
Në kinemanë historike Kino Babylon, nga dje e deri më 13 maj do të mbahet festivali “Fly Like An Eagle”, një javë e dedikuar historisë dhe transformimit të kinematografisë shqiptare.
Ky festival u çel dje në mbrëmje me filmin e Saimir Kumbaros, “Vdekja e kalit”. Në Berlin do të shfaqen jo vetëm klasikët e Kinostudios “Shqipëria e Re”, por edhe produksione bashkëkohore shqiptare, duke krijuar një urë mes së kaluarës dhe brezit të ri të autorëve të filmit. Ky festival mundësohet me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Berlin, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Kinemasë Babylon.
Filmit që çeli festivalin, konsiderohet një nga veprat simbolike të fillimit të viteve ’90, pasi pasqyron periudhën e trazuar të tranzicionit shqiptar dhe shembjen e strukturave të vjetra. Tek “Vdekja e kalit” interpretojnë Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Niko Kanxheri, Fitim Makashi, Ferdinand Radi etj. Aktori protagonist Timo Flloko do të jetë i ftuari special i natës së parë të festivalit. Pas shfaqjes, publiku do të ketë mundësinë të bisedojë me aktorin, mbi filmin dhe rrugëtimin e tij artistik.
Drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini bëri të ditur se AQSHF përfaqësohet me këta filma:
“Nëntori i dytë” nga Viktor Gjika, 1982
“Përrallë nga e kaluara” nga Dhimitër Anagnosti, 1987
“Kur xhirohej një film” nga Xhanfise Keko, 1981
“Koncert në vitin 1936” nga Saimir Kumbaro, 1978
“Vitet e pritjes” nga Esat Musliu, 1989
“Gjeneral gramafon” nga Viktor Gjika, 1978
“Vdekja e kalit” nga Saimir Kumbaro, 1992
“Lulëkuqet mbi mure” nga Dhimitër Anagnosti, 1976
Kino Babylon konsiderohet një nga kinematë më ikonike të Berlinit. E ndërtuar në vitin 1929 nga arkitekti i njohur Hans Poelzig, ajo është kthyer ndër vite në një qendër të rëndësishme të festivaleve ndërkombëtare të filmit, artit dhe kulturës alternative. Sot, Babylon shfaq mbi 1000 filma në vit dhe mbetet një nga hapësirat artistike më të njohura në kryeqytetin gjerman./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:






