Luanët e mermertë te pusi egërsohen në mbrëmje
Dhe lulekëmbanat si për mort tringëllojnë.
Në pragjet e hijeve
Dalin perënditë e harruara ilire.
Kështu çdo natë një i vdekur vjen vërdallë
nëpër kopshte,
Me një qiri prej hëne.
Si ike kështu
Dhe më le me kufomat e ditëve të harruara?
Pastaj kyçen portat e hijeve dhe ikën Perënditë
Pastaj vjen një ditë që ka për të demonstruar
vdekjen e vet.
E kështu çdo herë, çdo herë pa ty
Me lot më mbushen këto sy…