Franco Battiato: La Cura, Përkujdesja (teksti në shqip dhe kënga)

Përktheu: Aida Baro

Do të t’mbroj nga frikërat e sëmundjeve
nga trazimet që nga sot do hasësh në jetë
nga padrejtësitë e mashtrimet e kohës sate
nga dështimet që natyra jote i tërheq si magnet.

Do të t’lehtësoj nga dhembjet e luhatjet e humorit
nga makthet e manive të tua.
Do t’kapërcej rrymat gravitacionale,
hapësirën dhe dritën që mos të t’lë të plakesh.

Dhe do të shërohesh nga çdo sëmundje,
sepse je qenie kaq e veçantë
dhe unë, unë do të t’kujdesem për ty.

Endesha nëpër fushat e Tenesisë
si kisha mbërritur atje, s’e di.
S’ke lule të bardha për mua?
Ëndrrat e mia më t’shpejta se shqiponjat
përshkojnë detin.

Mbi të gjitha do t’sjell qetësinë dhe durimin
bashkë do t’përshkojmë udhët që shpien drejt thelbit.
Kundërmimet e dashurisë do t’dehin trupat tanë
bunaca e gushtit s’do t’i platitë shqisat tona.

Do t’i thur flokët e tu si vargjet e një kënge,
i njoh ligjet e botës dhe ty do të t’i fal
Do t’kapërcej rrymat gravitacionale,
hapësirën dhe dritën që mos të t’lë të plakesh.

Do të t’shpëtoj nga çdo melankoli
sepse je qenie kaq e veçantë
dhe unë, unë do t’kujdesem për ty.
Po, unë, do t’kujdesem për ty.