Fotografia e vetme e Papa Kristo Negovanit

Studiuesi dhe koleksionisti Niko Kotherja, në profilin e tij në ‘Facebook’ ka publikuar fotografinë e vetme të Papa Pristo Negovanit, që është vrarë mizorisht prej andarteve greke.

“Është e vetmja fotografi e martirit të gjuhës shqipe, papa Kristo Negovani. Shumë të tjera u zhdukën me vrasjen e tij, natën e 12 shkurtit 1905.

Është e jashtëzakonshme kronika biografike e një njeriu që u ekzekutua në moshën 30-vjeçare, por që la pas një emër të madh e vepra të skalitura fort në ndërgjegjen kombëtare.

I masakruar me sëpata e hanxharë prej andarteve greke, bashke me të vëllanë dhe të tjerë punëtorë të shkollës e gjuhës shqipe, kur doli drita e ditës, pamja e kodrës mbi fshatin Negovan i përngjante një kasaphane te tmerrshme.

Nipi i dëshmorit të gjuhës dhe shkollës sonë, prof. dr. Kiço Negovani, më ka treguar se atë mëngjes, gjyshja e tij (bashkëshorte e papa Kristos) ka dalë mbi kodë me thes në dore duke mbledhur copat e trupit te klerikut te masakruar, që ishin hedhur andej-ketej dhe disa gjymtyrë nuk mundi t’i gjente”, ka shkruar Kotherja në profilin e tij në Facebook.