Galeria Kombëtare të Arteve ekspozon pasurinë e jashtëzakonshme kombëtare

Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë vazhdon të qëndrojë e hapur ekspozita me fondin e këtij institucioni ndër vite. Bëhet fjalë për atë fond që përbën një pasuri të jashtëzakonshme kombëtare, pasi janë vepra të cilat datojnë që nga viti 1898 deri në vitin 1999. Pjesë e kësaj ekspozite përveç pikturave, janë edhe skulpturat, skicat, karikaturat më të mira ndër vite.

Ekspozita e hapur më 18 shtator do të presë vizitorët pa afat kohor, madje është menduar që veprat të jenë pjesë e një lloj linje muzeale, çka do të thotë që mund të jenë përgjithmonë të ekspozuara për publikun.

Kuratori që ndërkohë është edhe drejtori i Galerisë Kombëtare të Artit, Erzen Shkololli shprehet për ATSH-në se përveç veprave të ekspozuara, do ta pasurojmë këtë ekspozitë edhe me të tjera vepra si piktura, skulptura dhe karikatura.

“Kjo gjë do të bëhet çdo ditë duke nxjerrë nga fondi i arkivës të tjera krijime, përveç pjesës kryesore që do të jenë gjithmonë aty për t’u parë nga artdashësit”, u shpreh ai.

Në këtë ekspozitë të veçantë mund të shohim veprat e artistëve më të mirë ndër vite si p.sh Fadil Taga, Petrit Konçi, Çlirim Ceka, Sali Shijaku, Anastas Kostandini, Zef Shoshi, Edi Rama dhe shumë artistë të tjerë.

Ekspozita është e hapur për vizitorët cdo ditë të javës nga e hëna në të shtunën nga ora 10 deri në 16-30. Vlera simbolike e biletës është 200 lekë të reja./ATSH