Flet vëllai i Dritëroit: Ja pse u ftohën raportet ndërmjet Agollit dhe Kadares

Dritëroi i kishte thënë vëllait të tij se do të shpërthente dhe mbase pas kësaj do të kishte probleme të mëdha.

Tajar Agolli, vëllai i shkrimtarit të madh, në një rrëfim të tijin ka zbuluar edhe arsyen e ftohjes mes Dritëroit dhe Ismail Kadaresë.

Sipas Tajarit, ka qenë emërimi i Dritëroit si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që krijoi dhe distancën mes tyre. Po ashtu, ai tregon në një intervistë ekskluzive për Panorama se marrëdhëniet e Dritëroit me ish-kryeministrin komunist Mehmet Shehu kanë qenë shumë të mira, madje ata shkëmbenin dhe vizita për Vitin e Ri.

Cili ishte gjykimi i tij, nëse kishim të bënim me vrasje apo vetëvrasje të Mehmet Shehut. Çfarë mendimi kishte Dritëroi për Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë. Lidhur me kongresin e krijimit të Partisë Socialiste, më qershor 1991, Dritëroi i kishte thënë vëllait të tij se do të shpërthente dhe mbase pas kësaj do të kishte probleme të mëdha.

Tajari tregon edhe momentet e fundit të Dritëroit në spital, kur pasi ishte përmirësuar kishte gjetur kurajon dhe t’i jepte zemër të afërmve të tij. “Rrini të qetë, kështu është jeta!”, këto ishin fjalët e fundit mes dy vëllezërve.

Dimë se Mehmet Shehu është alarmuar nga Parisi ku ishte për një vizitë, kur në revistën “Hosteni” nisi të botohej “Zyloja”, se po dëmtohej administrata shtetërore përmes këtij romani. Çfarë marrëdhëniesh ka pasur Dritëroi me Mehmet Shehun?

Ka pasur marrëdhënie shumë të mira. Mehmet Shehu kishte një parcelë të tijën në Sukth dhe shkonte e punonte me traktor sepse kishte mbaruar shkollën teknike “Harry Fultz”, dhe ka shkuar Dritëroi për të bërë një shkrim si gazetar. Ka edhe një foto ku Mehmet Shehu korr barin me kosë, por pas shpalljes armik të Mehmetit, unë ia kam prishur kokën në foto sepse, si ushtarak që isha, nëse na i gjenin fotot e armiqve të partisë persekutoheshim si mbështetës të tyre. Por kishte marrëdhënie korrekte me Dritëroin, ndërsa i biri i tij, Bashkim Shehu, kishte më shumë marrëdhënie me Ismail Kadarenë. Poshtë pallatit shumë herë vinte makina e zezë e Mehmetit që merrte Ismailin, ndërsa Dritëroi duhet të merrte leje që të hynte në Bllokun e udhëheqjes. Ndërsa Ismaili ishte me carta bianca dhe hynte e dilte kollaj.

Marrëdhëniet e Dritëroit me Enver Hoxhën, si kanë qenë?

Dritëroi e vlerësonte shumë Enverin, e cilësonte njeri të zgjuar. Për të gjitha akuzat e dala së fundmi se gjoja ka qenë homoseksual, apo vese të tjera, Dritëroi thoshte se ishin shpifje dhe idiotësira.

Si e ka përjetuar Dritëroi vdekjen e Enver Hoxhës, në fakt dhimbjen e ka përshkruar edhe në “Elegjinë” e tij për Enver Hoxhën në atë kohë?

Dritëroit i ka ardhur shumë keq, e vlerësonte si njeriun që bëri shtet dhe ishte në gjendje ta mbante shtetin. E ka thënë në një intervistë Dritëroi që “Ramizi po të jetë në katin e sipërm dhe të përplasë këmbët, nuk e dëgjon njeri, s’bënte asnjë zhurmë, ndërsa Enveri kishte tjetër autoritet”.

Mendonte Dritëroi se Mehmet Shehu ishte agjent?

Jo, Dritëroi ma ka thënë në biseda se Mehmet Shehu, nuk mund të ishte kurrsesi një agjent. Por ia bënë ata feçorrët dhe kadrinjtë…

Çfarë ju ka shprehur Dritëroi në bisedat tuaja, mendonte se u vetëvra, apo e vranë?

Dritëroi, bazuar në shenjat që ishin gjetur aty, mendonte se e kishin vrarë. Sipas tij, më i interesuar për vrasjen e tij ishte Ramiz Alia, i cili në atë kohë kishte një marrëdhënie shumë të afërt me Nexhmijen dhe donte të pastronte ambientin rreth Enverit nga këta të ashprit. Një antifasisht internacionalist si ai dhe që kishte drejtuar vendin për më shumë se dy dekada, nuk mund të ishte një agjent i të huajve.

Nga Dritëroi di që Mehmet Shehu kishte fërkime me Hysni Kapon, nuk e duronin dot njëri-tjetrin. Madje, në një rast kam qenë prezent vetë. Unë kisha shkuar te Dritëroi për vizitë për Vitin e Ri. Pas pak erdhi Mehmet Shehu me të shoqen, Fiqireten. Vjen një nga shoqëruesit dhe thotë se po vjen Hysni Kapo. Mehmeti tha: “Bo bo, po ky tani e gjeti, s’do të bëjmë dot një muhabet tani”. Pastaj erdhi Hysni Kapo, Mehmeti u ngrit në këmbë e takoi, por nuk e përqafoi siç bënin anëtarët e Byrosë të këtij niveli. Gjatë bisedës, Mehmeti pa fotografinë që kishte vënë Dritëroi me të në fermën e Sukthit dhe ia kërkoi që ta riprodhonte.

Pastaj muhabeti kaloi tek anekdotat. Mehmeti i kërkoi Dritëroit t’i tregonte anekdotën me çekun. “Jo,- i tha Dritëroi,- se kemi edhe gratë këtu. S’ka gjë,- tha Mehmeti,- le ta dëgjojnë”. Fiqiretja tha: “Le ta tregojë, por me… kapërcime”. “Ishte një shqiptar,- filloi të tregojë Dritëroi,- që ishte martuar me një çeke, i cili pas pak kohe u sëmur dhe nuk mund të bënte marrëdhënie seksuale me gruan. Shkojnë te doktori dhe ai tha se nuk ka shërim, por vetëm t’i heqin organet. Ai i sikletosur tha: Do të pyes gruan se e kam dhe të huaj, e kam çeke. E pyeti dhe ajo e mërzitur i kthehet: Ore ditëzi, po unë për këto kam ardhur që nga Çekia, ti do që t’i heqësh?!”. Fiqiretja dhe Vitoja ia plasën së qeshurës.

Marrëdhëniet më të diskutuara të Dritëroit janë ato me Ismail Kadarenë. Asnjëherë nuk janë thënë gjërat troç. Si njëri dhe tjetri, nuk ka dashur të thotë të vërtetat rreth këtij raporti të çuditshëm mes tyre. Si i dini ju?

Ata kanë pasur marrëdhënie shumë të mira, korrekte, edhe pse ishin natyra të ndryshme. Dritëroi, njeri shumë popullor dhe i hapur, ndërsa Ismaili, më i mbyllur në shoqëri, më individualist. Kur Dritëroi u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, atëherë u krijua distanca mes tyre. Më pas nuk e di se çfarë pati mes tyre, por di të them se Dritëroi i merrte më shtruar gjërat, pa u nxehur dhe pa tension. Kur është emëruar Dritëroi në krye të Lidhjes, të gjithë kanë qenë dakord për të, si Enver Hoxha, edhe Mehmet Shehu, po ashtu edhe Ramiz Alia. E kanë shprehur se na duhet Dritëroi në krye të Lidhjes sepse është balancues dhe jokonfliktual, apo të mbajë njërin krah dhe të luftojë tjetrin. Hyrje daljet familjare ata i kanë pasur, unë kam gjetur Ismailin shumë herë në shtëpi te Dritëroi, kurse nga fundi kur jam këmbyer në rrugë me Ismailin, nuk më ka folur. Punë e tij! Në dokumentarin që bëri Pirro Milkani, Dritëroi u takua edhe me Ismail Kadarenë dhe biseda mes tyre ishte shumë e hapur. Dritëroi tha se “Debati është produktiv. Nëse nuk ka debat, nuk ka ecje përpara. Edhe drurët brenda një pylli nuk janë të barabartë, disa janë më të lartë disa më të shkurtër, por ata krijojnë pyllin kur janë bashkë. Sepse një dru që rritet në një shkëmb, i vetmuar, jo vetëm që rritet gjithë gunga se nuk ka ushqim, por ai thahet shpejt”.


ImageTajar Agolli dhe Dritëro Agolli

Në Kongresin e 12 qershorit 1991, Dritëroi me fjalimin e tij bëri të mundur pushimin e Partisë së Punës nga funksionet e saj, duke dënuar si kultin e Enverit, ashtu dhe byroistët. Çfarë shqetësimesh shprehte Dritëroi në atë kohë?

Dritëroi më kishte thënë se në atë kongres, ai do të shpërthente dhe pas kësaj do të kishte probleme të mëdha. Dritëroi në kongresin e PS-së tha se një parti nuk do të rinovohet kurrë nëse thërret në emër të një njeriu, ndërsa shprehte keqardhje që edhe sot partitë thërrasin emrin e kryetarit të saj.

Dritëroin e akuzuan pas vdekjes se ka ndikuar negativisht në dënimin e shkrimtarëve dhe artistëve, kur ai ishte kryetar i Lidhjes. Si ju duken këto sulme?

Dritëroi sa kishte mundësi ka ndihmuar si shkrimtarë të rinj dhe poetë për t’u nxjerrë bursa studimi për në shkollë të lartë, për t’i bërë anëtarë të Lidhjes, por me kujdes, pa e tepruar. Njerëzit që ka ndihmuar ia ruanin respektin. Mbesa e Hasan Dostit ishte në Krujë dhe Dritëroi mori në telefon Komitetin e Partisë që të mos e pengonin për t’i dhënë të drejtë studimi për Letërsi për shkollën e lartë, por ata nuk e dëgjuan. Në një rast tjetër e kishin dëgjuar për t’i ndërruar degën dikujt.

Si ishin momentet e fundit të jetës? Pati ndonjë brengë, ndonjë amanet?

Ne shkonim në spital një herë në dy ditë, e shihja shumë të dërrmuar dhe ndihesha keq kur e shihja në atë gjendje. Një ditë para se të na ikte, ishte më mirë, kishte hequr edhe tubin e oksigjenit. Shkëmbyem disa fjalë. Na tha: “Rrini të qetë, kështu është jeta!”. Unë e kam ndier shumë ikjen e Dritëroit! E kisha si vëlla e si baba. /fjala.al

__________________________

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: KËNGA E POETIT PARA VDEKJES

ObserverKult