Nga Amos Oz
Dhe ngaqë ditët e netët ishin bosh e s’kishte ç’të bënte, Joelit iu bë zakon të shihte televizor thuajse çdo mbrëmje deri në mesnatë, kur mbaronin programet.
Në përgjithësi e ëma ulej përballë tij në një karrige, duke qëndisur ose duke bërë triko, me sytë e vegjël gri dhe buzët e holla të mbledhura që e bënin të dukej e vështirë dhe e zemëruar.
Ai, me pantallonat e shkurtra veshur, shtriqej në dhomën e ndenjjes duke i mbajtur këmbët e zbathura lart e duke e mbështetur kokën në një mal me jastëkë.
Ndonjëherë me ta bashkohej edhe Avigeili, megjithëse respektonte periudhën e zisë, për të parë edicionin e lajmeve, me atë fytyrë me tipare të forta sllave që i rrezatonte një natyrë të gjallë e të dashamirëse.
Dy plakat nxirrnin pije të ftohta e të ngrohta, si dhe një tas të madh të mbushur plot e përplot me rrush, dardha, kumbulla dhe mollë në tavolinën e ulët në dhomën e ndenjjes. Ishte fundi i verës. Kur vinte mbrëmja, Joeli mbushte dy a tre gota për vete me konjak të importuar, dhuratë nga Padroni.
Ndonjëherë Neta dilte nga dhoma e saj dhe qëndronte në këmbë për një apo dy minuta te pragu i derës së dhomës së ndenjjes para se të largohej.
Por, po të ishte ndonjë program për natyrën apo ndonjë dramë angleze, ajo hera-herës vendoste të hynte. Dhe të ulej, duke e mbështetur kokën e saj thatanike lart në një lloj zgjatjeje jo të zakontë, jo në kolltuk, por në një nga ato karriget e errëta të ngrënies me shpinore të lartë.
Ulej aty si e ngrirë e qëndronte deri në fund të transmetimit, larg nga të tjerët. Ndonjëherë dukej sikur shikimi i saj fiksohej në tavan e jo në ekran. Por kjo vinte thjesht nga përkulja e çuditshme e e qafës. Përgjithësisht vishte një fustan të thjeshtë me kopsa të mëdha përpara, që i nxirrte në pah trupin thatim, gjoksin e rrafshët dhe supet e brishtë.
Ndonjëherë Joelit i dukej sikur ishte po aq e plakur sa dy gjyshet e saj, në mos më shumë. Fliste pak: “E kanë dhënë një herë ,vjet, këtë.”, “Do t’ia ulësh pak zërin, na shurdhoi !” . Apo ”Ka ca akullore në frigorifer”.
Kur subjekti fillonte e arrinte kulmin, Neta mund të thoshte “Arkëtari është vrasësi .” Apo “Ai ka për t’u kthyer tek ajo në fund”. Futja kot! E nga e di ajo që ai e ditka?” Në verë u dhanë shumë filma me banda kriminale, me spiunazh dhe shfrytëzime të shërbimeve sekrete. Joelin zakonisht e zinte gjumi aty në gjysmë të filmit e zgjohej vetëm për lajmet e mesnatës, ndërkohë që dy plakat kishin shkuar pa bërë zhurmë në dhomat e tyre.
Ai nuk kishte treguar kurrë ndonjë interes për ato filma; nuk kishte kohë për to. I dukej e pakuptimtë të lexonte romane me spiunë apo histori krimi. Kur e gjithë zyra fliste rreth ndonjë libri të ri të Le Carré dhe kolegët e detyronin t’u premtonte se do ta lexonte, edhe mund të denjonte ta provonte një herë.
Ndërlikimet e habisnin, sepse i dukeshin ose qesharake sa s’ka ose tepër të thjeshta. Pas dhjetë faqeve të para, e linte librin e s’e prekte më me dorë. Në tregimet e Çehovit apo romanet e Balzakut gjente mistere , që me aq sa dinte, nuk ekzistonin në asnjë histori të zbulimit të krimeve.
Dikur, vite më parë, i kishte lindur edhe atij ideja që të shkruantenjë histori spiunësh vetë kur të dilte në pension, duke i përshkruar gjërat siç i kishte njohur gjatë viteve të tij në shërbim. Por kishte hequr dorë dy nga ajo ide sepse nuk arrinte të gjente asgjë kaq të veçantë apo emocionuese në ato që kishte bërë.
Dy zogj mbi një gardh në një ditë me shi, një burrë plak duke folur me vete te stacioni i autobusit në rrugën e Gazës, këto dhe ndodhi të tjera i dukeshin më tërheqëse se çdo gjë që i kishte ndodhur atij vetë në punë. Në fakt , ai e shihte veten si si një lloj vlerësuesi apo blerësi mallrash abstrakte.
Ai shkonte jashtë shtetit për të takuar një të panjohur në ndonjë kafene në Paris, për shembull , apo Montreal apo Glazgou, bënte një apo dy biseda me të e pastaj dilte në një përfundim.
Gjërat e rëndësishme ishin ndjeshmëria ndaj përshtypjeve, gjykimi intuitiv, vlerësimi i karakterit , si edhe aftësitë e të bërit kompromis me durim. Nuk i kishte ndodhur ndonjëherë që të kacavirrej nëpër mure apo të hidhej nga një çati në tjetrën.
Ai e shihte veten si tregëtar të konsoliduar me shumë vite përvojë në bërje pazaresh , arritje marrëveshjesh, krijimin e besimit reciprok , dhënien e garancive dhe sigurive, por mbi të gjitha në formimin e një përshtypjeje të saktë rreth njerëzve me të cilët fliste.
E në të vërtetë, marrëveshjet e tij bëheshin gjithmonë me një fshehtësi të caktuar , por Joeli mendonte se kështu ndodhte edhe në botën e biznesit dhe se po të kishte ndonjë dallim mes tyre, ai qëndronte thjesht te konteksti apo sfondi.
Ai kurrë nuk ishte futur me forcë në ndonjë shtëpi, kurrë nuk kishte ndjekur njeri këmba-këmbës nëpër rrugica, as nuk kishte matur forcat me ndonjë nga ata të fortët apo të kishte instaluar gjëkundi paisje përgjimi.
Kishte të tjerë që i bënin ato punë. Detyra e tij ishte të vendoste kontaktet, të përgatiste takimet, të zhdukte frikërat e dyshimet pa ulur vigjilencën, për t’i përçuar bashkëbiseduesit një afrimitet të qetë e pa të keq, si ndonjë këshilltar optimist martesash e për të depërtuar në të njëjtën kohë me zgjuarsi e qetësi nën lëkurën e të panjohurit: Mos ishte mashtrues? Mashtrues amator? Apo me përvojë e dredharak?
Apo ndoshta thjesht një i çmendur pa rëndësi? Mos ishte një gjerman i pushtuar nga faji historik? Idealist që mendonte se mund të ndryshonte botën?
Ndonjë i dalë nga shinat, i sëmurë nga ambiciet? Një grua e zënë në grackë, gati për të ndërmarrë një akt të dëshpëruar? Një hebre i diasporës më entuziast se ç’duhet?
Apo një intelektual francez i etur për aventurë? Apo thjesht një lojë që ia ka kurdisur ndonjë kundërshtar i fshehtë që do të jetë duke qeshur nën zë tani, diku në errësirë?
Apo ndonjë arab që është hedhur në krahun tjetër nga dëshira për të marrë hak ndaj ndonjë armiku personal. Apo ndonjë shpikës i lodhur, talentin e të cilit nuk e vlerëson kush?Trashë-trashë këto ishin titujt.
Pas tyre shtrihej puna e vërtetë komplekse dhe delikate e klasifikimit.
Joeli këmbëngulte gjithmonë, pa asnjë përjashtim, që ta deshifronte personin përballë tij para se të ndërmerrte qoftë edhe një hap të vetëm.
Gjëja më e rëndësishme për të ishte të dinte se kush ishte personi që kishte ardhur t’i fliste dhe pse kishte ardhur. Cila ishte pika e dobët që bashkëbiseduesi mundohej t’i fshihte? Çfarë lloj kënaqësie apo shpërblimi i kërkonte ai? Ç’përshtypje përpiqej t’i lindte ai burrë apo jo grua? Dhe pse pikërisht atë përshtypje?
Ç’ishte ajo që e bënte atë person t’i vinte turp dhe cila saktësisht e bënte të ndihej krenar? Me kalimin e viteve, Joeli kishte krijuar bindjen se turpi dhe krenaria janë përgjithësisht më të forta se impulset e tjera të famshme që shfaqen më shpesh në letërsi. Njerëzit mezi presin t’i bëjnë për vete të tjerët, që të mbushin një boshllëk të vetin.
Një boshllëk të përhapur, që Joeli heshturazi e quante dashuri. Nuk ia kishte zbuluar këtë askujt , përveç Ivrias një herë , e cila pa shfaqur asnjë lloj habie i ishte përgjigjur “Po , kjo është një klishe e njohur .” Joeli kishte rënë menjëherë dakord me të. Ndoshta, prandaj kishte hequr dorë edhe nga ideja e të shkruarit një libër.
Dijet që kishte mbledhur gjatë viteve në punë i dukeshin vërtet të zakonshme. Njerëzit duan aksh e aksh gjë. Ata duan atë që nuk kanë dhe atë që nuk do t’u jepet kurrë. Por atë që është e arritshme, e marrin si të mirëqenë.
Po unë, kishte menduar një natë me vete, duke udhëtuar në një vagon treni pothuajse bosh midis Frankfurtit dhe Mynihut, po unë ç’kërkoj ? Ç’është kjo gjë që më çon nga një hotel në tjetrin përmes errësirës? Është detyra, i ishte përgjigjur vetes në hebraisht pothuajse me zë të lartë. Po pse unë?
E në më ardhtë papritur vdekja në këtë vagon , do të di ndonjë gjë më tepër apo gjithçka do të më fshihet fare nga kujtesa?
Do të dukej sikur kam qenë këtu për dyzet vjet apo më shumë dhe nuk kam filluar ende të kuptoj se ç’bëhet. Nëse mund të thuhet se bëhet ndonjë gjë. Ndoshta diçka bëhet. Nëse mund të thuhet se bëhet ndonjë gjë.ndoshta diçka bëhet. Hera-herës pothuajse ndihet një lloj skeme e caktuar.
Nëse mund të thuhet se bëhet ndonjë gjë. Ndoshta diçka bëhet. Hera herës pothuajse ndihet një lloj skeme e caktuar. Gjëja e trishtueshme është se s’po arrij dot ta zbuloj dhe mesa duket nuk kam për ta zbuluar kurrë.
Si mbrëmë në hotel në Frankfurt, kur petalet e printuara pa ndonjë lloj skeme në letrën e murit përballë shtratit tim sikur fshihnin një lloj forme apo hijeje, por po të lëvizje pak kokën apo ta zhvendosje vëmendjen për një sekondë ajo përshtypje shpërbëhej; duhej një sforcim tepër i madh që të zbulojë një lloj skeme, e prapëseprapë nuk mund të ndiheshe plotësisht i sigurtë nëse ishte po ajo skemë që kishe zbuluar më parë. Ndoshta kishte diçka atje, por nuk ishte askush i caktuar për ta çkoduar ; ose ndoshta ishte vetëm një iluzion.
Edhe atë nuk ke për ta ditur kurrë, sepse sytë të djegin kaq shumë, saqë po të përpiqesh me gjithë fuqinë për të parë mes dritares së vagonit, ndoshta maksimumi mund të kuptosh se po udhëton mes një pylli, megjithëse gjithçka që sheh është jo shumë më tepër sesa reflektimi i fytyrës së njohur që duket e zbehtë dhe e lodhur, e në fakt, edhe pak budallaqe.
Më e mira e të mirave është të mbyllësh sytë e të përpiqesh të marrësh ndonjë sy gjumë: ç’është për t’u bërë, do të bëhet.
Gjithë njerëzit që njihte e kishin gënjyer ndonjëherë. Përveç rastit të Bangkokut. Joeli habitej nga cilësia e gënjeshtrave; si e krijon çdo njeri gënjeshtrën e vet? Duke e lënë imagjinatën të fluturojë ? Nga neglizhenca apo i kanë gati? Me një logjikë sistematike e të llogaritur apo e kundërta, në mënyrë rastësore e pa ndonjë sistem të studiuar ?
Mënyrën se si thuret një gënjeshtër ai e shihte si një vrimë çelësi, prej nga mund të hedhësh ndonjëherë një sy brenda gënjeshtarit.
Në zyrë ai njihej si Zbuluesi me dy këmbë i Gënjeshtrave. Ndonjëherë përpiqeshin që ta gënjenin qëllimisht për ndonjë gjë të parëndësishme, si për fletën e rrogës apo për ndonjë recepsioniste të re.
Gjithmonë habiteshin kur shihnin se si funksiononte mekanizmi i brendshëm, që e bënte Joelin ta priste gënjeshtrën në heshtje, të përkulte kokën mbi krahror i mërzitur dhe në fund të thoshte mendueshëm “Po, kjo s’është e vërtetë, Rami” ose “Lëre Kokni, s’ka kuptim”. Ata përpiqeshin të bënin humor, por ai asnjëherë nuk e kishte kuptuar se ç’ka për të qeshur në një gënjeshtër.
Qoftë një gënjeshtër e pafajshme dhe e paqëllishme. Apo edhe ato rrengjet e vogla në zyrë ditën e 1 prillit. Gënjeshtrat i dukeshin si viruse të një sëmundjeje të pashërueshme që edhe mes katër mureve të një laboratori të sigurtë, duhet të trajtoheshin me një kujdes të jashtëzkaonshëm.
Të kapeshin vetëm me dorashka plastike.
Ai vetë kishte gënjyer vetëm kur nuk kishte pasur rrugë tjetër . Dhe vetëm kur të gënjyerit i ishte dukur rrugëdalja e vetme dhe e fundit, apo kur i ishte dashur të shpëtonte nga ndonjë rrezik. Në të tilla raste, gjithmonë kishte zgjedhur gënjeshtrën më të thjeshtë apo të pandërlikuar, asnjëherë më shumë se, të themi, dy shkallë më larg nga faktet.
Një herë kishte udhëtuar me një psaportë kanadeze për të zgjidhur një punë në Budapest . Kur kishte arritur, oficerja me uniformë e pasaportave e kishte pyetur se cili ishte qëllimi i vizitës dhe ai i ishte përgjigjur në frëngjisht me një buzëqeshje djallëzore: “Espionnage, madame”. Ajo kishte shpërthyer me të qeshura dhe i kishte vulosur vizën.
Hera-herës i duhej të takohej me të panjohur e dikush ta mbulonte. Engjëjt e tij mbrojtës ruanin largësinë, duke mbetur të padukshëm. Vetëm në një rast, në një natë me shi në Athinë u detyrua të nxirrte armën. Megjithatë , pa e shkelur këmbëzën. Vetëm sa për të trembur një idiot që u përpoq t’i nxirrte thikën në një stacion autobusi të mbushur plot me njerëz.
Jo se Joeli i qëndronte parimit të mospërdorimit të dhunës. Opinioni i tij i njohur ishte se kishte vetëm një gjë më keq se përdorimi i dhunës, dhe kjo ishte nënshtrimi ndaj dhunës. E kishte dëgjuar këtë nocion dikur në rininë e tij nga Kryeminsitri Eshkol, dhe qysh atëherë e kishte futur në zemër.
Ishte treguar i kujdesshëm gjithë këta vjet që të mos hynte në situata të dhunshme, pasi pat arritur në përfundimin që agjenti që përdor armën ka dështuar në detyrë. Për mendimin e tij, ndjekjet , gjuajtjet me armë ngarja pa kujdes e makinës i përkisnin gangsterëve dhe llojit të tyre, por në asnjë mënyrë punës së tij.
Për të thelbi i punës së tij ishte të siguronte informacione të nevojshme me një çmim të arsyeshëm financiare apo të ndonjë natyre tjetër. Ndonjëherë kishte mosmarrëveshje e madje edhe përplasje midis Joelit dhe eprorëve të tj, kur këta të fundit përpiqeshin t’i bënin bisht pagimit të çmimit që Joeli kishte premtuar. Në kësi rastesh, gjërat shkonin aq larg sa ai i kërcënonte se do të jepte dorëheqjen .
Kjo kokëfortësi e kishte bërë të fitonte një reputacion si njeri eksentrik: “Mos ke luajtur mendsh? Ne s’ka për të na u dashur kurrë ai pis e ai tashmë s’a ç’ka çi bën njeriu përveç vetes së vet, kështu që pse duhet t’i japim gjithë ato para?”.
“Sepse unë i dhashë fjalën ,” përgjigjej Joeli, me fytyrë të ngrysur, “dhe isha i autorizuar ta bëja”.
Sipas një llogaritjeje që kishte bërë me mend dikur, ai kishte shpenzuar afërsisht nëntëdhjetë e pesë për qind të të gjitha orëve të jetës së tij prpfesionale, që po të mblidheshin shkonin në njëzetë e tre vite gjithsej, në aeroporte, avione, trena dhe stacione hekurudhore , taksi, pritje, dhoma hotelesh, sallone hotelesh, kazino , qoshe rrugësh , restorante , kinema të errëta, kafene, klube bigjozi, biblioteka publike dhe në zyra postare.
Përveç hebraishtes , ai fliste frëngjisht, anglisht, pak rumanisht dhe jidish. Po të zihej ngushtë, dilte mbanë edhe në gjermanisht e arabisht. Pothuajse gjithmonë vishte një kostum klasik gri . I ishte bërë zakon të udhëtonte në gjithë botën me një valixhe të lehtë e një çantë ku kurrë nuk mbante më shumë se një pastë dhëmbësh , një lidhëse këpucësh dhe një copëz letre të prodhuar në Izrael. Gjithashtu i qe bërë zakon të kalonte ditë të tëra i vetëm me mendimet e tij. Kishte mësuar ta mbante trupin në formë nëpërmjet disa ushtrimeve të lehta që i bënte në mëngjes , të ngrënit të kujdesshëm me orar dhe ca dozave sistematike mineralesh e vitaminash.
Faturat vetë i shkatërronte , por mbante mend çdo qindarkë që shpenzonte nga paratë e zyrës. Shumë rrallë, jo më shumë se njëzet herë ghatë gjithë viteve të shërbimit , i kishte ndodhur që ta kapte dëshira për një femër në atë masë sa të rrezikonte fuqitë e tij të përqendrimit e merte një vendim gjakftohtë që të shpinte në shtrat ndonjë grua të panjohur ose pothuajse të panjohur. Sikur të ishte duke bërë një vizitë urgjente tek dentisti.
Por vazhdimisht e frenonte veten nga çdo përfshirje emocionale. Edhe kur rrethanat i kërkonin që duhet të udhëtonte disa ditë me ndonjë partnere të re operative nga zyra e madje të regjistrohej në hotel me të si burrë e grua. Ivria Lublin kishte qenë dashuria e tij e vetme.
