Fragment nga “Nata e Ustikës” e Petro Markos, udhëtimi i të burgosurve me anije…

Petro Marko

Petro Marko lindi në fshatin Dhërmi të Himarës më 1913. U shkollua në vendlindje dhe në Vlorë. Pak kohë studioi në Athinë. Që kur ishte nxënës i shkollës tregtare në Vlorë (të cilën e kreu në vitin 1932, filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra).

Petro Marko ka një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqiptare. Deri në vitin 1936 ai punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23-vjeçare u nis vullnetar në Luftën e Spanjës.

Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do të burgoset nga italianët, që aso kohe e kishin pushtuar Shqipërinë, dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos.  

Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”.  

Në vazhdim mund ta lexoni një fragment të shkëputur pikërisht nga romani “Nata e Ustikës”.

PËR NË KAMPIN E USTIKËS:

Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.

U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.

-Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.

Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.

Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen…

– Zoti e di se ku jemi!

– Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa…

Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë.

Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.

Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam.

Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen.

– Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh.

Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.

Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.

Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja…

Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha.

Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.

Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.

Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?

Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:

– Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi…

Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.

Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.

Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.

Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.

Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.

– Spie! Spie!

– (It.: Spiunë! Spiunë!)

– A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.

– (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).

– Traditori! Spie di un cane!

– (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)

Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit…

Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.

Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.

Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.

– Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!

U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?

– Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.

Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:

– Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.

Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,

alla riscossa

bandiera rossa

triomfera…

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë…

Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.

Ne tundeshim në erë duke kënduar.

Ky fragment përshkruan udhëtimin e të burgosurve shqiptarë me anije, të cilët të hedhur atje si thasë me patate e të lidhur në pranga po i çojnë për në kampin e Ustikës. Nata është e gjatë dhe atë e bën më të gjatë gjendja tragjike e burrave të burgosur. Ajo është aq e gjatë sa ia kalon dhe vetë vdekjes, nënvizon shkrimtari.

E përgatiti. A. S.- ObserverKult

——————

Lexo edhe:

FRAGMENT NGA “HASTA LA VISTA”, TAKIMI I GORIT ME ANITËN