Franca ia dhuron Ismail Kadaresë titullin, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”

ismail kadare
Ismail Kadare

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare është vlerësuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron me titullin më të lartë shtetëror, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro e cila e shprehet se ky lajm i mirë nga kultura do të thotë një vit i mbarë.

“Ismail Kadare, Oficer i Madh i Legjionit te Nderit! Ka vetëm 250 të tillë sot në Francë. Nuk mund të fillonte më mire ky vit 2020”, tha Kumbaro.

“Me dekret të posaçëm të Presidentit të Francës Emmanuel Macron, shkrimtari ynë, pasi fitoi titullin prestigjioz “Komandant i Legjionit te Nderit” në vitin 2016, shpallet sot “Grand Officier de la Legion d’Honneur”. Faleminderit Ismail. Merci la France”, shprehet Kumbaro.

Gazeta franceze “Le Monde” shkruan se me këtë titull janë vlerësuar po ashtu sociologu, Claudine Herzlich, egjiptologu Christiane Ziegler, dhe shkrimtarja franko-bullgare, Julia Kristeva.

Themeluar nga Napoleon Bonaparte në vitin 1802, Legjioni i Nderit është titulli më i lartë francez dhe ka 92,000 anëtarë, të shpërblyer për meritat e tyre të shquara në shërbim të kombit.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas dhënies së titullit të lartë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Kreu i Shtetit ka dhënë një urim jo vetëm për shqiptarët në ditën e parë të këtij viti.

“Vlerësimi i lartë i shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, uroj të jetë një fillim i mbarë në këtë ditë të parë të 2020 për afirmimin e merituar europian të popullit tonë!”, shkruan Meta./ ObserverKult