
Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – ”Forumi Përmes Fjalëve” – Forum 26 është pranuar zyrtarisht si anëtar i International Authors Forum (IAF), një prej rrjeteve më të rëndësishme ndërkombëtare që përfaqëson dhe mbron të drejtat e autorëve në mbarë botën.
Lajmi për këtë anëtarësim u bë i ditur nëpërmjet një njoftimi nga ky Forum në faqen e tyre në Facebook.
Vendimi është miratuar nga Bordi Drejtues i IAF dhe i është komunikuar Forum 26 përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Kevin Fitzgerald, dhe Sekretariatit të IAF, pas shqyrtimit të aplikimit dhe takimit prezantues të zhvilluar online më 16 qershor 2026 mes Drejtorit Ekzekutiv të Forum 26, Granit Zela, dhe Serena Barone, përfaqësuese e Sekretariatit të International Authors Forum (IAF).
“Ky anëtarësim përbën një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e Forum 26 dhe në fuqizimin e zërit të autorëve shqiptarë në një platformë globale kushtuar të drejtave të autorit, lirisë së shprehjes dhe bashkëpunimit letrar ndërkombëtar.
Emri dhe profili i Forum 26 tashmë janë përfshirë në faqen zyrtare të IAF si organizatë anëtare, ndërsa anëtarësimi i plotë do të ratifikohet në Asamblenë e Përgjithshme të IAF. Gjatë takimit dhe komunikimit pasues me IAF u identifikuan disa fusha prioritare bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.
Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm jo vetëm për Forum 26, por edhe për letërsinë shqipe, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim, përfaqësim dhe prani ndërkombëtare të autorëve shqiptarë.
ObserverKult






