Mëngjesin e 23 shkurtit të vitit 1942, dhoma e gjumit, e marrë me qira nga dy bujtës në Gonçales Dias 34, në Petropolis, Brazil qëndroi e mbyllur deri pak para masditës.
Personeli i shqetësuar njoftoi policinë, e cila theu derën duke gjetur të pajetë mbi shtrat një burrë dhe një grua.
Të vdekurit ishin shkrimtari me origjinë austriake, i cili sapo kishte marrë nënshtetësi angleze, Stefan Cvajg, dhe bashkëshortja e tij, Elisabet Charlotte.
Çifti Cvajg kishte emigruar në Brazil pasi ishte tronditur nga ardhja e nazizmit në fuqi dhe nga fitoret e përbindshme të kësaj makine gjakatare.
Në shtypin e kohës, që i referohet raportit të policisë për ngjarjen, ndër të tjera shkruhet: “Zyrtarët gjetën një burrë të shtrirë në kurriz, të veshur plotësisht me një kostum. Me këmishë ngjyrë kafe gështenjë, kravatë të zezë dhe me kilota ngjyrë të zeza në kafe…
Zonja kishte veshur një kombinezon me lule, krahu i majtë rrokte gjoksin e bashkëshortit. Mbi skrivaninë jashtëzakonisht të rregullt ishin vendosur letrat e lamtumirës me pullat e ngjitura, lapsat ishin mprehur, librave të marra hua u kishte lënë një shënim.
Mbi skrivani u gjet gjithashtu një shkrim drejtuar kryetarit të Bashkisë së të qytetit të Petropolisit me titullin “Declaroçao”, në të cilën shkruhej:
“Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, shtyhem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës.
Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten.
Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë.
Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke.
Përshëndes të gjithë miqtë e mi! Uroj që ata të kenë fatin të shohin përskuqjen e agimit pas natës së gjatë! Unë, si shumë i paduruar që jam po u paraprij!”– përfundon letra e lamtumirës së Cvajgut.
Vetëvrasja e çiftit Cvajg është një nga ngjarjet më të bujshme. Jo pak njerëz e quajnë këtë lajm si një “shaka”. Tomas Man, një nga miqtë e tij të mirë shkruante: “A duhej t ‘i jepte ai armikut të betuar këtë kënaqësi” duke shtuar se “njëri nga ne dorëzohet përpara ripërtëritjes së tij të dhunshme botërore”…
Në letrën e tij të lamtumirës drejtuar botuesit të tij brazilian, Koogan, ai e kishte lënë amanet t’i bëhej një varrim i thjeshtë, e pa bujë, por qeveria braziliane, e cila nuk kishte dijeni për këtë dëshirë e quajti si detyrën e saj që Stefan Cvajgun, shkrimtarin e famshëm botëror dhe mikun e Brazilit ta nderonte siç i takonte: me një varrim kombëtar.
Më 24 shkurt të 1942-it të dy arkivolet e hapura të Cvajgut dhe të gruas së tij, Lottes, të zbukuruara plot me lule ishin vënë në shkollën e mesme të Petropolisit. Kryetari i Akademisë së Letërsisë, Carauta de Souza, mbajti një fjalim para një rrethi të shquar shoqëror, ndër të cilët merrnin pjesë edhe Presidenti i shtetit, Vargas, ministra, gjeneralë, publicistë, artistë profesorë.
Më pas, kortezhi i përmotshëm kaloi nën diellin rrëzëllimës nëpër rrugët e qytetit të mbushura me njerëz në të dyja anët. Arkivolin e Cvajgut e mbanin tetë shkrimtarë, pas tyre vinin rabinët, të cilët kishin ardhur nga Rio De Zhaniero.
Rreth 400 mijë njerëz u dyndën rrugëve. Dyqanet u mbyllën vetiu. Ngado shihje njerëz me lule në duar që shoqëronin vazhdarin dhe kambanat e Petropolisit u bashkuan me kumbimin e përmotshëm. Carneiro, kryetari i Akademisë së Shkencave përpara varrit të hapur të çiftit Cvajg ndër të tjera tha: “Sikur ai të kishte qenë vetëm pak më sqimatar me siguri do të kishim pasur mundësi ta shpëtonim dhe do të na e kishte kursyer këtë dhembje”.
Ishte një pritshmëri, megjithëse për shumë bashkëkohës kjo ikje u përpoq të vishej me eufemizma. Gjithsesi, ky shterrim së gjalli i këtij gjeni të penës dhe ky dimension i mendimit do të ishte një fakt i pamohueshëm dhe një yshtje pikëllimi për gjithë botën e magjepsur nga fjala dhe pena e Stefan Cvajg.
Kurrkush deri asokohe, nuk ka mundur që nëpërmjet fjalës të depërtojë aq thellë, që nëpërmjet ligjërimit të tij magjik dhe të pashoq, të bëjë për vete miliona lexues, të përlotë sy dhe të thyej zemra.
(Mbidoza fatale që solli vdekjen e çiftit Cvajg është “Barbiturates”. Ky preparat bën pjesë në familjen e barnave që rrjedhin nga acid barbituric dhe përdoreshin zakonisht si qetësues.
Ka ndikim të shpejtë në sistemin qendror nervor dhe prodhon një model të gjerë të efekteve, nga qetësimi i butë deri në anestezi të plotë. Shkencërisht ky preparat ka një potencial të lartë të varësie,
Ky qetësues vdekjeprurës u zbulua për herë të parë më 4 dhjetor 1864 nga studiuesi gjerman Adolf von Baeyer. Vlerën e vërtetë të këtij preparati e njohin në vitin 1903.
Dy kimistë gjermanë që punojnë në Bayer, Emil Fischer dhe Joseph von Mering eksperimentojnë me këtë bari. Në atë kohë barbital merr një tjetër emër dhe quhet nën emrin tregtimit “Veronal”. Thuhet se Von Mering propozuar këtë emër për shkak se vendi më i qetë për dijen ishte qyteti italian i Veronas.)/ Albert Vataj
ObserverKult
Lexo edhe: