Gani Halili, kosovari që e vizitoi liqenin më të madh termal nëntokësor në botë (Foto)

Liqeni Neuron është një liqen termal nëntokësor pranë Leskovikut në Shqipëri. I zbuluar nga shkencëtarë çekë në vitin 2025, ai është liqeni termal nëntokësor më i madh i njohur në botë, i vendosur 127 metra nën tokë. Ai ka një gjatësi prej 138 metrash, një gjerësi prej 42 metrash, një perimetër prej 345 metrash dhe përmban rreth 8,335 metra kub ujë termal.

Ekipi, i udhëhequr nga speleologu çek Marek Audy, përdori teknologjinë më të fundit të skanimit, duke përfshirë sistemin GeoSlam, një metodë 3D skanimi që krijon modele të sakta të formacioneve të shpellave. Audy deklaroi se gjithmonë e kishin tërhequr rajonet pak të eksploruara, dhe Shqipëria ishte një prej tyre. Fillimisht ai kishte ardhur si kajakist dhe kishte vënë re karakteristika në peizazh që i ngjanin zonave me shpella termale, që e inspiruan për eksplorime më të thelluara dhe që në fund çuan në zbulimin e liqenit.

Studiuesit çekë kishin eksploruar formacione nëntokësore në luginat malore pranë kufirit Shqipëri-Greqi për disa vite. Në vitin 2021, gjatë një ekspedite në Luginën Vromoneri pranë Leskovikut, ata identifikuan një sistem të madh shpellash me disa burime termale. Ndjekja e këtyre burimeve çoi në zbulimin e një humnerë 100 metra të thellë, të quajtur “Atmos”. Shkencëtarët konfirmuan ekzistencën e liqenit termal më të madh të njohur në fund të kësaj humnerë.

Që nga zbulimi i këtij liqeni interesimi për ta parë ka qenë shumë i madh, edhe përkundër vështirësive për t’u futur brenda tij.

Një nga ata që vendosi dhe e vizitoi brendësinë e këtij liqeni është edhe kosovari Gani Halili, i cili është i njohur për dashurinë që ka ndaj natyrës e sidomos ecjes dhe vizitës së vendeve “të vështira për shumicën”.

Ai tha se “takimi” me liqenin termal nëntokësor ishte një nga përvojat e tij më të mira.

“Një sfidë e jashtëzakonshme, një përjetim i veçantë me shumë adrenaline. Isha i shoqëruar dhe udhëhequr nga Xhemail Maliqi spelolog me përvojë 20-vjeçare, që është edhe i vetmi shqiptar aktiv në shoqatën e spelologëve zviceran”, tha Halili.

Halili tregoi edhe për bukuritë që i hasen në këtë vend.

“Është një vend që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Është gjë e mirë që ky liqen gjendet në tokën shqiptare dhe shumë shpejt do të bëhet atraksion”, tha ai.

Sipas tij tërë rrugëtimi i vizitës, futja dhe dalja nga ky liqen, zgjati 7 orë.

Gani Halili e përmendëm që është edhe adhurues i natyrës, ai madje ka botuar edhe një libër për bukuritë e rralla që posedojnë Kosova dhe Shqipëria.

Ky libri-enciklopedi i Gani Halilit titullohet “Në 100 maja më të larta ‘Kosovë & Shqipëri’, ku me fotografi, që vetë i ka shkrepur, dhe tekst përshkruhen mbi 100 maja të maleve tona në 260 faqe.

Halili na tregon edhe si lindi kjo dëshirë dhe pasion për majat e maleve në dy shtetet tona, Kosovën dhe Shqipërinë.

“Ndonëse gjithmonë e kam dashur natyrën, më parë nuk kisha mundësi që të dilja aq shpesh, për shkak të angazhimeve me punë të shumta që nga viti 1980. Pas largimit nga puna, në vitin 2013, m’u hapën mundësitë që fillimisht t’i intensifikoj ecjet gjithnjë e më të shpeshta në Parkun e Gërmisë e pastaj fillova ta zgjeroj rrethin nëpër zona malore si ajo e Rugovës, Sharrit, Alpeve Shqiptare”, tha ai.

I frymëzuar nga bukuritë dhe majat e shumta të larta që kanë këto vende, ai filloi të ngjitet në disa prej tyre.

“Ndërkohë, që nga viti 2018, këtij pasioni iu përkushtova edhe më seriozisht, meqë vendosa për t’u sfiduar edhe më shumë, duke i vënë vehtes detyrë për t’u ngjitur në të gjitha majat, dhe kështu ia dola që ta përmbush këtë, duke i përmbledhur dhe pasqyruar më pas të gjitha në një vend në këtë botim”, shtoi ai.

Në këtë libër janë të përfshira të gjitha majat më të larta në tërë territorin e Kosovës dhe Shqipërisë me shpjegime se ku gjenden, me përshkrime të shtigjeve të ngjitjes dhe gjatësinë e tyre, kohën e duhur për ngjitje dhe kthim, si dhe të dhëna për lartësinë mbidetare dhe disnivelin.

ObserverKult


Lexo edhe:

“MREKULLITË E SHQIPËRISË”, BBC WORLD CIKËL DOKUMENTARËSH PËR EKSPLORIMIN E BUKURIVE SHQIPTARE