Edhe kur dashuria kishte shkuar dhe ia kishte lënë vendin me kalimin e viteve keqardhjes reciproke miqësisë, dhimbjes , shpërthimeve të lulëzimeve sensuale, hidhërimit, zhelozisë dhe zemërimit, e përsëri verërave indiane që ndiznin shkëndijat e braktisjes seksuale, pastaj përsëri hakmarrjes , urrejtjes dhe dhembshurisë, një ind emocionesh të ndërthurura , të ndryshueshme , I zhytur në përzierje të çuditshme dhe kombinime të papritura si kokteilet e përgatitura nga ndonjë banakier i çmendur. Sado të përziera, në to nuk kishte asnjëherë mungesë indiference.
Përkundrazi, me kalimin e viteve, ai dhe Ivria ishin bërë gjithmonë e më shumë më të varur nga njëri- tjetri. Madje edhe në zënkat e tyre. Edhe në ditët e përbuzjes , poshtërimit dhe zemërimit.
Disa vite më parë, gjatë një fluturimi natën për në Kejptaun, Joeli kishte lexuar një artikull të njohur në gazetën javore rreth lidhjeve telepatike gjenetike midis binjakëve identikë. Njëri nga binjakët merr tjetrin në telefon në orën tre të mengjesit, duke e ditur se asnjërin nuk e zë dot gjumi. Njëri prej tyre e shtrembëron fytyrën nga dhimbja, kur tjetri digjet, edhe kur janë në dy shtete të ndryshme.
Pothuajse e njëjta gjë ndodhte edhe me të dhe Ivrian. Dhe kështu i interprtonte ai edhe fjalët e Librit të Zanafillës “Dhe burri e njihte gruan e vet”. Lidhja mes tyre qëndronte tek njohja. Vetëm kur mes tyre erdhi Neta me atë gjendjen e saj, me të veçantat e saj, ose ndoshta –Joeli e luftonte dyshimin që kishte me gjithë fuqinë e vet-me ato skemat e saj.
Madje edhe vendimin për të fjetur veç e veç kur ai ishte në shtëpi e kishin marrë të dy së bashku, me mirëkuptim e respekt për njëri-tjetrin. Me lëshime reciproke.
Nga një lloj keqardhjeje e fshehtë. Ndonjëherë qëllonte të takoheshin në tre ose katër të mëngjesit tek shtrati i Netës, pasi dilnin secili nga dhoma e vet pothuajse pikërisht në të njëjtën orë për të parë se si po flinte e bija. Duke pëshpëritur, gjithmonë në anglisht, pyesnin njëri—tjetrin: Te dhoma jote apo imja?
Dikur, i kishin ngarkuar si detyrë të takohej me një filipinase, një ish –studente të Universitetit Amerikan të Bejrutit . Ajo ishte ish-gruaja e një terroristi famëkeq, i cili qe përgjegjës për shumë vrasje . Ajo e kishte bërë kontaktin e parë me zyrën me iniciativën e saj, nëpërmjet një dredhie të paparë. Joeli, të cilin e kishin nisur për ta takuar , i kishte bluar në mendje qysh para takimit detajete asaj dredhie , e cila kishte qenë e djallëzuar dhe e guximshme, por e menduar mirë dhe aspak impulsive. E përgatiti veten për t’u takuar me një njeri inteligjent.
Gjithmonë kishte preferuar të punonte me partnerë me logjikë e të përgatitur , megjithëse e dinte se shumicës së kolegëve të tij u pëlqente që pala tjetër të hutohej e të ngatërrohej me këmbët e veta.
U takuan nëpërmjet disa shenjave që kishin vendosur që më përpara, në një tempull të famshëm budist që gëlonte ga turistët. U ulën në krah të njëri-tjetrit në një stol guri të gdhendur, ku mbi kokë u rrinin ca përbindësha të gdhendur po prej guri. Ajo hoqi kapelen e saj prej kashte dhe e vuri në stol mes tyre si për të përcaktuar kufirin. Dhe filloi ta pyesë për fëmijët, a kishte a s’kishte, dhe se çfarë marrëdhëniesh kishte me ta.
Joeli , i gjendur papërgatitur, mendoi për një moment dhe vendosi t’i jepte përgjigjen e vërtetë. Megjithëse nuk u fut shumë në detaje. Ajo e pyeti gjithashtu edhe se ku kishte lindur dhe ai hezitoi pak para se t’i përgjigjej: në Rumani. Menjëherë pas kësaj, pa hyrje të tjera, ajo filloi t’i thoshte pikërisht ato që ai donte të dëgjonte.
Gruaja fliste qartë, si të ishte duke pikturuar me fjalët që thoshte, duke përshkruar vende dhe njerëz, duke e përdorur gjuhën si një penel të hollë. Megjithatë, as dha gjykime e as u nxitua të shante apo lavdëronte njeri. Pastaj i dhuroi ca fotografi të mira, për të cilat Joeli me shumë qejf do kishte qenë gati edhe ta paguante, në qoftë se ajo do t’i kishte kërkuar para.
Dhe kjo vajzë e re, aq e re sa mund të kishte qenë vajza e tij, e kishte lënë Joelin të çoroditur keq. Gati-gati e kishte ç’ekulibruar fare. Për herë të parë e të vetmen në të gjithë karrierën e tij profesionale. Vetë ato pra instiktet e tij të hollë, shqisat që nuk i kishin gabuar kurrë, papritmas kishin vdekur. Si një pajisje delikate që has në një fushë magnetike e që gjithë majat i tërbohen.
Nuk ishte çështje konfuzioni erotik: megjithëse ajo ishte mjaft simpatike dhe tërheqëse, vështirë se iu ndez dëshira.
Ndodhi ngaqë sipas tij ajo nuk i kishte thënë as edhe një gjë të vetme të paqenë. Madje as edhe ndonjë nga ato gënjeshtrat e vogla pa rëndësi që ndodnjëherë thuhen sa për të shmangur sikletin që krijon një bisedë me dikë që nuk e njeh. Madje as edhe atëherë kur Joeli me djallëzi i bëri një pyetje që të detyronte të gënjeje: A e ke tradhëtuar tët shoq ato dy vjet që ishe e martuar me të? Joeli e dinte përgjigjen e asaj pyetjeje nga dosja që kishte studiuar në shtëpi, ashtu siç e dinte mirë se ajo vajzë nuk kishte asnjë arsye të besonte se ai e kishte idenë se ç’i kishte ndodhur asaj në Qipro.
E megjithatë ajo i tha të vërtetën. Veçse kur ai u bë gati t’i bënte një tjetër pyetje të ngjashme, ajo i tha:
-Po kjo s’ka lidhje fare me këtë.-Dhe kishte të drejtë.
Në fakt, në çastin kur iu desh të pranonte se vajza e kishte kaluar me sukses provimin që ai e kishte bërë t’i nënshtrohej, u ndie në njëfarë mënyre –dhe me dhimbje e pranonte këtë-se kishte qenë ai që kishte dhënë provim. Dhe kishte dështuar. Për dyzet minuta ishte përpjekur më kot ta kapte duke shtrembëruar , zmadhuar, apo zbukuruar ndonjë gjë.
Kur mbaroi së bëri gjithë pyetjet e mundshme që i erdhën ndër mend, ajo vetë vazhdoi t’i jepte disa informacione të tjera, si të ishte duke iu përgjigjur pyetjeve që ai kishte harruar t’i bënte. Përveç kësaj, nuk kishte pranuar kurrsesi asnjë lloj shpërblimi financiar apo diçka tjetër, për informacionin që ia kishte dhënë pa kursim . Dhe kur ai shprehu habi , ajo nuk kishte prauar t’i shpjegonte motivet.
Me aq sa mund të gjykonte Joeli, ajo I kishte thënë gjtihçka dinte. Ai informacion ishte shumë i vlefshëm. Më në fund, ajo i tha thjeshtë se i kishte dhënë gjithçka dhe se nuk do të kishte kurrë ndonjë informacion tjetër, sepse i kishte ndërprerë lidhjet me ata njerëz dhe se nuk do të kishte të bënte kurrë më me ta, për asnjë lloj çmimi. Dhe tashmë donte të ndërpriste çdo lloj kontakti me Joelin dhe ata që e kishin dërguar atë. Ko ishte kërkesa e saj e vetme: që ata të mos e kontaktonin kurrë më .
Me të thënë këtë, u çua dhe u largua pa i dhënë mundësi Joelit as ta falenderonte . I ktheu kurrizin dhe duke ecur majë takave të larta bëri për nga kopshti tropikal i parkut ngjitur me tempullin. Një aziatike epshore e magjepsëse veshur me një fustan veror të bardhë e një shall blu rreth qafës delikate. Joeli e ndoqi me sy nga pas. Dhe papritur tha “Gruaja ime”.
Jo se kishte ndonjë ngjashmëri mes tyre. Aspak. Por në njëfarë mënyre që Joeli nuk e deshifronte dot, madje edhe pas disa javësh e muajsh përpjekjesh, ai takim i shkurtër i kishte bërë të qartë, me qartësinë transparente të një ëndrre , se sa thelbësore ishte e shoqja, Ivria , në jetën e tij. Pavarësisht nga vuajtjet apo qoftë edhe për shkak të vuajtjeve.
Pastaj, si e kishte mbledhur veten, ishte kthyer në hotel, ku ishte ulur në dhomën e tij për të shkruar gjithçka që kishte dëgjuar nga ajo vajzë në tempull, sa e kishte ende të freskët në kujtesë. Por ajo freski nuk u zbeh.
Ndonjëherë i kujtohej krejt papritur dhe zemra i sëmbonte : pse nuk i kishte kërkuar pikërisht atëherë që të shkonin menjëherë në dhomën e tij e të bënin dashuri? Pse nuk kishte rënë në dashuri me të aty për aty e të linte gjithçka për të ikur me të përgjithmonë? Por, ai çast kishte kaluar dhe tashmë ishte tepër vonë.
(Shkëputur nga libri “ Të njohësh një grua” nga autori Amos Oz)
Përktheu: Etleva Kondakçiu-Pushi
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA TAHIR DESKU: NËSE MË GJENI TË VDEKUR NDONJË DITË…
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Tahir Desku:
Kthimi i dashurisë
Ç’më duhesh tash e marrë
Shih ndjenjat më janë topitur
Stinën e trëndafiltë e harrove, si munde
Kur erë frynte e shi rigonte
Mbi kokat tona rritej fati
Dhe drurin që gdhendur e patëm me durim
E mori zjarri e mori
Bukur e dhembshëm qajtëm e heshtëm
Ligjet e jetës pa i ditur
Unë njeri i shqetësimeve
Mbeta. Sot e atë ditë.
Larg qiellit. Larg deteve, harrimit.
Për dashurinë s’më kujtohet ç’thashë
Vetëm të padukshmet i dua
Më shumë se dashurinë e pathënë
Kur nga gjiri i harrimit kthen
Vërtet jam bërë harrestar i madh
Asgjë nuk përfill si dikur.
Ylli më i bukur nuk shihet
Në këtë varr të dorëshkrimeve të mia
Bota shpjegohet ndryshe nga bibla
Në mesin e yjeve
Ylli më i bukur nuk shihet
Jeta ime
Oh jeta ime vuan nga të padukshmet
Nga lagështia
Në pragun e shtëpisë nuk mund të hyjnë pranverat
As zogjtë e vendlindjes
Zogjtë e fëmijërisë
Oborri im udhëkryq i madh
Shtëpia ime e shurdhër
Dorëshkrimet e mia
Varri im në lartësi
Qielli nuk ishte ai
Bredhja rrugëve të botës ditë e natë
Thoshin nuk është kohë bredhjesh
Gjezdisja si i marrë i përrallës
Po kurrë s’e humba kopenë
Për ta gjetur mbretërinë e shenjtë
Atëbotë rrugëve vetëm balta kishte mbetur
Qielli nuk ishte ai i vendlindjes
Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:
ObserverKult