Fragment nga “Brenga e prokurorit” të Ahmet Prençit

ahmet prençi

Ju ftojmë lexoni një fragment të shkëputur nga romani i Ahmet Prençit “Brenga e prokurorit”:

Ishte një mbrëmje vere, me një fllad të lehtë që disi çlironte njerëzinë nga vapa e tmerrshme e ditës.

Martini ndodhej i ulur në divanin e dhomës së ndenjës me shikimin nga mali i Dajtit, që shtriqej si brumbull gjigand me një jeshile të ftohtë, mu përballë ballkonit me kanata të hapur.

Atë të shtunë kishte preferuar të qëndronte në shtëpi. Të pushonte dhe të bisedonte me djemtë.

Ata, në adoleshencën e parë, dhe ai në mesin e moshës, ngacmoheshin shpesh me njëri-tjetrin. Këto momente e kënaqnin Elizën, që bënte sikur i dilte në krah Martinit.

Djemtë nuk përmbaheshin nga ngazëllimi dhe lumturia, duke iu turrur të dyve dhe duke e mbuluar me përqafime.

“Kur e arrestojmë babin në shtëpi, ne jemi të lumtur”,- thoshte shpesh Eliza.

Në fakt, këto ishin çastet më të bukura familjare, kur Martini qëndronte në shtëpi dhe nuk fliste për punën. As djemtë, nuk preferonin të flisnin për shkollën.

Diskutonin për filmat e Netflix apo hakerimin e teknologjisë digjitale, për këngët që pëlqenin dhe për trendet e kohës.

Ata e detyronin shpesh Martinin të dëgjonte këngët e tyre të preferuara. Madje, në disa raste ata edhe mes vetes grindeshin se cila ishte kënga më e mirë apo filmi më i bukur.

Flisnin edhe për librat që lexonin, kryesisht në anglisht, me disa histori që për Martinin dukeshin të pakuptimta.

Siç i ndodhte shpesh, ndoshta duke u ndjerë në faj për lumturinë e tij, iu kujtua hidhur ajo ditë e zezë, shumë vite më parë…

Ishte vetëm në shtëpi, kur tringëlliu zilja e telefonit. Zgjati dorën me përtesë nga komodina ku e kishte lënë celularin dhe pa se po thirrej nga salla operative. E hapi menjëherë.

– Zoti Martin, nga salla ju flasim! – zëri i oficerit nga ana tjetër, nuk ishte si në raportimet e tjera.

– Sapo kanë vrarë Artur Rrasën.

– Siiii? – briti Martini.

– Po, e vranë Turin! – u përgjigj tjetri i fikur.  

Martini u ngjeth, mornicat i përshkuan gjithë trupin. Timbri i oficerit tej telefonit, u dridh në vaj.

– Artur Rrasën? – pyeti me gjysmë zëri Martini, me shpresën që nuk do të ishte e vërtetë ajo që kishte dëgjuar.

– Po, po… sapo… u njoftuam nga vendi… i ngjarjes. E kanë vrarë… afër shtëpisë… ka vdekur…

Oficeri mbylli telefonin. Mezi ia kishte dalë ta perifrazonte lajmin kobzi.

Martini me telefonin në dorë u shemb në divan. Këmbët nuk e mbajtën më. U shkreh në vaj. Lutej të ishte një ëndërr e keqe a një makth, dhe ai lajm të mos ishte i vërtet. O Zot! Kurrë në jetë s’e kishte provuar këtë lloj goditjeje.

Me lot në sy u ngrit, freskoi fytyrën, ndërroi rrobat dhe u nis për te vendi ku kishte ndodhur vrasja. Sa e sa herë e kishte bërë atë rrugë për t’u takuar me mikun e tij të ngushtë. E gjente te kafja poshtë pallatit të tij.

Tashmë nuk do të ndodhte më. Nuk do ta gjente më, nuk do ta shihte më, nuk do ta dëgjonte më. Turi kishte vdekur.

Me sytë të mjegulluar nga lotët, që nuk i kontrollonte dot, në pak minuta kishte mbërritur në vendin e ngjarjes. Kishte ecur me makinë si i çmendur.

Skena që pa aty ishte e tmerrshme. Llahtar. Ndjente drithërimë e dhembje në gjithë qenien e tij. Turi si një mal, i shtrirë në trotuar me gjakun që i shpërndahej ende poshtë trupit në rrëkeza të imta.

Plumbat e kishin marrë pas shpine dhe goditjet kishin qenë fatale. Dora e tij e djathtë kishte ngelur e ngrirë afër brezit ku mbante pistoletën e punës. Breshëria e pabesë e kishte prerë pa i dhënë mundësinë e asnjë reagimi. Dhimbja shtrihej si ulërimë, aty para syve të tij.

Martini rrinte i mpirë në atë udhëkryq tragjedie, i shtangur pranë trupit pa jetë të Arturit, duke mos pasur fuqi mendimi për asgjë. Nuk arriti t’ia shihte fytyrën e përgjakur që ia kishin mbuluar me çarçaf.

Nuk dëshironte ta shikonte në atë gjendje dhe as të merrte me vete atë imazh. Kishte nevojë të ruante fytyrën e tij të gjallë dhe të bukur. Lotët i rridhnin çurg në mënyrë të pavullnetshme.

I kërrusur mbi gjunjët që i dridheshin, me kokën e zënë mes dy pëllëmbëve të tij, po mbante mbi shpinë një mal me pikëllim për humbjen e mikut dhe kolegut më të dashur. Nuk donte ta besonte, ndonëse trupin e pajetë e të mbytur në gjak e kishte kaq pranë. Aty kuptoi deri në asht se sa punë të rrezikshme kishte zgjedhur të bënte.

Turi kishte të drejtë, me karrierë, pa karrierë, njeriu ikën; Me pushtet, pa pushtet, përsëri ikën; I pasur apo i varfër, përsëri ikën.

Atëherë, pse kaq luftë në jetë? Përse? Mendonte. Nuk kishte përgjigje. Pyetjet retorike i vinin si për të mbajtur gjallë shokun e vet, që nuk ishte më.

Hodhi vështrimin tutje për të pastruar sadopak sytë e përlotur. Pamja e mjegulluar po i qartësohej. Shikoi perreth dhe dalloi një grumbull njerëzish të mbledhur jashtë rrethit të sigurisë. Edhe ata, ndonëse kureshtarë, dukeshin të mpakur e të tronditur.

Lexoheshin qartë fytyrat e tyre të pikëlluara dhe të trembura. Dora e zezë e krimit me shumë guxim ishte ngritur ndaj një hetuesi të shtetit, duke kërcënuar sigurinë publike edhe të tyren, fqinjë të Arturit apo qytetarë të panjohur.

Disa kamera televizionesh përpiqeshin nga larg të merrnin pamjet nga vendi i ngjarjes. Reporterë të shumtë transmetonin drejtpërdrejt për mediat e tyre, duke dhënë opsione të ndryshme për ngjarjen dhe rrethanat e saj.

Kryesisht flisnin për viktimën, “dëshmorin e drejtësisë’, Artur Rrasa, i cili për herë të parë nuk mund të fliste për ngjarjen tragjike të radhës. Këtë herë, ngjarja ishte ai vetë, më tragjike s’mund të kishte.

Martini komunikoi vetëm me sy me dy oficerët e gatshëm të policisë gjyqësore, që kishin filluar të kryenin veprimet në vendin e ngjarjes. Prokurori për krimet e rënda kishte mbërritur në vend dhe po bisedonte me zë të ulët me ekspertët që mbanin shënim gjithçka.

Martini vazhdonte të ndjente në gjoks një lëmsh të madh që gati po e mbyste. Një dridhmë e ftohtë i përshkoi trupin. Në atë çast do të donte të ishte ai në vendin e Arturit. Kaq shumë i dhimbte ikja e tij.

Në sytë e mendjes i shfaqej vetëm ai, i gjallë dhe dinamik, siç ishte përherë. Nuk e mendonte dot të vdekur. Pikëpyetja e madhe kishte nisur ta pushtonte të tërin: Kush ia kishte rrëmbyer jetën Artur Rrasës?!

Kufomën e morën dhe e dërguan në morg. Nata kishte vendosur pushtetin e saj. Kthetrat e saj kishin mbërthyer shpirtin e Martinit.

Shpirti duhet të jetë i lirë, të fluturojë dhe të shijojë bukurinë e një nate dhe jo terrin e saj. Dritat e neonit ndriçonin ambientin përreth, ku vazhdonte këqyrja e vendit të ngjarjes. Martini iu bashkua grupit hetimor, për t‘u kujdesur të fiksonin çdo gjë.

U sekuestruan shtatëmbëdhjetë gëzhoja kallashnikovi. Një mori plumbash kishin përshkuar trupin e Turit të ndjerë. Vetëm ato plumba mund të ndalonin vrullin e tij, ato plumba kishin shterur energjitë e tij. Në trotuar kishte mbetur pellgu me gjak, ku pasi u morën mostra, s’do mbetej asgjë.

U kontaktuan disa qytetarë që kishin qenë prezent në ngjarje, por ata të terrorizuar nuk jepnin asnjë shpjegim.

Sipas tyre, s’kishin parë asgjë, vetëm krismat kishin dëgjuar. Dukej qartë se ngurronin dhe s’donin të ngatërroheshin me histori të tilla. Kishin frikë.

Nga disa ngjarje të rënda që kishin ndodhur muajt e fundit, edhe punonjësit e policisë i kishte zënë paniku. Shumë prej tyre kishin lënë detyrën me dorëheqje, disa të tjerë e kishin braktisur profesionin.

Situata ishte vërtet e rënduar. Mirëqenia, stabiliteti dhe qetësia publike, në këtë situatë kaotike dukej si legjendë dhe siguria, si një ëndërr e largët.

Rreth shtatëdhjetë metra nga vendi i ngjarjes, në fillimin e një rrugice të errët, pranë një kosh plehrash, Martinit, duke soditur me kujdes përreth, i zunë sytë një maskë dhe një palë doreza të hedhura rrëzë koshit.

Njoftoi hetuesit përgjegjës dhe ekspertët e kriminalistikës. Nuk preku asgjë me dorë.

Ekspertët i morën sendet me dorezat e tyre dhe po i vëzhgonin me kujdes. Në kapuç u gjetën disa fije floku, të cilat u fiksuan me kujdes të veçantë dhe u përshkruan në procesverbalin e këqyrjes dhe marrjes së provës materiale.

Sendet i futën në qese të holla të tejdukshme, për t’u përpunuar më tej në laboratorin kriminalistik e biologjik.

Më vonë, kur kishin mbaruar me procesin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, Martini u nis me makinën e tij për te morgu, ku kishin ardhur dhe familjarët e Turit. Ishte një natë e tmerrshme, që nuk do ta harronte kurrë në jetë. Ishte vonë.

Rruga iu duk krejt e shkretë. Sa herë kishin vajtur në atë morg me Turin për të ekzaminuar me ekspertët viktimat e vrasjeve që ata hetonin. Tani do të ekzaminohej trupi i tij. Martini nuk u fut në morg.

Nuk donte kurrsesi t‘ia shikonte fytyrën pa jetë. Donte ta ruante në kujtesën e tij të gjallë e të fortë, siç ishte në jetë.

Arturi tashmë ishte një hero. Një hero i vdekur. Në fakt, më shumë se kurrë nevojiteshin heronj të gjallë. Heronjt e vdekur nuk i duhen askujt, mendoi, aq më pak Martinit.

Shumë kujtime e çaste të bukura dhe të dhimbshme i gjallonin në mendje Martinit. I ishin prerë krahët nga ikja e Arturit.

Në një farë mënyre, për zanatin që kishte marrë, ai kishte qenë mentori i tij. I ndanin vetëm orët e gjumit. Kushedi sa ngjarje e dosje i kishin përpiluar së bashku. Kushedi sa kafe kishin pirë plot tension e diskutime pune.

Solli sërish në mendje aktrimet që bënin në zyrë, ku Turi do merrte përherë rolin e kriminelit. Po tani, si mund ta rikrijonte skenën e krimit? Atij i duhej Arturi i pavdekshëm, “aktori kriminalist”, që nuk linte situatë kriminale pa zbërthyer.

Jo Martin Guri, mos mendo kështu, ky është dorëzim ndaj së keqes, – e dëgjonte ai zërin e njohur brenda vetes. -Kush do ta luftojë krimin, po të mendojnë të gjithë kështu? Kush do të jetë polic, hetues, prokuror, gardian burgu? Janë punë jo fort të këndshme, por duhen bërë, ndryshe shoqëria vdes.

Mori frymë thellë. Solli sërish në mendje mjekët në morg që bënin autopsi të ndryshme mbi trupa të shqyer nga plumba dhe thika, punonjësit e funeralit që përditë shohin vetëm vdekje dhe lot, ndërmendi varrmihësit që vetëm gërmojnë varre dhe pëshpëriti si i humbur:

E sheh? Ka edhe profesione më të tmerrshme, por duhen bërë. Ndryshe, kush do të na varrosë?

U tremb nga përhumbja. Nuk mundej. Ndezi një cigare duke imagjinuar Turin përballë. “Unë jam krimineli, ti je viktima…” I buçiste në veshë zëri i tij. Nuk ishte aktrim, as ëndërr, ishte realitet. Ai ishte bërë tashmë viktima e vërtetë e krimit.

Të nesërmen e ngjarjes, në ceremoninë mortore pjesëmarrja ishte e madhe. Krerët më të lartë të policisë e të shtetit kryen homazhe dhe mbajtën fjalime.

Arturi u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Varrimi ishte madhështor. Sa mirë i organizojmë ceremonitë për policët e vrarë! Aq punë të mira bëri sa ishte gjallë, dhe askush nuk ia tha një fjalë të mirë. Sa trishtim! Dy herë i kushtojnë shumë rëndësi policit: kur bëhet plani për vrasjen e tij dhe kur organizohet ceremonia e varrimit. Aktorët janë të ndryshëm, por shumë seriozë në të dyja rastet.

Me këto mendime të hidhura Martini ishte mpakur, kishte nevojë të ishte vetëm. Krejt i vetëm, do të mund të bisedonte qetë me Arturin e përtej kësaj bote, tashmë banor i botës së përjetshme…

…Nuk duroi dhe iu hap Elizës. Ajo e njihte Arturin, por Martini i kishte folur  aq shumë për të, saqë Elizës i dukej se dinte gjithçka dhe kishte kuptuar thellë lidhjen e fortë të Martinit me të, ndonës Arturi nuk jetonte më.

-Si do t’ia bëj Elizë?- E kishte pyetur të shoqen si i zënë në çark.

– Do të bëhesh dy herë më i fortë dhe për Turin e ngushëlloi ajo, duke e marrë kokën e tij të lodhur nga mendimet e rënda e nga tronditja, e troshitur sikur e kishin goditur me një send të fortë dhe ashtu ngrohtë, siç dinte vetëm ajo, ia futi në gjoksin e saj, që ishte streha, ku Martini gjente gjithnjë qetësi, prehje e ngushëllim.

Megjithëse në një kohë mjaft të ligësht, eksperienca me Arturin e kishte bërë Martinin një hetues të zot. Ai e kishte mësuar me vrull gjithçka që lidhej me profesionin.

Ishin tipa krejt të ndryshëm, por natyra energjike e Turit e kishte përfshirë dhe Martinin e ndrojtur në vorbullën e tij, për të qenë këmbëngulës dhe i vendosur në mbrojtjen e të vërtetës, që s’e donte askush.

Për shumë kohë, ai nuk mësohej dot me humbjen e mikut dhe kolegut të tij. E kishte një mungesë egzistenciale.I dukej sikur i mungonte një pjesë e qenies së tij.

Në të gjithë aktivitetin e tij të mëvonshëm, edhe si prokuror, Martini kishte qenë shumë i ashpër në dënimin e vrasësve. Të gjithë vrasësit i dukeshin njëlloj. Gjithmonë i kujtohej Arturi dhe ekzekutimi i tij. Në çdo çështje vrasjeje që hetonte, i shfaqej hija e Arturit.

I vinte zëri i tij, si kumbim për shpagim. E përfytyronte herë të qeshur, herë entuziast dhe herë të dëshpëruar, të zemëruar e plot tension, siç e njihte ai.

I rrinin në mendje kërcitjet e dhëmbëve, kur në çaste nervozizmi, nofullat e shtrënguara i shfaqeshin si gogla që rrotulloheshin në brendësinë e vet. Kjo ishte e shpeshtë për Arturin pasionant dhe me një sens të fortë drejtësie.

Sa herë shkonte në Akademinë e Policisë, ku jepte leksione të Kriminologjisë dhe të Drejtës Penale për studentët e rinj, në hollin e hyrjes ishte busti prej bronxi i Artur Rrasës. Ai shfaqej madhështor, me një buzëqeshje të hidhur në buzë. Ishte nderim dhe kujtim i përjetësuar i kontributit të tij.

Ishte një shembull frymëzimi për çdo student të Akademisë së Policisë. Ishte modeli që duhej ta ndiqnim të gjithë shërbëtorët e shtetit.

Për Martinin, si miku i tij i afërt, ai ishte vetëm një i vdekur që i mungonte tmerrësisht; një mbrojtës i së drejtës i vrarë nga plumbat e krimit. Tani ishte thjesht një numër, një i tradhtuar dhe i lënë vetëm nga shteti dhe drejtësia hileqare, ku bënte pjesë edhe vetë.

Busti i dukej një skulpturë e trishtuar. Ishte siluetë pa gojë që vetëm vështronte ngultas hijet që hynin e dilnin prej aty. Një bust që heshte, i vendosur për të mos ua thënë kurrë të vërtetën e tij studentëve.

Do i demoralizonte ende pa e nisur karrierën. Ndodhte jo rrallë që netëve të vona, Martin Guri shkonte të digjte një cigare tek ajo skulpturë e ftohtë. Sikur donte ta ngrohte me xixëllimën e rrethit të zjarrtë, që kallte duhanin për të krijuar tymin mbytës që ai e thithte tërë etje. Cigarja u shpik që njeriu të mos çmendej, i vinte ta bërtiste me sa zë kishte.

Pastaj, po në ato mori shtëllungash duhani, improvizonte rolin e vet sikur fliste me statujën. U ruhej syve të natës që të mos e quanin të rrjedhur, por aty ai rigjente forca që të mos tërhiqej. I kujtohej gjithmonë kur me të qeshur i ishte drejtuar me thënien e një polici amerikan: “Polici çdo ditë, kur rruhet në mëngjes para pasqyrës, e përshëndet veten sikur po e sheh për herë të fundit.”

Ato momente para bustit, Arturi sikur i thoshte: “Ke fatin të jetosh. Mos e shko jetën kot. Bëj me përkushtim atë që di ta bësh më mirë. Bëj atë që do të bëja dhe unë .”

ObserverKult

————————————–

Kliko edhe:

TREGIM NGA ALBERTO MORAVIA: FATI I IRENËS

Tregim nga Alberto Moravia

Përktheu: Anton Çetta

Në Romë thonë që nji vajzë ta vret hundën kur duen të thonë që asht sikurse mishi jo aq i freskët, kur ka nji erë të dyshimtë.


Ta vret hundën: don të thotë që shikon në rend të parë interesin e vet në mënyrë që të mos kuptohet, dhe madje për interes asht në gjendje me lanë mënj’anë çdo skrupull.

Për Irenën, bie fjala, luleshitsen e cila gjithë ditën e kalonte në mes të drandofilleve dhe të zambakëve në dyqanin e saj që ndodhej në Monti Parioli, kush do të kishte mendue se mu ajo ta vriste hundën?

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult