Flutura Açka rrëfen bisedën me djalin e saj në spital, disa ditë para se të ndahej nga jeta

“Ishin ditë spitali. Im bir më pa drejt e në sy e më tha: Mam, unë e di që ti do mbyllesh pas kësaj. Do më vinte shumë keq, nuk do ta këshilloja. Çfarë ke për të humbur pas kësaj?! Çfarë tjetër ke për të humbur mam?”…

Janë fjalët e birit të Flutura Açkës, që ndonëse në ditët e fundit të jetës, tenton të lidhë nënën e dashur pas jetës. I kërkon të provojë të vazhdojë pa të, duke i premtuar se do jenë përherë bashkë. Letërsia për të është ai filli i shpresës, ndaj ai ngulmon që “Flutnesha” e tij të shkruajë një libër për të, e më pas të tjerë, pasi ky është misioni i saj. 

Shkrimtarja e tregoi kohë më parë episodin në “TVT”, në një rrëfim për “Birin”, librin e saj më të fundit që hapi qindra dyer leximi, ndonëse ishte atëherë në një periudhë pandemie.

“Ishte një pyetje vendimtare: çfarë kam për të humbur unë, pas humbjes së tim biri? Kjo është arsyeja pse rri në këmbë. Pse zgjedh të flas për atë që mund të ishte kolegu im, sepse si nënë, unë rrija e qaja në shtëpinë time”, rrëfen shkrimtarja.

Romani “Biri” përtej vdekjes, sjell tablonë e jetës së një të riu mbështetur në shtylla të forta, si familja, miqtë, librat e vlera humane, që papritmas mbulohen nga muzgu i një sëmundje të rëndë.

“Biri” i Açkës, ndonëse në kapërcyellin e të 17-tave i jep vdekjes “një mësim të mirë”, përmes një qëndrimi dinjitoz e gati mbinjerëzor, e duke përqafuar në çdo frymëmarrje jetën e njerëzit që i gjenden përreth.

Refleksionet e tij për jetën e çështje me rëndësi globale, por veçanërisht ato që lidhen me kombin shqiptar, Kosovën e Shqipërinë, ai i ngre gjatë viteve studimore dhe e shoqërojnë deri në largimin fizik. Nuk do të jetë heroi.

Është i ftohtë ndaj çdo reagimi a veprimi patetik, por në qëndrimin e tij, në lamtumirën që u jep miqve e shkollës, në përballjen me sëmundjen e kalvarin e peripecive spitalore, refleksionet që ai bën vijnë në mënyrë të pashmangshme, si një mesazh për jetën.

E dashur Flutura, romani “Biri” ka ardhur si një premtim a gati amanet i përmbushur, duke shënuar një nga librat më të lexuar… A ndiheni më e çliruar pas këtij rrëfimi?

Ndihem më e qetë. Ndonëse, para se ta botoja endesha në dilemën e madhe…, jo prej shkrimtareje, por prej nëne. Si shkrimtare dilema nëse duhet ta botoj veprën a jo nuk kam, sepse zogjtë ndaj këndojnë, që të dëgjohen nga të tjerët.

Në pyetjen tuaj, ju e konsideruat “Birin” si roman, kjo do të thotë që ky libër e ka kapërcyer këtë dilemë timen, përsa kohë lexohet si i tillë.

Në fakt është një ‘requiem’ për tim bir. Një vepër shumë personale, tërësisht autobiografike që në kushte të tjera nuk do të kisha guxuar ta botoja, por pjesa e shkrimtares dominoi mbi luhatjen e nënës, dhe tek e fundit mendoj se vepra kishte nevojë të lexohej.

Qoftë dhe si një lloj narracioni jo vetëm mbi dhimbjen, por edhe mbi mënyrën se si e shikon jetën përtej dhimbjes tënde. Dhe them që, nëse ky libër e ka kapërcyer personalen, do të thotë që jam në ujëra të mira.

Përtej peshës së dhimbjes e krenarisë si nënë… si shkrimtare, ju keni një protagonist të jashtëzakonshëm, një mesazh për jetën, prej së cilit në çdo frazë, ke çfarë merr. Një i ri që mendon si i i rritur, që të jep kurajë edhe në ditët e tij më të këqija. Pjekuria e tij shfaqet edhe në marrëdhënien e bisedat me Anne Marien, Gertën, bashkëshortin e saj, takimet me figura si Robert Elsie, por çfarë ka ndikuar tek “Biri” për formimin e një personaliteti të tillë?

Im bir 11 vitet e para të jetës i kaloi në Shqipëri. E ka shëtitur Shqipërinë nga Preveza në Mitrovicë e më tutje. Kishte marrë shumë prej këtij vendi, aq sa mund të them se ishte një shqiptar i vërtetë. Kjo duket qartë edhe në libër.

Pastaj në formimin e tij kanë ndikuar natyrisht shkollat, njerëzit nga të cilët është rrethuar. Madje nganjëherë më vinte keq, sepse shoqërohej kryesisht me të rritur dhe prej tyre pati marrë shumë, por në një farë mënyre edhe sikur kishte humbur diçka prej fëmijërisë.

Sikur u bë adoleshent para kohe, më tej një i ri, i rritur si thoni ju. Di të them se ishte një qenie shumë kureshtare, jo shpërfillës ndaj asaj që shikonte, përkundrazi donte të dinte përtej asaj që shikonte në sipërfaqe, pëlqente të eksploronte. Natyrisht që edhe ai kishte momentet e tij të ulëta, ngrysjet, por e donte jetën, dinte t’i gëzohej. Mua më ka mësuar im bir si të menaxhoj dhimbjen.

Nëqoftëse tani rri në këmbë, rri për respekt të tij… Mundohem ta shikoj përtej të qenit nënë, pasi nëse do e shikoja “Birin” vetëm si fëmijën tim, ndoshta tani do isha përkulur.

Të bëjnë shumë përshtypje në libër, shqetësimet që ai ngrinte sa i përket çështjeve shqiptare. I trajtonte ato edhe në esetë e tij shkollore apo jo, në analiza e dokumentarë, si “Gjakmarrja”, e deri tek diploma për përfundimin e gjimnazit lidhur me çështje e Ish-sigurimsave…

Ne bënim shpesh biseda analitike. E fundit ka qenë për Kosovën, dhe pasqyrohet edhe në libër. Unë e kam regjistruar fshehtas. Është e datës 2 prill, 3 ditë para se të thoshte lamtumirë.

Esenë e gjatë që ai kishte përgatitur për kalimin në universitet e ruaj ende, ashtu siç e ka lënë. Duhet ta dorëzonte në janar të 2018-ës, por ne shkuam në spital, dhe ajo mbeti e papërfunduar. Është  kontributi i tij i fundit për një çështje shumë delikate, për të cilën as studiuesit shqiptarë nuk guxojnë të flasin aq hapur.  “A e ndihmoi, apo ish-Sigurimi Enver Hoxhën për të qëndruar në pushtet”, kjo ishte dilema e tim biri. 

Ndoshta ishte një miniaturë e imja që po krijohej ngadalë, por nuk donte të më ngjante. Me respektin për sakrificat e mia, e thoshte shpesh se, tek unë shikonte idealisten, që në jetë nuk kishte arrirë të merrte sadopak nga ajo që kishte dhënë. Një idealiste në kufijtë e të papranueshmes, sipas tij.

Një lidhje shumë e fortë nënë-bir. Një njohje që le të themi në një farë mënyre u thellua edhe më tepër gjatë largimit fizik të tij…

Është e vërtetë, e kam njohur më mirë pasi ka ikur. Kam hyrë në lap topët, në telefonat e tij, që kurrë nuk i mbylli me kode. Ishte një qenie shumë e pastër. Aq sa më shtyn mua tani, të kërkoj tek vetja ime thellësira të pastra për t’ia arritur atij. Pas largimit të tij, tim bir e njoha edhe më shumë në esetë e tij, në analizat që bënte, të cilat ishin të ndryshme nga të miat. Ishin shkrimet e një të riu që premtonte shumë. Prandaj ky libër, është edhe një lloj qarje e brendshme e koleges për kolegun e humbur, që nuk ja doli dot.

10 vite më parë unë kam shkruar romanin “Ku je?”, një lloj skaneri për diktaturën. Një roman i madh edhe në sensin e shtrirjes, pasi shkruaj për një qytet të tërë siç është Elbasani i viteve të fëmijërisë sime. Aty kam një personazh publik, që është vajza e Liri Belishovës, Drita Çomo. Një vajzë e mrekullueshme, ditarin origjinal të së cilës kam pasur fatin ta lexoj kur punoja librin e saj. Ky personazh, që më la mbresa të jashtëzakonshme është në romanin tim “Ku je”.

Ai personazh, ai fragment i romanit ka qenë qarja ime për kolegen që nuk ja doli sot. Një poeteshë që mund të ishte sot një shkrimtare e mrekullueshme. Dhe 10 vite më vonë, më ndodh e njëjta gjë. Unë qaj për një koleg tjetër që nuk ja doli dot.

Pavarësisht dhimbjes suaj personale, edhe në momentet më kritike ndërsa kuroni birin në spital në Holandë, mendimet tuaja gjejnë një shteg e udhëtojnë në Shqipëri. Në roman ju shprehni shqetësimin tuaj për ata shqiptarë që vuajnë në kushte fate të ngjashme, por në kushte të ndryshme, që “e bëjnë të zezën më të zezë”…

Më vinin ndër mend shpesh. Refleksionet e mia lidhur me ta, i bëj dhe gjatë kohës që jemi në spital. Unë isha në kushte shumë të mira, e rrethuar nga njerëz shumë të kulturuar. E rrethuar nga njerëz, që ndoshta thjesht bënin detyrën, por detyra e tyre normale, për mua si nënë në ato rrethana ishte diçka e papërshkrueshme.

E kam sjellë ndër mend sa njerëz, sa miq janë rropatur spitaleve, me para a pa para. Unë vetë, nëse do isha gjendur në këto kushte shqiptare, do isha sot një grua totalisht e rrënuar. Por unë nuk e di sa ka kushtuar kurimi i tim biri, pasi çdo gjë e ka mbuluar shteti holandez. Unë kam parë një përkujdesje, një dashuri njerëzore, për të cilën jam shumë mirënjohëse. Në libër janë dhe refleksionet e tim biri, për ato vajza të reja, infermiere që kujdeseshin në detaje për gjithçka edhe për humorin e tij.

Kujtoj kur ai u fliste, u tregonte histori, ato qëndronin dhe e dëgjonin…, jo sepse e kishin për detyrë, por e ndjenin. Shikonin një qenie njerëzore që ishte duke ikur, duke i dhënë lamtumirë kësaj jete, e që kishte nevojë për dashuri. Dhe ato i jepnin shumë dashuri, pavarësisht se unë kam bërë pjesën time si nënë. U jam mirënjohëse atyre vajzave të mrekullueshme.

Me “Birin” ju sillni edhe raste të ngjashme, të artistëve, shkrimtarëve të huaj që kanë pësuar humbje të mëdha, por edhe të personazheve shqiptarë, si Tinka Kurti, Kim Mehmeti etj. Sa i përket pjesës së letërsisë që trajton ngjarje kaq të mëdha si humbja e njeriut të dashur, sa ju ka ndihmuar personalisht?

Gjatë muajve të parë të largimit fizik të “Birit”, unë kam lexuar shumë literaturë. Jo për t’u ngushëlluar, por për të parë se ku isha unë në raport me dhimbjen, dramën, fatalitetin e jetës sime. Dhe vura re se, libra të kësaj natyre, nëna, prindi që shkruan për birin e humbur, nuk ka shumë në botë. Ka pak, sepse është diçka e papranueshme. Dhe unë që e kam shkruar, kush e di në ç’gjendje kam qenë. Sepse kjo është diçka që në kushte normale njerëzore nuk pranohet.

Mirëpo në ato libra që gjeta, vërejta disa histori paralele, që në bërthamën e tyre trajtojnë se si mund ta menaxhojmë dhimbjen, në mënyrë që njeriu, miku, kolegu, gazetari që kemi përballë të mos kthehet në supin për të qarë, në shpinën për t’u varur. Ky ka qenë problemi im më i madh, dhe për këtë u jam referuar në libër dhe shkrimtarëve shqiptarë. Ne kemi një kryevepër si “Lum Lumi” i Ali Podrimës. Çdo varg i tij është kaq i bukur dhe ka qenë një nga gjërat më ngushëlluese, nëse mund të them se unë ngushëllohem diku tek letërsia. 

Kam lexuar shumë literaturë dhe disave prej tyre u referohem dhe tek “Biri”, kjo për të vënë edhe një lloj balance për lexuesin, për të mos e kthyer librin në një përqarje të madhe ku kërkohet thjesht ngushëllim.

Kjo balancë plotësohet dhe nga esetë mbi prindërimin, zinë, raportet mbi identitetin, adoleshencën, mbi nevojën për të njohur fëmijët tanë. Ne nuk i njohim mjaftueshëm, ke nevojë të dimë mbi adoleshencën e tyre që duket si diçka e largët e paeksplorueshme.

Por ne thjesht duhet të hapim mantelin e të kuptojmë se çfarë ndodh. Ata kanë një shpejtësi mendimi tjetër, ne duhet të hyjmë në të. Kjo mund të jetë edhe e mundimshme, por është diçka që duhet bërë për të njohur fëmijët tanë deri në fund./Anila Dedaj


Lexo edhe:

RRËFIMI PREKËS I FLUTURA AÇKËS PËR DJALIN E NDJERË: JETA IME KA QENË VETËM ATO 18 VITE…