Frank O’Hara: Dita kur zonja vdiq

Poezi nga Frank O’Hara

Është 12:20 në Nju-Jork e premte
tri ditë pas festës së Rënies së Bastiles dhe natyrisht
është viti 1959 e unë po shkoj të m’i lustrojnë këpucët
ngaqë nga treni i 16:19 bash në 19:15 do të zbres
në Isthempton dhe pastaj do të shkoj drejt e në darkë
për të më ushqyer njerëzit as që i njoh

Derisa po eci rrugës me zagushi dielli fillon të shkëlqejë
marr një hamburger dhe birrë dhe e blej
revistën e shëmtuar New World Writing për të parë se çfarë po bëjnë
poetët në Ganë këtyre ditëve
Futem në bankë
dhe zonjusha Stillwagon (emri i saj është Linda, e kam dëgjuar njëherë),
për herë parë në jetën e saj, nuk e kontrollon bilancin tim
dhe në Golden Griffin blej libërthin e Verlainet
për Patsyn me vizatime të Bonnardit edhe pse mendoj në
Hesiodin, në përkthim të Richmond Latimores ose
në dramën e re të Brendan Behanit ose në Le Balcon
dhe Les Nigres të Genetit, ama nuk i blej, mbetem me Verlaine
gati më pat zënë gjumi nga mëdyshja

e për Mikeun u futa në dyqanin e pijeve
PARK LANE dhe bleva një shishe Strega pastaj
kthehem atje nga jam nisur në Avenynë e Gjashtë
dhe te duhanxhiu afër Teatrit Ziegfeld dhe
shkujdesur kërkoj një pako Gauloises dhe një pako
Picayunes, dhe NEW YORK POST me
fytyrën e saj në ballinë

e tash po djersitem goxha dhe po mendoj
të mbështetem në derën e toaletit 5 SPOT
derisa ajo pëshpërit këngën në përcjelljen
e pianos së Mal Waldronit dhe gjithë të tjerëve ndërsa mua m’u ndal fryma.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult

Frank O’Hara

Lexo edhe:

BOB DYLAN: VIZIONET E JOHANNËS