
Kënga e zogjve ndërpritet nga furtuna që po ngrihet prej Gjirit të Meksikës mbështjellë me zërat e frikësuar të njerëzve që vrapojnë t’i fshihen rrebeshit me pika të mëdha si ballamarë që lidhin qiellin me tokën e xhunglës që uzurpon pamjen e alarmuar të krijesave dhe krijimit.
Një lundër e lidhur vështron këmbët e zbathura mbi ujë si dy breshka paqësisht vëzhguese nëse gishtat e këmbëve do të kishin sy dhe shihnin hardhucën e strukur nën një pemë që vrojton insektet me epsh shpërthyes ushqyer nga shiu që zbraz barkun e oqeanit mbi pllakat e ballkonit në këmbët e tij.
Mbi pllakat e bardha me dhjetëra insekte vijnë e përfundojnë mbi shtjellën e qyngjes së kullimit të ujërave.
Njeriu këmbëzbathur, i lagur edhe ai vet, në vend që të vështrojë stuhinë, vështron një krijesë tropikale që nuk ia kanë zënë sytë më parë. Një flutur me katër palë flatra, shpalosur e vërvitur nga furtuna në shpinë e kapur mbi pasqyrën e ujit dhe trupin e kryqëzuar mbi krahët e saj gozhduar në sipërfaqe.
Krijesa përpiqet të ngrihet nga pellgu që e mban të kryqëzuar, por është e kotë sepse furtuna si shumë gjallesa të tjera e ka vënë poshtë peshës së fatit.
Njeriu ngrihet dhe futet brenda mureve ku përkulet te porta e frigoriferit për të kërkuar një tjetër birrë. Është krejt i zhveshur, i veshur nga muzgu që afron, i veshur nga muret, dhe nuk ka shpirt njeriu rreth e qark ta vëzhgojë veç krijesës së magjishme me katër palë flatra që e pagëzon papritur me emrin, Muzë.
Një zagushi që t’i shqyen poret e lëkurës megjithëse bie shi dhe djersa kullon mbi fletën e bardhë të kapur mbi një makinë shkrimi që pozon si ngërç i brendshëm mbi tavolinën e zbrazët të bukës.
Asgjë nuk po ecën brenda këtyre mureve, asnjë fjali e plotë e thënë apo shkruar brenda kësaj flete dhe ai gjen sërish ballkonin e përmbytur me shishen e birrës në dorë.
Kërkon me ngulm pamjen e pazëshme mbi pellgun e ujit ku pluskojnë të katër flatrat e çliruara nga trupi i fluturës mbi sipërfaqen e së tashmes.
Për t’i shpëtuar shtrëngatës, ajo flutur që kurrë nuk e kishte parë më parë, i kishte lënë peng të katër flatrat e saj në shikimin e tij dhe ishte nisur nëpërmjet shtjellave të ujit andej nga ku edhe ishte shfaqur, tashmë si një vemje, për të rikrijuar sërish nga e para xhunglën me të gjithë larminë e ngjyrave dhe format e saj.
Playa del Carmen, 2016
ObserverKult
Lexo edhe:






