Nga Philip Roth
Gjatë tre viteve martesë, ne u ftuam për darkë vetëm një herë. Mund ta dalloje në sytë e Evës, gjithçka që kishte veshur Dorisi, gjithçka që thoshte dhe sesi dukej Dorisi – gjithçka ishte e neveritshme për të. Në drejtimin tim, Eva ndihej e shqetësuar; nuk i interesoja për asgjë tjetër. Isha një mësues shkolle nga Xhersi, një askush në botën e saj, por tek unë mund të ketë parë një armik të fuqishëm, ndaj ishte gjithnjë e sjellshme, edhe e dashur. Ashtu siç sillej edhe ndaj teje, jam i sigurt.
Më duhej ta admiroja kurajën e saj: një grua e brishtë, tejet nervoze, lehtësisht e turbullueshme, e cila kishte arritur aq sa kishte mundur, një grua e përbotshme – gjë që kërkonte këmbëngulje, që vazhdimisht të provonte, që vazhdimisht të përballej pas gjithçkaje që kishte kaluar, pas gjithë pengesave në karrierën e saj, që të arrinte sukses në radio, të krijonte atë shtëpi, të ndërtonte atë sallon, t’i zbaviste gjithë ata njerëz…Sigurisht, nuk ishte grua për Ajran dhe as ai për atë. Nuk kishin asgjë të përbashkët. Sidoqoftë, të lidhej me të, të merrte një burrë tjetër, të niste përsëri një jetë të re për së mbari, kjo do të thoshte diçka.
Nëse do ta lija mënjanë martesën e saj me tim vëlla, sjelljen e saj ndaj gruas sime, nëse përpiqesha ta shihja veçimin e saj nga gjithë këto gjëra – e pra, ajo ishte një gjë e vogël, energjike dhe e shkëlqyer. Ta veçoje nga gjithë këto gjëra, ajo ishte e njëjta gjë e vogël, energjike dhe e shkëlqyer, e cila kishte shkuar në Kaliforni duke ia dalë mbanë të bëhej aktore e filmit pa zë në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare.
Ajo kishte shpirt. Ti e ke parë në ato filmat pa zë. Pas gjithë asaj mirësjelljeje, ajo fshihte një shpirt të madh – guxoj të them, shpirtin çifut. Kur mund të çlodhej, ajo shfaqte anën e saj bujare, gjë që nuk ndodhte shpesh. Kur ishte e çlodhur mund ta ndjeje që brenda saj ekzistonte dëshira për të bërë gjënë e drejtë. Ajo përpiqej të bëhej e vëmendshme. Por gruaja ishte këmbëlidhur – nuk ia dilte mbanë. Sepse me të nuk mund të vendosje një lloj marrëdhënieje të pavarur dhe as ajo nuk mund të vendoste ndonjë interes të pavarur me tjetrin. Nuk mund të mbështeteshe në gjykimin e saj për një kohë të gjatë, për më tepër, kur kishte Sylfidën pranë.
Kështu, pasi ishim larguar atë natë, ajo i kishte thënë Ajras, në lidhje me Dorisin: “Unë i urrej këto gra të mrekullueshme, këto shtrojse këmbësh.” Por te Dorisi, Eva nuk pa atë gjë, por një grua çifute, të atij lloji me të cilën s’mund të pajtohej.
E dija këtë; s’ishte Ajra që më vuri në dijeni. Gjithsesi, ai ndihej tepër i rrezikuar. Vëllai im i vogël mund të më thoshte çdo gjë, t’ia thoshte gjithkujt çdo gjë – e kishte bërë që ditën që nisi të flasë – por atë ai s’mund të ma thoshte, derisa çdo gjë të merrte fund mes tyre. Por nuk ishte nevoja të ma thoshte, sepse e kuptova se ajo grua kishte mbetur e ngërthyer në personazhin e saj. Antisemitizmi ishte vetëm një pjesë e rolit që po interpretonte, një pjesë instinktive të asaj që dëshironte të interpretonte. Fillimisht mendova, duhej të kishte qenë një gjë e parëndësishme. Më shumë një pakujdesi, sesa një keqdashje. Si të gjithë gjërat e tjera që bënte. Ajo s’po e vinte re, atë që po i ndodhte.
Ju jeni një amerikan, që s’doni të keni ata prindër? Mirë. Ju nuk doni që të shoqëroheni me çifutë? Bukuri. Ju s’doni që dikush ta marrë vesh që jeni lindur çifute, ju doni ta fshihni të kaluarën tuaj në botë? Ju doni ta shuani problemin e të hiqeni sikur jeni dikush tjetër? Bukuri. Ju keni ardhur në vendin e duhur. Por nuk duhet t’i urreni çifutët, vetëm për përfitime. S’duhet ta pastroni rrugën tuaj duke grushtuar dikë tjetër në fytyrë. Kënaqësitë pa vlerë nga urrejtja kundrejt çifutëve nukjanë të nevojshme. Ti je bindëse si gentile pa ato.
Mendoj se një regjisor i mirë rreth interpretimit të saj i ka thënë se antisemitizmi e ngarkuar rolin, pasi bëhet fjalë për një deformim, i cili s’është më i vogël sesa deformimi që përpiqet ta shuajë. Ai me siguri i ka thënë: ‘Ju jeni një yll kinemaje – nuk ju duhet antisemitizmi si pjesë e fjalorit tuaj të mprehtë.’ ‘Sapo ta bëni këtë, do ta praroni zambakun, por s’do të jeni fare bindëse, do ta kaloni majën, por do të mashtronit tepër. Logjikisht, interpretimi është tepër i plotësuar, tepër mbytës. Ju po i dorëzoheni një logjike, e cila nuk ekziston në një jetë reale si kjo. Braktise, nuk ke nevojë për të, çdo gjë do të shkoje më mirë pa atë’.
Ekzistonte aristokracia e artit mbi të gjitha, nëse ishte kjo që kërkonte: aristokracia e interpretuesit, së cilës natyrisht Eva mund t’i përkiste. Ajo jo vetem i pranonte ata që nuk ushqenin ndjenja antisemite, por mund të pranonte edhe ndonjë që ishte çifut.
Por gabimi i Evës ishte Penningtoni, pranimi i tij si model.
Ajo shkoi në Kaliforni, ndryshoi emrin, u bë e suksesshme, luajti në kinema e më pas, nën nxitjen dhe presionin e studios, me ndihmën e saj, ajo e la Muellerin dhe u martua me atë yll të pasur të filmit pa zë, lojtar poloje, aristokrat i vërtetë, i klasës së lartë, kështu mori prej tij idenë e saj të Gentiles. Ai ishte regjisori i saj. Pikërisht aty Eva bëri gabimin më të madh. Të marrësh si modelin tënd, për mentorin tënd gentile-n, një të huaj, kjo garanton se imitimi s’do të funksionojë.
Sepse Penningtoni ishte jo vetëm një aristokrat, por edhe homoseksual. Ishte gjithashtu edhe antisemit. Dhe ajo iu përshtat qëndrimit të tij. Gjithçka që ajo u përpoq të bënte, ishte të largohej nga vendi ku filloi, dhe ky s’ishte krim. Ta sfidosh Amerikën pa trazimet e së shkuarës – është zgjedhja jote. Madje nuk është krim ta sjellesh një antisemit pranë vetes. Edhe kjo është zgjedhja jote. Krim është të jesh i paaftë të kundërvihesh, i paaftë të mbrohesh kundra sulmit,t’ i marrësh sjelljet e tjetrit për të tuat. Në Amerikë, nga sa kuptoj, mund t’i lejosh vetes çdo liri, veç asaj.
*Pjesë e shkëputur nga romani ‘Martesë me një komunist ‘ të autorit Philip Roth, botuar nga Skanderbeg Books, Tiranë, 2017
Përktheu nga origjinali anglisht: Shpëtim Myshketa
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
PHILIP ROTH: “UNË SHES LIBRA SI TIGANË, ATYRE U NDALOHET TË BOTOJNË”