Me mbylljen e sezonit koncertor në Spanjë, çdo vit violinisti Florian Vlashi kthehet në qytetin e lindjes. Këtë herë për të organizuar bienalen e 10-të të netëve të muzikës klasike, që do të mbahet nga 1 deri më 10 gusht në Durrës.
Ky edicion që do të mbahet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” sjell një shkrirje të muzikës dhe pikturës dhe vjen për artdashësit nën titullin “Në kopshtet sekrete të muzikës dhe pikturës”.
“Me projeksionin e pikturave nga Rilindja deri në kohët moderne do të luhet muzikë, për të bërë muzikantët pjesë të kuadrit dhe kuadrin pjesë të muzikës që ne bëjmë. Është e ndërtuar në 7 netë: Nata e muzikës baroke, muzikës klasike, asaj romantike, moderne dhe shqiptare, në kombimin me pikturat” , tha violinist Florian Vlashi.
Çdo natë e bienales do të ofrojë vepra të kompozitorëve të mëdhenj, të interpretuara nga artistë virtuozë shqiptarë dhe të huaj e të shoqëruara nga kryevepra të pikturës botërore. Artisti Florian Vlashi na zbulon disa prej sekreteve të këtyre netëve.
“Nata e muzikës moderne dedikuar Shtrausit dhe Shonbergut, do mbyllet edicioni me suitat e Bahut të interpretuara nga violincelisti më i madh francez Marko Pei. Ky është një event i jashtëzakonshëm. Po kështu do të jetë dhe nata e muzikës shqiptare nga profesor E.Buharaja që do të sjellë dhe disa zbulime të vogla”, tha ai.
Plot emocion, violinisti sjell në vëmendje edhe mungesën e të atit, Artistit të Popullit Gjergj Vlashi, që për herë të parë nuk do ta ndjekë nga salla.
“Gjergj Vlashit i kushtohet çdo gjë. Nata e parë është Stabat Mater, një muzikë e dhimbshme, bukur, e thellë dhe ccdo njeri do të gjejë veten për personat që u mungojnë. Vijnë dy solistë nga Prishtina, Kaltrina Miftari dhe Safet Berisha, që muzikën baroke e interpretojnë në mënyrë të përkryer”, u shpreh ai.