Nga Rami Memushaj
Shkruhen me vizë lidhëse në mes:
1.fjalët e përftuara nga përsëritja e një fjale në të njëjtën trajtë ose në trajta të ndryshme, nga bashkimi i dy antonimeve, i dy numërorëve, tingullimitimet e përftuara nga përsëritja e një fjale a elementi në të njëjtën trajtë ose në trajta të ndryshme:
brigje-brigje, copë-copë, çalë-çalë, çika-çika, fletë-fletë, gati-gati, herë-herë, hollë-hollë, lara-lara, lloj-lloj, palë-palë, rripa-rripa, shumë-shumë, valë-valë, zhele-zhele, zhubra-zhubra etj;
dita-ditës, dora-dorës, hera-herës, këmba-këmbës, njëri-tjetrit, shoqi-shoqin, shoqja-shoqen, etj;
aty-këtu, hyrje-dalje, ngarkim-shkarkim, njëri-tjetrin, poshtë-lart, pritje-përcjellje, tek-tuk, tutje-tëhu, vajtje-ardhje etj;
dy-tri ditë, katër-pesë vetë, 7-8 muajsh, dhjetë –pesëmbëdhjetë lekë, gjatë një periudhe tridhjetë-dyzetvjeçare, lejë krijuese pesë-gjashtëmujore etj;
bam-bum, cër-cër, dër-dër, gër-gër, hum-hum, kuak-kuak etj;
bam-bum, fap-fup, ham-hum, tik-tak, gëk-mëk, gërr-mërr, lecka-pecka, etj.
2.emërtimet e përbëra të njësive të matjes, të klasifikimit, si dhe formime terminologjike dyfjalëshe:
gram-molekulë, kalë-fuqi, kilovat-orë, ton-kilometër, vat-orë, vit-dritë etj; grup-moshë, grup-mallra etj; ajër-ajër, ajër-tokë, tokë-ajër, tokë-tokë etj.
3. emërtimet jo të thjeshta me lidhje këpujore plotësuese ose me lidhje përcaktore-ndajshtimore midis pjesëve të tyre;
lidhje këpujore: bar-bufe, bar-lulishte, hotel-restorant, (minierë), hekur-nikeli, (trajta) pësore-vetvetore, postë-telegraf-telefon etj;
lidhje përcaktore-ndajshtimore: avion-fantazmë, qytet-muze, qytet-hero, hotel-pension, vagon-cisternë, vagon-restorant, vinç-kullë, (punime) shpim-kërkimi, qen-ujk etj.
4. formimet mbiemërore jo të thjeshta, me lidhje këpujore të pjesëve, të cilat shprehin marrëdhënie plotësuese ose të ndërsjella mes dy konceptesh të veçanta:
analitiko-sintetik, bujqësor-industrial, ekonomiko-shoqëror, politiko-shoqëror, politiko-administrativ, politiko-financiar, tekniko-taktik, tekniko-shkencor, ushtarako-policor etj;
afro-aziatik, anglo-amerikan, austro-hungarez, balto-sllave, greko-romak, italo-shqiptar, iliro-maqedonas, kino-tibetiane, trako-ilir etj;
fjalor anglisht-shqip, fjalor latinisht-shqip, fjalor greqisht -shqip, fjalor frëngjisht-anglisht etj;
jug-juglindje, veri-veriperëndim, lindje-verilindje etj.
5. pjesëza ish-përpara emërtimeve të ndryshme:
ish-deputet, ish-komandant, ish-kryeministër, ish-ministër, ish-president, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, etj.
6. emrat e përbërë gjeografikë vendës e të huaj, qoftë edhe kur midis tyre ndodhet një parafjalë, një lidhëz a një nyjë:
Adis-Abebë, Alma-Ata, Alsas-Lorenë, Austro-Hungaria, Buenos-Ajres, Hong-Kong, Karl-Marks-Shtadt, Karlovi-Vari, Kosta-Rikë, Kuala-Lumpur, Luang-Prabang, Nju-Orleans, Nju-Delhi, Nju-Jork, Perl-Harbur, Port-Luis, Santo-Domingo, Porto-Riko, Port-Said, Novi –Sad, San-Paulo, Sierra –Nevadë, Sir-Darja, Shlesvig-Holshtejn, Tel-Aviv, Tian-Shan;
Bab-el-Mandeb, Dar-es-Salam, Rio-de-Zhanejro, Porto-o-Prens, Pa-dë-Kale, Sao-Tome-e-Principe, Trinidad-e-Tobago, Frankfurt-mbi-Majn, etj;
Bardhaj-Reç, Çerkez-Morinë, Mborje-Drenovë, Nikaj-Mertur, Pezë-Helmës; Gjeçaj-Kodër, Labinot-Fushë; Labinot-Mal; Fushë-Arrëz, Fushë –Krujë, Nivicë-Bubar, Lab-Martalloz, Shën-Naum, Zall-Bastar, Zall-Herr, Reç-e- Dardhë etj.
7. emrat dhe mbiemrat e huaj të personave kur njëri prej elementeve përbëhet nga dy pjesë”
Frederik Zholio-Kyri, Ibn-Sina, Mak-Mahon, Mamin –Sibirjak, Martin Andersen-Neksë, Rimskë-Korsakov, Zhan Zhak-Ruso, Sen-Simon, Sen –Zhyst, etj.
8.mbiemra ose emra të formuar nga numërorë që shkruhen me shifra arabe:
akti i 3-të, klasa e 4-t, kreu i 5-të,përvjetori i 55-të i çlirimit, etj; (revole) 10-she, (kartëmonedhë) 1000-she etj;
i 30-ti, i 200-ti, i 1000-ti (banori) i 3000000-të ose i 3-milionti etj; 500-shi, 200000-shi, ose 20-mijëshi etj.
Shënim. Kur shkruhen me shifra romake, mbiemrat e prejnumërorë pëdoren pa nyjë të përparme dhe pa prapashtesë:
akti III, klasa VIII, Kongresi II i Manastirit, rrethi IX i Ferrit, Filipi II i Maqedonisë, Gjergj Balsha I, Luigj XIV etj.
9.Emërtimet e tipit numëror+ njësi të tipit vjeçar /vjetor/vjetsh/ ditësh etj. kur numërori jepet me shifra arabe:
100-vjetori i Pavarësisë, shkollë 8-vjeçare, 20 –vjetëshi i parë i shekullit XX, shtëpi 5-katëshe, fëmijë 11-muajsh, gjatë 8-orëshit, stërvitje 2-javore , java 5-ditëshe e punës etj.
10.emërtimet e mjeteve teknike të cilat përmbajnë një numëror, si dhe emërtimet konvencionale.
Boing-737, F-16, Mig-27, Sektori A-2,dosja E-0608 etj .
11.emërtimet e shkurtuara të institucioneve, të organizatave, të shteteve etj, kur marrin mbaresa, si dhe emërtimet e përbëra nga një shkurtesë dhe nga një fjalë e plotë:
sipas ATSH-së, ministrat e jashtëm të BE-së, vendimi i FIFA-s, ndihma e FMN-së, INSIG-u, NATO-ja, OSBE-ja, OKB-ja, kryesia e PAD-së, SHBA-të etj; NI-Kimike, NI-Profarma etj.
12. shkronjat, numrat (kur jepen me shifra arabe) , pjesët e pandryshueshme të ligjëratës dhe elemente që nuk janë pjesë të ligjëratës, kur përdoren si emra dhe marrin tregues rasorë të emrit:
a-ja, vendos ë-të në tekst, vër pikën mbi i-në, vlera e x-it, trazirat e 1997-ës; që –ja është fjalë me funksione të ndryshme, nuk e di kush pse-në etj.
13. komandat ushtarake të përbëra nga dy a më shumë pjesë (viza lidhëse vihet midis fjalëve kuptimplota, por jo para dhe pas parafjalëve):
Armë-mbushë!, Armë-zbraz!, Bajonetë-drejto!, Djathtas-ndero!, Djathtas-kthehu!, Për nder-armë!, Toga, në një rresht-mblidhu!, Me vrap-marsh!, Në sup-armë!, Para-marsh!, Prapa-kthehu!, Pranë këmbës-armë! etj.
(Shkëputur nga libri “Shqipja standarde-Si ta flasim dhe ta shkruajmë” të autorit Rami Memushaj )
Përgatiti: ObserverKult
—————-
Lexo edhe:
AJO E DONTE TË SHOQIN ME GJITHË ZEMËR… POEZI NGA LULJETA LLESHANAKU
Ky është varri i një gruaje romake
në vitin 135 para Krishtit:
“Prindërit e quajtën Klaudia.
Ajo e donte të shoqin me gjithë zemër.
Lindi dy djem.
Ishte e këndshme në bisedë dhe e fortë në durim.
Mbajti shtëpinë, tori lesh.”
Gratë që unë njoh
mund të përshkruhen po kaq thjeshtë, me një rresht të vetëm:
M që enët e bakrit i fërkonte me rërë.
L që ëndërronte tepër për të bijtë, aq sa u ndëshkua me jetë të shkurtër.
Sh së cilës askush s’ia merrte për turshi.
H që s’e hiqte nga goja të vëllain e vrarë pabesisht.
K që hiqte pushin nga fytyra me një maskë veze dhe sheqeri.
F që e para zbuloi se fustani i bardhë kombinohet me trëndafila të verdhë.
D që hekuroste një vijë të përkryer në mëngët e të shoqit,
edhe kur e dinte që ai po dilte me një grua tjetër.
G që i bënte të gjithë për të qarë kur vajtonte të vdekurit.
P që shkonte mirë me të vjehrrën.
S që bënte një abort çdo gjashtë muaj.
T që kishte gjithmonë një fije të ikur çorapi dhe të qeshur të ëmbël.
N që piqte kafe të mirë nëse i ndodhej.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult