Fragment nga romani “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” i Ridvan Dibrës

ridvan dibra

Nga Ridvan Dibra

Ajo ditë erdhi. Ishte java e parë e janarit, kur mora një rrotull prej letre, domethënë një ftesë krejt të veçantë: qe më e madhe se herët e tjera dhe e lidhur jo më një, por me katër fjongo të mëndafshta: njëra në krye, dy në mes dhe e katërta në fund; prej saj shpërndahej një erë e mirë, si ajo që u vinte motrës e Norës, kur bëheshin gati të dilnin nëpër Egobokë. E mbajta gjatë nëpër duar rrotullën prej letre.

Druhesha ta hapja, thua se brenda saj nuk ishin ndryrë fjalë e shkronja të zakonshme, por ndoca akrepë të zinj e të mëdhenj. Derisa erdhi një çast kur kureshtja triumfoi mbi drojën time.

Me duart që më dridheshin lehtë zgjidha me radhë katër fjongot e mëndafshta. Akrepët e zinj u kapërthyen për pak kohë njëri me tjetrin, mandej ranë në prehje. E lexova edhe një herë tjetër përmbajtjen e ftesës, duke mos i zënë besë leximit të parë. Mandej edhe një herë tjetër. Edhe një herë… Derisa e mësova përmendësh. Ftohesha të merrja pjesë në përvjetorin e 40-të të ditëlindjes sime. Diku në cep të ftesës ishte vënë edhe programi i festës: parashikoheshin lloj-lloj lodrash e argëtimesh, edhe më të mëdha e më të larmishme se ato të Ditës së Flamurit. Në anën e majtë të ftesës ishte shkruar me gërma ngjyrë ari:

“Pjesëmarrja juaj na nderon”, kurse në anën e djathtë, me gërma në ngjyrë të zezë, lexoheshin vetëm tri fjalë:

“Bojkoti është absurd”, kuptimin e të cilave s’e mora vesh, ngase duhej të ishin të huaja, domethënë të krahinës fqinje. Thirra motrën  dhe i thashë të m’i kthente në gjuhën e Egobokës. (Motra e kishte mësur shumë mirë gjuhën e krahinës fqinje, ngase shpresonte në një martesë të mundshme atje).

“Nuk mund ta kthej fjalë për fjalë”, tha motra. “Gjuha e krahinës fqinje është më e pasur se gjuha e Egobokës. Ajo ka shumë fjalë që ne s’i kemi”.

“Ta kam dhjerë krahinën fqinje!”, ulërita unë: nuk më vinte mirë kur të tjerët e shanin Egobokën, edhe pse vetë kisha qenë i pari që ia pata kthyer shpinën. “Ta kam dhjerë me gjithë gjuhën dhe djemtë e saj! Egoboka e ka gjithçka më të mirë ! Edhe gjuhën! Edhe djemtë!”

“E mjera unë!”, tha motra dhe , si më pa e tronditur, ia plasi vajit. Unë e afrova pranë vetes, e pajtova dhe i kërkova ndjesë:

“Më fal, motër! Jo fjalë për fjalë. Vetëm kuptimin”. Motra fërkoi sytë e përlotur me shpinën e njëres dorë dhe, si i lexoi prapë gërmat e zeza, tha:
“Mosmarrja pjesë është e pakuptimtë. Ky është kuptimi i shkronjave të zeza”.
“Edhe njëherë?”

“Mosmarrja pjesë është e pakuptimtë”.
“Vetëm katër fjalë?”
“Po, katër”.
“Kurse në gjuhën e krahinës fqinje ishin tri?”
“Po, tri”.
“Vetëm një fjalë më shumë në gjuhën tonë?”
“Po, një”.
“Jo keq?”
“Mund ta themi edhe ne me tri fjalë”.
“Hë?…”
“Mospjesëmarrja është e pakuptimtë”.
“Të lumtë, motër!”
“Nuk mund ta harroj Egobokën kaq lehtë, Gjergj”.
“Po ditëlindjen time e harruat, motër. Edhe ti. Edhe Nora”.
“Atë e harrove edhe ti, Gjergj”.
Nuk fola. Motra kishte të drejtë.
Jam prap vetëm. Me ftesën nëpër duar. Nata e ka mbështjellë Egobokën time si rrjetë merimange. Përtej frëngjisë shoh një hënë të vockël e të zbehtë, që duket sikur tretet vazhdimisht.

I pështjelluar mendimesh e ndjesishë, lëvizë gjithandej nëpër odat e Kullës sime, duke folur pa pushim me veten; herë pa zë, herë me zë të ulët. Domethënë mbas një jave paskëm ditëlindjen, u bëkam rrumbullakl 40 vjeç. Si ishte kujtuar Balozi për një datë të tillë, kur edhe unë vetë e kisha harruar? Duhej t’ia kishte kujtuar miku im i dikurshëm.

Me siguri! Ja pse duhen armiqtë, i them vetes. Jo vetëm që ta kujtojnë se  vazhdon të jesh gjallë, por edhe se kur e ku ke lindur. E dinë jetën tënde më mirë se të vetën. Aq sa vjen një ditë kur ata veçse kujtojnë që po jetojnë jetën e tyre, sepse në të vërtetë, jetojnë jetën tënde. Ose thënë ndryshe, jetojnë dy jetë, edhe tyren, edhe tënden, porse asnjëren tamam.

Duke harruar jetën e tyre, të kujtojnë ty edhe gjëra të tilla që ti, me ose pa dashjen tënde kërkon t’i harrosh. Macja e zezë e Kullës, me të cilën luante djali, erdhi e u ndal para këmbëve të mia.

“Pis, shtrigë!”, e shava dhe e godita me shqelm. Motra me Norën ishin mbyllur në njërën prej odave të Kullës dhe nuk guxonin të më dilnin përpara. Me siguri që po e vuanin  peshën e fajit: asnjëra prej tyre nuk qe kujtuar për ditëlindjen time, aq më shumë kur fjala ishte për përvjetorin e 40-të. Motrës edhe ia falja harresën. Norës jo.

Urrejtja, domethënë miku im i dikurshëm, ishte kujtuar; kurse dashuria, domethënë Nora, kishte harruar. Ndërsa Balozi vazhdonte ta luante lojën e tij djallëzore: përvjetori i 40-të i ditëlindjes sime kishte qenë për të një rast i mrekullueshëm, si i rënë prej qiellit. Kush është ai kokëkrisur, që guxon ta “bojkotojë” ditëlindjen e vet?

Nëse po, të gjithë kishin për ta quajtur të çmendur dhe kishin për t’ia vënë vizën përgjithmonë.

Balozi, me ndihmën e mikut tim të dikurshëm, kishte marrë shenjë për bukuri. Tashti pritej vetëm goditja. Dhe ajo nuk do të vononte shumë: pas një jave unë do të isha viktima. Më mbuluan djersë të ftohta dhe gati u rrëzova.

Njëherë desha të thërras për ndihmë motrën apo Norën, por ndërrova mendje: nuk e meritonin; me mundim, duke u mbajtur pas mureve të lagësht të Kullës, arrita vetë deri te oda e gjumit. Ashtu siç isha, me gjithë rroba dhe pa ngrënë darkë, u rrasa në dyshek. As që shpresoja të vija gjymë në sy.

(Shkëputur nga romani  “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” i autorit Ridvan Dibra, botuar nga “Buzuku”)

Përgatiti: ObserverKult


ridvan dibra

Lexo edhe:

RIDVAN DIBRA: IDIOT! DUHEJ TË KISHE SHKRUAR MË PAK DHE TË KISHE JETUAR MË SHUMË

Flasim përhanshëm me shkrimtarin Ridvan Dibra.

Nga: Xhemazije Rizvani

Ç’lloje intervistash ju bezdisin më shumë?

Të gjitha. Edhe kjo e juaja.

Një shkrimtar në Shkodër ngjan me çka?

Me shumëçka, përveçse me një shkrimtar shkodran.

Personazh i cilit libër jeni?

I të gjithë librave të mi, pa asnjë përjashtim.

Irenë B. mendoni se do t’ju falënderonte dhe pranonte për demiurg?

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult