Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
I mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur
Peshqit fluturonin drejt çerdheve te yjet.
Në vend të borës binin zogj në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, shëmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!
Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave,
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrani i djalërisë,
I mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
Dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
Të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Por, kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe ,
Se unë kam patur miqësi me çdo dru.
Në stinën kur bien gjethet
Do të bien edhe sytë e mi.
Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!
ObserverKult
Lexo edhe:
PSE POETI FREDERIK RRESHPJA KËRKONTE QË NË VEND T’ARKIVOLIT TA FUTNIN NË NJË KUTI LODRASH PËR FËMIJË
Frederik Rreshpja (1940 – 2006), ishte poet, eseist, publicist dhe botues. Më 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi, arrestohet dhe dënohet me 4 vjet.
Ridënohet disa herë dhe në fund del nga burgu në Sarandë. Nga viti 1992 shpërngulet nga Shkodra në Tiranë. Themeloi dhe menaxhoi shtypshkronjën dhe Shtëpinë botuese “Europa” dhe ishte drejtor i revistës kulturore-letrare me po të njëjtin emër.
Pas vitit 2000 jeta e tij ndryshoi rrënjësisht. Rreshpja përjetoi një varfëri të skajshme. Vdiq më 17 shkurt të 2006.
ObserverKult ju sjell një fragment nga libri i Petrit Palushit “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë” ku paraqiten kujtime tronditëse, dramatike e poetike për dy ditët e poetit Frederik Rreshpja, në Kukës, disa muaj para se ai të ndahej nga jeta:
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult