Auron Tare, historian e cilësoi Qeparoin, si “ndoshta, fshatin më të bukur që ka Shqipëria” dhe u kthye shumë pas në kohë, duke iu referuar një takimi kur në Qeparo, u mblodh “gjysma e ekonomisë evropiane”.
“Në klubin e fshatit, ishte gjysma e ekonomisë europiane. Ishte pronari i Benz Mercedes, ishte Mak Getty i famshëm i naftës, ishte Johnny Pigozzi, presidenti i Citrown” – tha ai i ftuar në “Opinion” kohë më parë.
Tare, rrëfeu se e pranishme qe edhe Camilla Parker Bowles, bashkëshortja e tanishme e princit Charles, dukesha e Cornwall-it.
“Interesante ishte që asnjë prej banorëve të fshatit, nuk i njohu,” – tregoi Tare, i cili shtoi se, gjatë një takimi në Londër, Camilla e kujtonte si histori shumë të veçantë, transmeton ‘konica.al’.
Auron Tare tha se në atë kohë, gruaja e pronarit të Mercedes-it kërkoi të blinte të gjithë fshatin, ta kthente në koloni artistësh dhe ta shndërronte në një vend të denjë për kinemanë dhe turizmin, por “fati nuk shkoi në drejtimin e duhur”.
Qeparoi është pjesë e Rivierës shqiptare i pozicionuar në komunën e Himarës, Vlorë. Emri mendohet se vjen nga fjala greke “kipos” që do të thotë kopsht.