Vepra artistike fotografike Koha e akullit dëshmon filozofinë krijimtare të kombinimit të zjarrmisë dhe të acarit për ta fituar balancin estetik, të cilin Fahredin Spahija e sprovon dhe e provon me veprën e tij si markë autentike që sfidon kohën dhe si e tillë pasuron format e krijimit në kuadër të këtij zhanri artistik.
Nga Nysret Krasniqi, kritik i letërsisë
1. Në teoritë e krijimit artistik dominojnë dy ide: mimetika dhe krijimi i botës së veçantë artistike. Fahredin Spahija, si pikënisje, ka shkrepjen (mimetiken), por laboratori i tij krijues e dikton padyshim krijimin e botës së veçantë artistike. Bota e tillë, e prezantuar te vepra Koha e akullit, është ngulmimi i autorit në krijimin e botës së paradoksit të bukurisë.
2. Paradoksi i bukurisë realizohet nëpërmjet konceptit krijues të bricolage-it, qoftë edhe si ikje nga koncepti klasik i fotografisë, e cila nuk e posedonte domethënien e dytë apo të tretë. Madje, duke bërë një ikje artistike tri herë larg reales (Platoni), dhe duke shfrytëzuar imazhin e ngrirë si metaforë tashmë stabile të kësaj forme, Fahredin Spahija i afrohet tërësisht konceptit aristotelian për artin si kënaqësi e së mundshmes apo estetikë e së dëshirueshmes.
3. Imazhi fundor i tij, si rrjedhim nga bricolage i Fahredin Spahisë, gjithsesi se ndërton një bliss paradoksal, i cili themelin e ka në trajtat e ndërliqshme të trupit njerëzor, i cili re ekton edhe “krizat” e shpirtit të vet.
4. Krizat e shpirtit janë motivimet themelore të Fahredin Spahisë që nëpërmjet strategjisë së tij krjimtare: shkrepje, zgjedhje, kompozicion, laborator krijues, përzgjedhje etj., të realizojë krijimin artistik fotografik, i cili domosdo do të rezultojë në një fushë të gjerë të konotacionave mendimtare e emocionale, duke e afruar fotografinë me poezinë!
5. Duke ikur nga moraliteti i rrejshëm, i cili e mundon në vazhdimësi jetën tonë, por artin e varros që në indiciet e para, Fahredin Spahija arrin që nëpërmjet intencave dhe neurozave të tij artistike ta krijojë e dëshmojë lirinë krijimtare, e cila burimin e ka në ndjeshmërinë njerëzore të autorit për të bukurën artistike.
6. Vepra artistike fotografike Koha e akullit dëshmon filozofinë krijimtare të kombinimit të zjarrmisë dhe të acarit për ta fituar balancin estetik, të cilin Fahredin Spahija e sprovon dhe e provon me veprën e tij si markë autentike që sfidon kohën dhe si e tillë pasuron format e krijimit në kuadër të këtij zhanri artistik.
7. Fahredin Spahija është autor i fotografisë, i cili sublimohet në autor krijimtar fotograf për ta etabluar fotografinë e tij në vepër polisemantike artistike si dhembje shpirtërore permanente njerëzore.
ObserverKult
Lexo edhe:
FAHREDIN SPAHIJA, MJESHTRI I PORTRETIT DHE NUDOS
ObserverKult