Askush nuk vë në diskutim faktin që Cezari u vra nga një numër prej pesë deri dhjetë komplotuesish në Senatin e Romës. U godit me 23 thika, nga të cilat megjithatë vetëm njëra rezultoi vdekjeprurëse, supozohet ajo e Brutit.
Po përse një njeri si Cezari, inteligjent dhe mendjemprehtë, do të shkonte në Senat i paarmatosur dhe pa truproja, pavarësisht se ishin të shumtë ata që e këshilluan dhe e paralajmëruan se vrasësit po e prisnin?
Kur, gjatë autopsisë së parë në histori, mjeku Antisti ekzaminoi trupin, ai gjeti në duart e Cezarit një letër kërcënuese.
Historiani romak Svetoni shkruan: “Cezari u largua duke lënë dyshimin se ai vetë kishte zgjedhur të vdiste dhe për këtë arsye nuk i kishte marrë ato masa që do ta kishin shpëtuar”.
Një teori moderne, e parashtruar nga profesor Harold Bursztajn i Harvardit dhe nga Gjenerali Luciano Garofano thotë që Cezari shkoi drejt vdekjes me vullnetin e tij. Epilepsia e lobit ballor (që e kishte çuar drejt humbjes së aftësive fizike dhe mendore) e shtyu të zgjedhë vdekjen në mënyrë të tillë që të ruante trashëgiminë e tij në histori.
Ai vetë zgjodhi se kur dhe ku do të ndodhte vdekja e tij: kishte detyruar Brutin, Kasion dhe të tjerët që të shpejtonin komplotin duke shpallur një udhëtim në Persi.
Duke vrarë Cezarin, komplotuesit i siguruan atij pavdekshmërinë dhe vazhdimësinë e linjës së pasardhësve: ai kishte shpallur tashmë Oktavianin si pasardhës në një testament që kishte shkruar gjashtë muaj para vdekjes./ObserverKult