Nga: Gani Mehmetaj
Ismail Kadarenë e takova për herë të parë në Prishtinë, më 1980. Kishte ardhur në promovimin e veprave letrare që ia botonte “Rilindja”. Në konferencën me gazetarë në Pallatin e Shtypit pati shumë të interesuar: intelektualë, shkrimtarë, gazetarë, artistë dhe njerëz të zgjedhur. Ishte elita intelektuale dhe kulturore e kryeqytetit. Ai fliste ndërsa të tjerët e dëgjonin. Emri i tij tashmë ishte bërë i famshëm ndër ne dhe në botë. Ai ishte mburrja dhe krenaria kombëtare, maestro i fjalës së shkruar. Pyetjet ishin të ndryshme, ndërsa përgjigjej me kujdes. Ishte ngjarje kulturore paraqitja e Ismail Kadaresë në Pallatin e Shtypit, diçka që rrallë shihej. Ai foli për letërsinë, për problemet e artit dhe për njohjen e ndërsjellë. Njerëzit e përpinin çdo fjalë të tij.
Ato ditë të qëndrimit të Kadaresë në kryeqytetin tonë, flitej se në Perëndim përgatitej xhirimi i filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, bashkëprodhim franko-italianë. Ishte romani i parë i një shkrimtari shqiptar, që do të bëhej film jashtë kufijve të shtetit. Edhe kjo ishte ngjarje, sepse po ekranizohej romani i Kadaresë. Nga redaksia e gazetës “Rilindja”, ku punoja, mora lejen që ta takoja shkrimtarin dhe të informoja lexuesit e gazetës. E takova në hotelin “Grand”, ishte në shoqëri me Helenën. Dy-tri hije lëviznin në cepat e korridoreve. Sapo u nda nga Ekrem Kryeziu, regjisor.
Në kërshërinë time, e vërtetoi se pritej fillimi i xhirimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, se do të vinte ekipi franko-italian në Shqipëri, projekti do të realizohej nga dy shtetet latine në terrenet shqiptare. Po ashtu, ma vërtetoi se do të luante Mishel Pikoli e Marçello Mastrojani, dy aktorë të famshëm të filmit. Për detaje të tjera nuk foli. Aq sa më tha, më mjaftonin për lajm gazete. “Rilindja” kishte tirazh 100.000 copë në ditë. Interesimi i lexuesve ishte i madh.
Ismaili dhe Helena ato ditë ecnin të shpenguar shëtitores së kryeqytetit të Kosovës. Njerëzit i shihnin me adhurim, por vetëm më të guximshmit afroheshin ose i përshëndesnin. Ta takoje a të bisedoje me të, ishte privilegj. Kadare qe shkrimtari më i famshëm shqiptar, që lexohej e komentohej në të gjitha qarqet letrare dhe jo vetëm letrare. Ndërkohë doli kompleti i veprave të Kadaresë.
Ndërkohë, shqiptarët po rizgjoheshin, Kosova ziente nga pakënaqësia e trajtimit të pabarabartë. Tendosja, por edhe euforia ndihej kudo. Pak muaj më vonë shpërthyen demonstratat e studentëve kundër diktaturës jugosllave. Të rinjtë kërkonin të drejta dhe liri më të mëdha kombëtare. Reagimi i regjimit ishte i ashpër. Pati qindra të vrarë e të plagosur shqiptarë, mijëra të arrestuar. Kosova u trazua si rrallë ndonjëherë.
Ndër të parët reagoi shkrimtari Kadare. Ai doli në mbrojtje të lirive dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi si asnjë shkrimtar tjetër shqiptarë. Ai e sulmoi shovinizmin serb. Nuk vonoi shumë dhe në shenjë hakmarrje, me urdhër të Beogradit, librat e Kadaresë u tërhoqën nga plan programet shkollore dhe nga libraritë në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi. Gjendja ishte e jashtëzakonshme, kishte orë policore, çdo përpjekje t’u kundërviheshe këtyre masave trajtohej vepër armiqësore.
Megjithatë, Ibrahim Rugova kritikoi qëndrimin jugosllav për heqjen e veprave të Kadaresë dhe të Mark Krasniqit. Në debatin që zhvilloi në tribunë, ai tha se të krijosh kulturën tënde nuk është provincializëm, siç preferojnë disa kozmopolitë, që vërtet duan të ruajnë provincializmin e vet. Të merresh me vetën njëherësh është individualizëm dhe universalizëm dhe se pa individualitet nuk ka universalitet. Në të gjitha teoritë estetike e filozofike të sotme çmohet vepra e shkrimtarit dhe nuk vendoset njëanshëm për te në bazë të personalitetit qytetar të shkrimtarit, sepse vepra e mirë gjithmonë e kapërcen personalitetin qytetar të shkrimtarit.
Është e natyrshme që programi shkollor të pasqyrohet me vlera të reja dhe të përparohet, por jo të cungohet, siç është rasti i heqjes së një vepre të mirë të Mark Krasniqit dhe i gjithë krijimtarisë së Ismail Kadaresë. Po të vepronim kështu, atëherë do hequr edhe shkrimtarë të tjerë, si bie fjala Andriqin, i cili me 1939 ka bërë një elaborat për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë, po ne e mësojmë sepse me veprën e tij e ka tejkaluar personalitetin e tij qytetar dhe politik. Për vepra të shkrimtarëve të tillë ne kemi nevojë.
Pra, insistoj për një dialog demokratik e të lirë për kulturën, pa etiketime, pa abuzime politiciste e pseudoshkencore e pseudopolitike dhe për një respektim e barazi të kulturave kombëtare, sepse demokracia dhe liria e bëjnë kulturën kulturë, krijim dhe nevojë shpirtërore të njeriut. Kur fliste Rugova, atmosfera ishte e nderë, gjendje shtetrrethimi.
Herën e dytë, Kadarenë e takova në Tiranë në restorantin “Juvenilja”, pas 24 vitesh. Ai qe bërë edhe më i famshëm, arriti kulmin e krijimtarisë, u ekranizuan disa filma artistikë sipas romanëve të tij, ishte në kreun e shkrimtarëve më të mirë të botës. Unë i kisha lexuar veprat e reja që i botonte, i kisha ndjekur pothuajse të gjitha intervistat e prononcimet në mediat ndërkombëtare. Ai u bë engjëlli ynë mbrojtës, në kohën kur shqiptarët e Kosovës përpëliteshin për jetë a vdekje. U angazhua më shumë se askush tjetër, ndërsa fjala e tij çonte peshë në opinionin botëror. Për këtë ishim falënderues të gjithë. Ai e preku dhe e zgjoi ndërgjegjen e botës demokratike. Me shkrimet e tij u angazhua më shumë se të gjithë shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë për lirinë e Kosovës, e përçonte zërin e shqiptarëve më fuqishëm se askush tjetër, kritikonte dhe alarmonte.
Në disa raste mori qëndrim të rreptë ndaj Ibrahim Rugovës, president i zgjedhur nga shqiptarët e Kosovës, duke ia parë për të madhe politikën paqësore. Edhe këto shkrime ia botoja. Por këtu i hynte në hak Rugovës, i mungonin informatat ose ia shtrembëronin gjërat njerëzit që e takonin dhe që ai u besonte. Prandaj, në dy-tre shkrime mora qëndrim kritik ndaj tij, duke ia parë për të madhe rreptësinë. “Si do të reagonte ai, po të qe në lëkurën e Rugovës në Kosovën e okupuar?”, e pyeta në fund të shkrimit.
Takimi pas 23 vjetësh me të ishte i këndshëm, ishte i pranishëm edhe Bujar Hudhri, botuesi i “Onufrit”, me të cilin patëm lënë takim për mundësinë e botimit të librit tim për filmin. Erdha nga pushimet në Shëngjin. Në ambientet e ngrohta të “Juveniljes” biseduam për çështje nga më të ndryshmet, për fenomenet devijante të shoqërisë shqiptare, për shqiptarët e Maqedonisë, për të cilët Kadareja ishte i brengosur me të drejtë, druante se i kemi humbur me përcaktimin e tyre oriental të fanatizmit islamik. Në këto tema, orientimi im ishte i njëjtë me ato të shkrimtarit të madh. Por raporti i dikurshëm me Rugovën rrinte pezull në ajër.
“Unë i kërkova falje Rugovës për kritikat që i bëra”, më tha ndër fjalitë e para. “Gabova, i kërkova falje dhe mbetëm miq”. “Burrat e mëdhenj, kur gabojnë kërkojnë falje”, i thashë, i bindur se ai ishte ndër ata burra. Me kujtohej ardhja e I. Kadaresë në Prishtinë te Rugova, jo shumë kohë pasi u çlirua Kosova. Më kujtohej edhe konferenca e shtypit që organizuan dhe miqësinë që e vazhduan. “Rugova e pranoi faljen time”, më tha, sikur të qe shkarkuar nga një barrë.
Rugova e kishte mbrojtur veprën e Ismail Kadaresë shumë vjet më parë me një shkrim publik, ku thoshte se nuk duhet ndaluar vepra e shkrimtarit nëse politika zyrtare nuk pajtohej me prononcimet e tij publike. Kadare kishte kritikuar rreptë politikën jugosllave për dhunën e terrorin që ushtronte ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Prandaj u tërbuan zyrtarët jugosllavë. Kritikën e Ismailit e dëgjuam i madh e i vogël në Radio Tirana. Këto kujtoja kur po bisedonim.
Me Kadarenë biseduam edhe për shumë çështje politike, për mediokret në letërsi e në politikë, për intrigat e ulëta e për ndërskamsat. U përpoqa ta bindja se nuk vlente të shpenzonte energji me disa individë që nuk ishin të barabartë me të. Nuk kanë ndikim politik e kulturor, sulmet e tyre nuk ia errësonin famën mjeshtrit të madh. U ndamë miqësisht.
Herën e tretë, takimi ishte më kuptimploti, me një arsye të veçantë: shkoja me romanin tim “Zogjtë e qyqes”, që kishte marrë Çmimin “Kadare 2021” nga juria e Institutit Europian “Pashko”. Kishte dhjetë vjet që isha futur në ujërat e letërsisë, pasi u mora kohë të gjatë me kritikë filmi, gazetari, skenarë, prodhimtari filmi artistik dhe me drama. Kisha lexuar çdo gjë nga Kadareja, por asnjëherë nuk e kisha marrë një nënshkrim të mjeshtrit të madh, ndërsa edhe nga familja ime kishin nënshkrime të tij, që më vinte maraz pse ata po e unë jo. Edhe kësaj here nuk mora firmën e tij, por ia dhashë romanin tim me kushtim e firmë. Një libër ia kushtova edhe Bujar Hudhrit, botuesit të “Onufrit”. Vazhduam bisedën pa u përqendruar në ndonjë temë të veçantë, por me një ndjenjë se hera e tretë ishte ndryshe nga dy herët e kaluara, kishte më pak shqetësim e më shumë emocione.
Kush e kishte menduar se do të kishte herë të tretë. Por rastësia është mbret i botës. Nuk i dihet, prapë mund të takohemi me ndonjë shkas të veçantë./(panorama.com.al)
(Titulli i autorit: “Kadareja në disa pamje”)
Lexo edhe:
KUR ISMAIL KADARE I SHKRUANTE LUFTAR PAJËS…
ObserverKult