Flet drejtori i Trashëgimisë: Ja çka po ndodh me shtëpitë e Mitrush Kutelit dhe Lasgush Poradecit

Premtimi për rehabilitimin e lagjes historike në Pogradec brenda vitit 2021, duket një ogur i mirë edhe për muzealizimin e shtëpive të poetit Lasgush Poradeci edhe prozatorit Mitrush Kuteli. Drejtori i Trashëgimisë rrëfen projektin

Në këtë lagje historike të Pogradecit ndodhen banesat e dy kolosëve të mëdhenj të letrave shqipe Mitrush Kuteli dhe Lasgush Poradeci. Për fat të keq në banesën e të madhit Kuteli ka mbetur vetëm ky postaf, ndërsa shtëpia e Lasgushit Poradecit ka një tjetër pronar. Por pavarësisht kësaj është premtuar rehabilitimi i këtyre dy banesave, duke synuar kështu kthimin e tyre në destinacion e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

-Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i lagjes historike në qytetit e Pogradecit, duket sikur premton dhe kthimin në muze të dy banesave, të prozatorit të “Tregime të Moçme”, Mitrush Kutelit dhe të poetit të “Vallja e Yjeve”, Lasgush Poradecit. 

Por, edhe pse ky premtim është bërë gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama në Pogradec, situata nuk është dhe aq premtuese për shtëpinë e poetit Poradeci. Ndërtesa ku ka jetuar poeti pogradecar sot nuk ekziston më, sepse është shitur nga familja pas viteve ’85, e në të njëjtin vend pronari që e përvetësoi pronën ndërtoi një shtëpi të re.

Nënkryetari i Bashkisë rrëfen negociatat me pronarin aktual të shtëpisë së Poradecit.

“Shtëpia e Lasgush Poradecit është shitur nga familjarët e poetit edhe bashkia është në negociata me pronarin e ri, që të bëjë të mundur rehabilitimin e saj.

Ndërsa, shtëpia e Mitrush Kutelin nuk ekziston edhe bashkia do të bëjë të mundur rindërtimin e saj” shprehet Paskalino Ziko nënkryetar i bashkisë Pogradec.

Ndërsa, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Gjergji Koki tregon se projekti për muzealizimin e shtëpive do të jetë gati brenda 2021-të.

“Besoj brenda vitit do të jetë projekti gati, gjë që u jep mundësinë thithjes së donacioneve, që në një të ardhme të afërt i gjithë rehabilitimi i i zonës të përfundojë”, thotë Gjergji Koki./shqiptarja.com