Në një aktivitet gala, me pjesëmarrjen e aktorëve Viktor Zhusti, Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami. Nën kujdesin e veçantë të zonjës Elva Margariti, Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndanë Çmimet Kombëtare të Letërsisë, për vitin 2020. Për veprat më të mira në gjininë e prozës, poezisë, librit studimor, librit për fëmijë dhe përkthimit.
Motivacionet për fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, 2020:
1. Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Proza më e mirë e vitit” i jepet shkrimtares Flutura Açka, për librin “Biri”. Për një rrëfim që shkon në zemër të lidhjes së epërme mëmë-bir. Duke u kthyer në një thirrje universale mbi ruajtjen e kujtimeve, si një pasuri që e përsos gjithnjë individin.
2. Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Vëllimi poetik më i mirë i vitit” i jepet shkrimtarit Bardhyl Londo me “Prill i hidhur”. Për gjuhën e sigurt, me të cilën ndërton peizazhe të padukshme të shpirtit njerëzor. Ravijëzimin e mendimit të një kohe, e cila përsëritet plot kulturë dhe mendim.
3. Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Përkthimi më i mirë i vitit” . jepet përkthyesit Granit Zela, me librin “Lepur, vrapo” (John Updike). Për shqipërimin mjeshtëror, duke sjellë me realizëm dhe forcë emocionale përmbajtjen dhe ngarkesën figurative të origjinalit, karakteret dhe botën e tyre të brendshme. Ku “realja” njehsohet me imagjinaren. Përmes një fondi të pasur fjalori me saktësi të lartë semantike dhe kulturë gjuhësore. Por, gjithmonë besnik i veçorive stilistike dhe i shestimeve të shkrimtarit.
4. Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Vepra studimore/eseistike/publicistike më e mirë e vitit” i jepet autorit Artan Fuga me veprën “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë”. Për stilin përmes të cilit ndërton historinë e shoqërisë shqiptare pas vitit ‘90. Duke analizuar e reflektuar mbi transformimet e thella. Një vepër-studim, e cila shënjon një qasje të re në mendimin sociopolitik shqiptar.
5. Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Letërsia për fëmijë/të rinj më e mirë e vitit” i jepet autores Persida Asllani me librin “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”. Për stilin që rindërton traditën. Duke sjellë përmes një fabule universale një rrëfim edukativo-letrar plot ngjyra.
6. Çmimi honorifik “Muza” i jepet poetit Petrit Ruka. Poet i thellësive të shpirtit njerëzor, i dashurisë dhe dhimbjes, që me kalin e bardhë të poezisë tejkaloi çdo kufi kohor e hapësinor. Që na mrekulloi me bukurinë e baladës, duke ngjizur traditën te modernia. Me rrënjë të ngulura thellë në tokën e të parëve, e kryet gjer në re, në kërkim të hapësirave të reja shprehëse./27.al
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
DUA LIPA FITON ÇMIMIN “ARTISTJA NDËRKOMBËTARE E VITIT”
ObserverKult