Gabriel Garsia Markez: Si u bëra shkrimtar…

Gabriel Garsia Markez Marques markez

Nga Gabriel Garsia Markez

Unë kurrë nuk e imagjinova se, nëntë muaj pasi kisha mbaruar shkollën e mesme, tregimi im i parë do të botohej në Fin de Semana, shtojca letrare e fundjavës në gazetën El Espectador, në Bogota, dhe suplementi më interesant e më kërkues i kohës. Dyzet e dy ditë më vonë, tregimi im i dytë u botua. Megjithatë, gjëja më e habitshme për mua ishte një shënim hyrës nga redaktori i shtojcës, Eduardo Zalamea Borda (emri i të cilit ishte Ulises), kritiku më i shquar kolumbian në atë kohë dhe ai që ishte më i vëmendshmi ndaj shfaqjes së tendencave të reja.

Mënyra sesi ndodhi e gjithë kjo ishte aq e papritur sa nuk është e lehtë ta ritregosh. Në shkurt të vitit 1947, unë u regjistrova në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Kombëtar të Bogotasë: si prindërit dhe unë ishim dakord. Kam jetuar në qendër të qytetit, në një pension në Calle Florián, që popullohej kryesisht nga studentë që ishin, si unë, nga Bregu i Atlantikut. Gjatë pasditeve të lira, në vend që të punoja për të mbështetur veten, lexoja ose në dhomën time ose në kafenetë ku lejohej.

Librat që kam lexuar i kam marrë rastësisht dhe për fat; ata më binin në dorë më shumë nga shansi sesa nga ndonjë fat vetjak, sepse miqtë që mund të përballonin t’i blinin m’i dhuronin për periudha të tilla të kufizuara saqë e gdhija për t’i kthyer librat në kohë. Por, ndryshe nga librat që kisha lexuar në shkollë, në Zipaquirá, që i përkisnin një mauzoleumi të autorëve të shenjtëruar, këta që gjeja atje ishin si bukë të ngrohta nga furra, të shtypura në Buenos Aires me përkthime të reja, që rinisën pas ndërprerjes së botimeve si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë mënyrë, unë zbulova, për fat të mirë, autorët që ishin tashmë mjaft të njohur Jorge Luis Borges, D. H. Lawrence dhe Aldous Huxley, Graham Greene dhe G. K. Chesterton, William Irish dhe Katherine Mansfield e shumë të tjerë.

Për pjesën më të madhe, këto vepra të reja u ekspozuan në vitrinat e paarritshme të librarive, por disa kopje qarkulluan në kafenetë e studentëve, të cilat ishin qendra aktive të shpërndarjes kulturore për studentët e universitetit nga provincat.

Shumë nga ata studentë i rezervonin tryezat vit pas viti dhe madje tërhoqën atje dërgesa postare dhe gjithashtu para në kafene. Shpërblesat ndaj pronarëve ose punonjësit të tyre të besuar ishin shumë të rëndësishme për lindjen e një numri të madh të karrierave universitare, dhe shumë profesionistë në vend mund t’u detyrohen më shumë miqësive të tyre të kafenesë sesa përzgjedhësve pothuajse të padukshëm shtetëror.

Kafeneja ime e preferuar ishte El Molino, një e frekuentuar nga poetë më të vjetër, që ishte vetëm dyqind metra apo diçka më shumë larg shtëpisë time, në cep të Avenida Jiménez de Quesada dhe Carrera Séptima.

Studentëve nuk u lejohej të rezervonin vende në El Molino, por ishim të sigurt se do të mësonim më shumë nga bisedat letrare të cilat na i kapte veshi teksa vërtiteshim tryezave aty pranë, ku mësohej më shumë se nga tekstet shkollore. Ishte një kafene e mrekullueshme, elegante e stilit spanjoll dhe muret e saj qenë zbukuruar nga piktori Santiago Martínez Delgado me episodet e betejës së Don Kishotit kundër mullinjve të erës.

Megjithëse nuk kisha një vend të rezervuar, unë gjithmonë e rregulloja që kamerierët të më ulnin sa më pranë mjeshtrit León de Greiff: mjekrosh, i ashpër, i këndshëm – ai do t’ia fillonte tertulia-s së tij (biseda e tij letrare), në muzg me disa nga shkrimtarët më të famshëm të ditës, dhe do ta përfundonte me nxënësit e tij të shahut në mesnatë, të lagur me pije të lira. Shumë pak prej emrave të mëdhenj në artet dhe letrat e vendit nuk zunë vend në atë tryezë të paktën një herë, dhe ne shtireshim sikur s’ishim të pranishëm, mjaft të mos na humbiste një fjalë e vetme prej tyre; ndonëse ata flisnin më shumë për gratë dhe intrigat politike sesa për artin ose punën e tyre, si gjithnjë ata thanë diçka që për ne ishte e re.

Më të vëmendshmit prej nesh vinin nga Bregu i Atlantikut, më pak të bërë baskë nga komplotet Karaibase kundër Cachacos – njerëz nga Sierra (vargmalet) – se sa nga zyra e librave. Një ditë, Jorge Álvaro Espinosa, një student i drejtësisë që më kishte mësuar të lundroj përmes Biblës dhe që më bëri të mësoja përzemërsisht emrat e ithtarëve të Jobit, flaku një vëllim të mahnitshëm në tryezën para meje dhe deklaroi, me autoritetin e një peshkopi, “Kjo është Bibla tjetër.”

Ai ishte, natyrisht, “Uliksi” nga James Joyce, të cilin e lexova me pjesë, ca nga fillimi e ca nga fundi, derisa e humba gjithë durimin. Kjo ishte një pandjeshmëri prej të papjekuri. Vite më vonë, si një i rritur i shkathët, i dhashë vetes detyrën ta rilexoja atë në një mënyrë serioze, dhe jo vetëm më ndihmoi të zbuloja një botë autentike që nuk e kisha dyshuar kurrë përbrenda, por gjithashtu më ofroi një ndihmë teknike të çmuar në zgjerimin e leksikut dhe menaxhimin e kohës dhe strukturës në librat e mi.

Një nga shokët e mi të pensionit ishte Domingo Manuel Vega, një student i mjekësisë që kish qenë shoku im që nga fëmijëria jonë në qytetin e Sucre dhe që ndante me mua pasionin e zellshëm për të lexuar. Një natë, Vega u kthye me tre libra që ai sapo kishte blerë dhe ma dhuroi një, të zgjedhur rastësisht, siç bënte shpesh, për të më ndihmuar të flija. Por këtë herë efekti ishte pikërisht i kundërt: kurrë nuk fjeta me qetësinë time të mëparshme.

Libri ishte “Metamorfoza” e Franz Kafka – në përkthimin e botuar nga Losada në Buenos Aires – që përcaktoi një drejtim të ri në jetën time nga fraza e tij hapëse, e njohur sot si një nga mekanizmat më të shkëlqyer të letërsisë botërore: “Gregor Samsa u zgjua pas një nate me ëndrra të këqija, u zgjua në mëngjes dhe vuri re se aty në shtrat ishte shndërruar në një kandërr të madhe e të ndyrë.

Këta ishin libra misterioz, theqafjet e rrezikshme të të cilëve ishin jo vetëm të ndryshme nga por shpesh ishin në kundërshtim me gjithçka që kisha njohur deri atëherë. Më treguan se s’qe e nevojshme të shfaqja fakte: mjaftonte që autori të kish shkruar diçka ish e vërtetë, pa asnjë provë tjetër përveç fuqisë së talentit të tij dhe autoritetit të zërit të tij. Ishte Scheherazade përsëri, jo në botën e saj mijëvjeçare, ku gjithçka ishte e mundur, por në një botë të pariparueshme, ku gjithçka tashmë ishte humbur.
Kur mbarova së lexuari “Metamorfozën”, ndjeva një dëshirë të papërmbajtshme për të jetuar në atë parajsë të huaj.

Dita e re më gjeti tek makina portative e shkrimit që Domingo Manuel Vega më kishte dhënë hua, duke u përpjekur të shkruaj diçka që do të ngjante me përrallën e Kafka-s për një burokrat të varfër, të kthyer në një kacabu të stërmadh. Në ditët që pasuan nuk shkova në universitet nga frika se magjia do të prishej, dhe vazhdova, duke djersitur pikla zilie, derisa Eduardo Zalamea Borda botoi në faqet e tij një artikull shkurajues ku vajtonte mungesën e emrave të zëshëm midis brezit të ri të shkrimtarëve kolumbianë dhe faktin që s’mund të nuhaste asgjë nga e ardhmja që do t’mund ta korrigjonte situatën.

Nuk e di me çfarë të drejte jam ndjerë i sfiduar, në emër të brezit tim, nga provokimi në atë shkrim, por u morra përsëri me historinë në përpjekje për të provuar gabimet. Unë shtjellova në idenë konspirative të trupit të ndërgjegjshëm tek “Metamorfoza”, por e shpëtova historinë nga misteret e saj të rreme dhe paragjykimet ontologjike.

Prapëseprapë, u ndjeva aq i pasigurt, sa nuk guxoja ta flisja me ndonjë nga shokët e mi të tryezës në El Molino. As me Gonzalo Mallarino-n, shoku-student në fakultetin e drejtësisë, i cili ishte lexuesi i vetëm i pjesëve të prozës lirike që shkruaja për të ndihmuar veten që të duroja peshën e leksioneve.

Rilexova dhe korrigjova historinë time derisa u lodha, dhe më në fund i shkrova një shënim personal Eduardo Zalamea – të cilin nuk e kisha takuar kurrë – rreth së cilit s’më vjen ndërmend as edhe një fjalë e vetme. I vendosa të gjitha në një zarf dhe e shpura personalisht tek recepsioni në El Espectador. Portieri më udhëzoi të shkoja në katin e dytë dhe t’ia dorëzoja letrën ve5të Zalamea-s, por unë u paralizova nga vetë kjo ide. E lashë zarfin në tryezën e portierit dhe ia mbatha.

Kjo ndodhi të martën dhe unë nuk u mundova nga asnjë parandjenjë në lidhje me fatin e tregimit tim. Isha i sigurt se, në rast se do të botohej, nuk do të ndodhte shumë shpejt. Në ndërkohë, për dy javë, unë brodha nga kafeneja në kafene për të shestuar ankthin tim, deri të shtunën pasdite, më 13 shtator, kur hyra në El Molino dhe u përballa me titullin e tregimit tim të shtypur në të gjithë gjerësinë e kryefaqes së El Espectador, që sapo kishte dalë: “Dorëheqja e tretë”.

Reagimi im i parë kishte të bënte me faktin se nuk zotëroja as pesë centë për të blerë gazetën. Ky ishte simboli më i qashtër i varfërisë time, sepse, përveç gazetës, shumë gjëra themelore në jetën e përditshme kushtojnë pesë centë: tramvaji, telefoni publik, një filxhan kafe, një lustrim këpucësh.

Nxitova nëpër rrugë i zbuluar ndaj vesës flegmatike të shiut, por në kafenetë aty pranë nuk gjeta askënd që e njihja që mund të më jepte një monedhë bamirësie. Dhe s’gjeta asnjë frymë në pensión n’atë orë të vdekur të së shtunës, përveç zonjës së pensionit, e cila ishte njëlloj sikur të mos kishe gjetur kurrkënd, sepse i detyrohesha shtatëqind e njëzet herë ato pesë centët për dy muaj dhomë dhe ushqim.

Kur dola përsëri, i përgatitur për asgjënë, hasa me një njeri të dërguar nga “Dora e Zotit”: po dilte nga një taksi, mbante El Espectador-in në dorë dhe unë e pyeta drejtpërdrejtë nëse ai do të ma jepte.

Dhe kështu lexova tregimin tim të parë në shtyp, me një ilustrim nga Hernán Merino, artisti zyrtar i skicave për gazetën. E lexova me një frymë të vetme, duke u fshehur në dhomën time, zemra ime duke buçitur. Në secilin rresht zbulova fuqinë shtypëse të botimit: ajo që kisha ndërtuar me aq shumë dashuri dhe dhimbje si një imitim i përulur i një gjeniu universal u zbulua para meje si një monolog i errët, i dobët, i mbështetur zorshëm mbi tre, apo katër fjali ngushëlluese. Pothuajse njëzet vjet kaluan para se të guxoja ta lexoja për herë të dytë, dhe gjykimi im – i pandikuar nga dhembshuria – ishte edhe më pak i kënaqshëm.

Pjesa më e vështirë ishte orteku i miqve që pushtuan dhomën time me kopje të gazetës dhe lavdërime të ndezura për një histori që isha i sigurt se nuk e kishin kuptuar. Në mesin e kolegeve studentë të universitetit, disa e vlerësuan, disa të tjerë ishin në mëdyshje rreth saj, dhe të tjerët me më shumë mend nuk e lexuan përtej rreshtit të katërt, por Gonzalo Mallarino, gjykimi letrar i të cilit nuk ishte i lehtë për mua që të vihej në dyshim, e admiroi atë pa rezerva.

Pakënaqësia ime më e madhe kishte të bënte me aktgjykimin e Jorge Álvaro Espinosa, tehu kritik i të cilit ishte i rrezikshëm edhe përtej rrethit tonë të ngushtë. Unë kisha ndjenja kontradiktore: Doja ta takoja menjëherë për të zgjidhur njëherë e mirë pasigurinë time, por njëherësh ideja për t’u përballur me të më tmerronte. Ai s’u duk deri të martën, gjë që nuk ishte e pazakontë për një lexues të pangopur, dhe kur u rishfaq në El Molino ai filloi të fliste me mua jo për tregimin, por për guximin tim.

“Unë mendoj se e kupton se në ç’bela e ke futur veten,” tha ai, duke fiksuar sytë e mi të gjelbër si të kobrës mbret. “Tani je në vitrinën e shkrimtarëve të njohur, dhe ka shumë gjëra që duhet të bësh për ta merituar atë vend.”
Ky qe i vetmi mendim që mund të ndikonte tek unë po aq sa ai i Ulises, dhe unë kisha ngrirë. Por, para se ai të mbaronte së foluri, vendosa ta parashtroja atë që e konsiderova atëherë, dhe që gjithnjë e kam konsideruar si të vërtetën: “Kjo histori është një copë bajge”.

Ai u përgjigj me një kontroll të pandryshueshëm se nuk mund të thoshte asgjë, sepse ai kish pasur kohë vetëm sa për t’i hedhur një sy. Por ai shpjegoi se, edhe sikur të ishte aq e keqe sa thashë, nuk ishte aq e keqe sa unë të sakrifikoja mundësinë e artë që më ofronte jeta.

“Sido që të jetë, ajo histori tashmë i përket së kaluarës,” përfundoi ai. “Ajo që ka rëndësi tani është tjetra.”
Isha i përndezur dhe i pamend aq sa kërkoja argumente për të kundërshtuar, derisa kuptova që asnjë këshillë që kam dëgjuar deri më sot nuk do t’ishte më inteligjente se e tij. Ai shpjegoi idenë e tij të palëkundshme që duhet ta konceptosh fillimisht historinë dhe më pas stilin, por që secila varet nga tjetra në një lloj përuljeje të ndërsjellë, që ishte çelësi magjik i klasikëve.

Ai gjithashtu u ndal për pak kohë tek mendimi i tij, të cilin e kishte përsëritur aq shpesh, se qe e udhës të lexoja antikët në një mënyrë të thellë, të paanshme, dhe jo vetëm veprat e Homerit – i vetmi që kisha lexuar, sepse më kërkohej ta bëja për diplomimin. Unë premtova se do doja, dhe doja të dëgjoja emra të tjerë, por ai ndryshoi temën dhe filloi të fliste rreth André Gide “Falsifikuesit”, që ai kishte lexuar atë fundjavë.

Asnjëherë nuk gjeta kurajë për t’i thënë atij se biseda jonë mund të ketë përcaktuar rrjedhën e jetës sime. Qëndrova zgjuar gjatë gjithë natës duke bërë shënime rreth historisë time të radhës, e cila nuk do të kishte pendesat e së parës.

Rrëmova kujtesës time për situata nga jeta reale që t’i shërbenin historisë së dytë, dhe mbaja mend që një nga gratë më të hijshme që kam njohur në fëmijëri, më pat thënë njëherë se dëshironte të gjendej brenda një maceje shumë të bukur që po përkëdhelte ato çaste në prehër.

E pyeta pse, dhe ajo u përgjigj: “Sepse është më e bukur se unë.” Kjo më dha një pikë nisjeje për tregimin e dytë, si dhe një titull tërheqës: “Eva ndodhet brenda maces së saj.” Pjesa tjetër, ashtu si në tregimin e mëparshëm, ishte shpikur nga asgjëja dhe, për të njëjtën arsye – siç donim të thoshim atyre ditëve – ajo mbartte përbrenda farërat e vetëshkatërrimit.

Ky tregim u botua me të njëjtën zhurmnajë si i pari, të Shtunën, 25 Tetor 1947, dhe u ilustrua nga piktori Enrique Grau, një yll në ngritje në qiellin e Karaibeve. U befasova që miqtë e mi e pranuan këtë si një dukuri rutinore dhe mua si një shkrimtar të njohur.

Unë, nga ana tjetër, vuajta nga gabimet, dyshova tek sukseset, por arrita të mbaja gjallë shpresën time. Pika e lartë erdhi disa ditë më vonë, kur Eduardo Zalamea, duke përdorur pseudonimin e tij të zakonshëm, Ulises, shkroi një shënim në kolonën e tij të përditshme në El Espectador.

Ai shkoi direkt në pikën: “Lexuesit e Fin de Semana, shtesa letrare e kësaj gazete, do të kenë vërejtur shfaqjen e një talenti të ri dhe origjinal me një personalitet të fuqishëm.” Dhe më larg: “Në imagjinatë gjithçka mund të ndodhë, por të dish ta tregosh me natyrshmëri, thjeshtësi dhe pa bujë perlën e prodhuar, kjo nuk është diçka që të gjithë djemtë njëzet vjeçar që sapo fillojnë lidhjen e tyre me letrat mund ta realizojnë. “Dhe ai përfundoi pa hezitim:” Brenda García Márquez një shkrimtar i ri dhe i shquar ka lindur.”

Shënimi më dhuroi një grusht lumturie – e si të mos vallë! — Por në të njëjtën kohë më shqetësoi që Zalamea nuk i kishte lënë vetes asnjë rrugëdalje. Tani që ai kishte thënë ato që kishte thënë, unë isha i detyruar ta interpretoja zemërgjerësinë e tij si një thirrje për ndërgjegjen time që do të zgjaste përgjatë pjesës së mbetur të jetës sime.

Përkundër mungesës sime të kahershme dhe neglizhencës së gjykueshme, i mora provimet e lehta të drejtësisë së vitit të parë falë një përsëritjeje të mbingarkuar të minutës së fundit, dhe pyetjeve më të vështira iu përgjigja duke përdorur mashtrimin tim të vjetër për të mënjanuar pyetjen me marifete të zgjuara.

E vërteta është se unë nuk ndihesha rehat në lëkurën time dhe nuk dija si të vazhdoja rrugëtimin drejt së ardhmes time përgjatë asaj rruge qorre. E kuptova ligjin më pak dhe kisha shumë më pak interes për të sesa për ndonjë nga lëndët që kisha studiuar në gjimnaz, dhe ndjeja se isha mjaft i rritur për të marrë vendimet e mia. Me pak fjalë, pas gjashtëmbëdhjetë muaj mbijetese të mrekullueshme, gjithçka që kisha fituar ishte një grup miqsh të mirë për pjesën tjetër të jetës sime.

Interesimi im i paktë për ligjin u dobësua edhe pasi u shfaq shënimi nga Ulises. Në universitet, disa nga studentët e tjerë filluan të më quanin Maestro dhe të më prezantojnë si shkrimtar. Kjo përkoi me vendosmërinë time për të mësuar se si të ndërtoja një histori që ishte edhe e besueshme dhe fantastike, por që nuk kishte të meta. Unë kisha disa modele ideale të largëta, të tilla si “Edipi mbret” i Sofokliut, protagonisti i të cilit heton vrasjen e babait të tij vetëm për të zbuluar se ai vetë është vrasësi; “The Paw Monkey”, nga W. W. Jacob, histori e përsosur në të cilën gjithçka që ndodh është aksidentale; “Boule de Suif” e Maupassant; dhe aq shumë mëkatarë të tjerë të mëdhenj, dashtë Zoti t’i ruaj në mbretërinë e Tij të shenjtë.

Unë isha përfshirë në këtë mbrëmjen e të Dielës, kur më në fund më ndodhi diçka që meritonte të rilexohej. E kisha kaluar pothuajse tërë ditën duke përcjellë zhgënjimet e mia si shkrimtar me Gonzalo Mallarino-n në shtëpinë e tij në Avenida Kili, dhe kur isha duke u kthyer në pension me taksinë e fundit të mbrëmjes, një këmbëcjap prej mishi e kockash iu drejtua stacionit Chapinero.

Padyshim: Unë thashë një faun. Vura re që asnjë nga pasagjerët e paktë në rrugë atë mesnatë nuk dukej i befasuar kur e pa qenien, dhe kjo më bëri të mendoja se ai ishte veç ndonjë nga ata burrat e karnavaleve që shesin një shumëllojshmëri xhinglash të dielave në parqet e fëmijëve. Por realiteti më bindi se nuk duhet të kisha dyshime: brirët dhe mjekra e tij ishin po aq të egra sa ato të një dhie, dhe kur ai kaloi pranë meje mund të nuhasja erën e keqe të zhgunit të tij. Me sjelljet shembullore të një kryefamiljari, ai u nis para rrugës Calle 26, rruga ku ishte varreza dhe u zhduk midis pemëve në park.

Pasi një gjysmënate të pagjumë duke u përpëlitur në shtrat sa para pas, Domingo Manuel Vega më pyeti se çfarë nuk shkonte. “Puna është se një faun u fut në taksi,” i thashë, gjysmë përgjumësh. Ai ishte zgjuar mjaftueshëm kur u përgjigj se nëse ishte një makth duhet ishte pasojë e tretjes së dobët, tipike e të dielave, por nëse do t’ishte subjekti për tregimin tim të ardhshëm, ai mendoi se ishte fantastike.

Të nesërmen në mëngjes, nuk e dija nëse kisha parë një faun nga taksia apo nëse kishte qenë një halucinacion i së Dielës. Nisa t’ia pranoja vetes se kisha rënë në gjumë, i lodhur në fund të ditës dhe kisha parë një ëndërr aq të gjallë sa nuk mund ta veçoja nga realiteti. Por, në fund të fundit, gjëja thelbësore për mua nuk ishte nëse këmbëcjapi kish qenë i vërtetë, por që unë e jetova përvojën sikur të ish. Dhe për të njëjtën arsye, të vërtetë ose të ëndërruar, nuk ishte e ligjshme ta konsideroja këtë si një yshtje të imagjinatës; ishte, në fakt, një përvojë e mrekullueshme në jetën time./ Përktheu: Tobias Xhaxhi

ObserverKult

=============================

Lexo edhe:

TREGIM NGA GABRIEL GARSIA MARKEZ: NJË DITË E ZAKONSHME

GABRIEL GARSIA MARKEZ DHE E VËRTETA: SI “E USHQEU” GAZETARIA FANTAZINË E SHKRIMTARIT

INTERVISTË E DJALIT TË GABRIEL GARCIA MARQUEZ: JA KUSH KA QENË BABAI IM…