“Foton Muzash” i Alisa Bekteshit, libër që tregon se duhet sakrifikuar dhe luftuar për dashurinë…


Ars Amatoria apo Dashuria si Bërje

Nga Albnor Sejdiu

Ndoshta njëra prej hyrjeve më të fuqishme të ndonjë libri është ajo e “Lady Chatterley’s Lover”, nga D. H. Lawrence. Një hyrje e cila aq sa fillon me pamjen e një errësire tragjike, ku është zhytur gjithçka, dhe pikërisht për këtë ne nuk e pranojmë se është kështu: po aq mbaron me shpresën për të jetuar me atë që ka ndodhur dhe tani është. “Ne duhet të jetojmë”, shkruan Lawrence në përfundimin e kësaj hyrjeje, “pa marr parasysh se sa qiej kanë rënë”. Libri i Alisa Bekteshit  “Foton Muzash” është në ngjashmëri familjare me këtë fillim dhe përfundim të hyrjes; vetëm se, aty ku Lawrence shkruante për tragjedinë dhe jetën pas saj, te Alisa kemi të njëjtën tragjedi dhe të njëjtën shpresë – por, këto nuk i kemi vetëm me atë që ishte, këto i kemi edhe me atë që kemi filluar të dashurojmë dhe të jetojmë me të.

Dikush, gjatë leximit të këtij libri, ka jo vetëm atë përshtypjen hooksiane, se çdo zgjim drejt dashurisë është një zgjim shpirtëror, por edhe përshtypjen e një “muri” të pakalueshëm e të një “hije” që të tundon pikërisht me praninë e saj te ky “mur”. Në motet e pranishme, ndoshta është e çuditshme pse Alisa s’e urren apo kërkon ta vrasë këtë prani, dhe e do dhe bëhet e dashura e tij: por kjo është ndoshta ajo, që libri i fundit i Alisës, si pararendësi i librit tani, na ka treguar. Njëmend, në krahasim me librin e kaluar të Alisës, “Pëshpëritja Botës Ëndrrat”, – libri i pranishëm është një shpërthim në bërtitma, një përjetim nga bota e ëndrrave (që unë kam pasur guximin t’i quaj jungiane) në botën e pranishme (që vetëm e vërteton se ëndrrat e saj s’ishin dëshira, por kuptime – ashtu siç Jungu do t’i kuptonte). “Foton muzash” mund të duket fragmentar, aty-këtu i shkurtër, dhe deri në një pikë i përfunduar më shpejt se sa duhet: por ky libër qëndron kështu në trupimin e tij të tanishëm sepse është mbledhja e të gjithë urtëdhënës që bredhja e Alisës në dashuri ka bërë.  Një kërkim në dashurinë jo si diçka të papritur, si diçka që është aty, si diçka që një ditë do të na ndodhë – por një zhytje, një besim i plotë, një premtim për të dashuruar shumë, shumë e më shumë. Për dashurinë si bërje: kjo është ajo çfarë na flet ky libër, qoftë edhe në përhumbjen e tij duke goditur dhunshëm çdo gjë që i del përpara – vetëm e vetëm për të dashuruar.

Dashuria si ajo që mbyt lirinë, nata që s’flet, ëndrrat që të braktisin: patjetër se janë ngatërrime brenda poetes. Pamje që ndiqen nga prerje të vetes, të cilat të lënë shije me mall dhe me tmerr. Por detyra e saj, ndoshta shumë e ngjashme me atë të Ovidit, dhe ajo e jona, sapo ka filluar – të dashurojmë, kështu dëgjohet të na thotë zëri i Venusit nga foleja e saj e ndritshme! Në librin e tij – “Hulumtimet Filozofike” – Wittgenstein përmend vetëm dy herë dashurinë. Jepja se herën e parë është e thurur në një pyetje, përmendja e dytë është më e rëndësishme. Në çudinë nëse e duam dikë apo vetëm jemi duke u shtirur se e duam, Wittgenstein shkruan se “procesi i introspeksionit është thirrja e kujtimeve; të situatave të mundshme të imagjinuara dhe të ndjenjave që do të kishim nëse…”. Procesi introspektiv, kjo bërje e kthimit pas në kujtime edhe në të tanishmen; bërja e ndodhive të mundshme dhe ndjenjat tona për këto mundësi, është ajo që Alisa Bekteshi e bën më së miri në këtë libër.

Në motet e tanishme, të flasësh për dashurinë, edhe nga ata që dashurojnë, duket e tepërt. Të duhen mbrojtje, të duhen maska, s’të duhen premtime, s’të duhet përgjegjësia – kështu flet gjithçka brenda nesh. Por, poetja Alisë, duke parë në dashuri diçka pak më ndryshe nga ajo që mund të kapet lehtë, me barrën e këtyre moteve, përgjigjet krejt thjeshtë. Edhe nëse nuk është askush pas dashurisë së saj, së paku, për vetë dashurinë, ajo do të thotë, ashtu siç shkruan në një poezi – “në vetminë time, pranë ishe ti!” Pranë është dashuria vetë! Libri “Foton Muzash“, përmes një poetike rrëfimi, duket se na thotë – le të guxojnë të dashurojnë të gjithë ata që s’e kanë të vështirë t’ia besojnë dikujt veten, dhe jo vetëm veten. Pra, kush është aq i guximshëm sa të dashurojë dhe t’ia besojë krejtësisht dikujt veten? Jemi gati të premtojmë sërish dashurinë, apo duam të përjetojmë jetë të pajetuara ashtu siç kemi bërë? – Jemi gati të dashurojmë, të dashurojmë sërish, ashtu sikurse bën çdoherë poetja Alisë?

*Parathënia e librit “Foton Muzash” të Alisa Bekteshit

ObserverKult

Alisa Bekteshi

Lexo edhe:

ALISA BEKTESHI: TI S’AFROHESHE, E DI