Shefqete Gosalci: “E gjithkohshmja Andërr”, libër i veçantë i një poeteje elitare

e gjithkohshmja anderr

Nga Shefqete Gosalci

Sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë, në prani të një auditori të zgjedhur e serioz, të disa mediave dhe me një organizim të mirëfilltë e me nivel, ashtu si edhe meriton poezia, u përurua një libër i vecantë i një poeteje po aq të veçantë.
Donika Dabishevci, poete dhe botuese, tashmë ka krijuar identitetin e saj artistik dhe është ndër poetet elitare të poezisë së sotme shqipe, jo vetëm në Kosovë. Donika, eshtë poete e vargut që e karakterizon thellësia e ndjeshmërisë njerëzore e shpirtërore, pavarësisht nga tematika që shtjellon. Që nga tematika e dashurisë dhe erotikës, deri të lufta, vuajtja, zhgënjimi, dhunimi, qëndresa, forca, flijimi e mbijetesa, tema këto që poetja e angazhuar na i sjell në librin më të ri të saj,
“E gjithkohshmja Andërr”, i cili u përurua sot, ka shtjelluar aq detajisht deri në dramaticitet odisejadën e vuajtjeve të popullit tonë, të grave, fëmijëve, të vajzave dhe nënave shqiptare në luftën e fundit, përpjekjeve të tyre titanike, mbinjerëzore për mbijetesë duke luftuar mes terreve e tmerreve, dhunës e barbarisë, me tjetërsimin dhe mohimin, për mosdorëzim dhe fitore.
Poetja na e sjell si kornizë fotografish shumëdimensionale, herë bardh e zi, herë të gjakosur me kolorit vuajtjesh, herë si paqyrë të cpirruar të mijëra thyerjeve shpirtërore njerëzore, përballë egërsisë e llahtarisë çmendurake, dhe shndërrimit të personazheve të saj, në statuja të heshtura, heshtja e të cilave përball pyetjeve, kërkesave e lemerisë së fëmijëve që po përballeshin me tehuajsimin që sjell lufta para syve të tyre, përfaqëson kulmin e dhimbjes njerëzore.
Do të thoja, heshtje mizore.
Ne jemi dhimbja e tyre, ato janë dhimbja jonë. Ato nëna heroina të dhimbjes, me qetësi e heshtje po u thonin fëmijëve të tyre, ishte andërr.
Poetja Dabishevci përmes këtij libri që për mendimin tim është një klithmë e zëshme dhe një britmë deri në kupë të qiellit, apelon për vetëdijësim e ndërgjegjësim, mbamendje, kujtesë dhe mosharresë.
Pavarësisht idhtësisë së ngjarjeve për të cilat ajo shkruan, poetja me ambëlsinë e gegnishtes së saj të rrjedhshme na i sjell në vëmendje katrahurat dhe lemeritë e një kohe të egër që la gjurmë në shpirtërat tanë dhe të mbarë njerëzimit.
Kush tjetër veç poetëve mund ta përcjell në breza shpirtin e një kohe, panoramën dhe dramën e saj.
Në rastin tonë është Donika Dabishevci.
Ah, bre Donikë, sikur të ishte andërr, e të mund ta shkulnim një herë e mirë dhimbjen nga damarët e kësaj toke, e për këta fëmijë të linddte një diell i ri!

16.04.2024

ObserverKult

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË U KUSHTOHET VIKTIMAVE TË LUFTËS NGA DONIKA DABISHEVCI

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË U JEP ZË VIKTIMAVE TË LUFTËS

GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË

AGRON GASHI: POETIKA E VDEKJES MIZORE TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”

AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA

BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE

TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT

AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!

DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!