madhe se 1.2m. Në vijë me koridoret e kalimit do të duhej të ishin daljet e emergjencës dhe koridoret e evakuimit në rast emergjence me gjerësi 1.2m, çdo 100 persona.

Në rastin e TOB, për 600 vende plate, do të duheshin 6 dalje emergjence, kur në fakt janë të projektuara dhe zbatuara vetëm 2. Kjo sepse në rreshtin e parë dhe të fundit të platesë, mungojnë përkatësisht 4 dyer emergjence.

Këto janë konstatime që kushdo mund t’i bëjë duke iu referuar vetëm videove dhe fotove të promovuara nga junta e politikës në faqet ‘zyrtare’ të facebook. Asnje material zyrtar nuk është paraqitur. Asnjë dëgjesë publike. Asnjë fletë projekti. Asnjë detaj teknik dhe asnjë konsultim me publikun të cilit kjo sallë e rikonstruktuar me para publike do të hapet pa plotësuar kushtet minimale të sigurimit të jetës të qytetarëve.