Garë me “kapuça”

I rrethuar nga Bjeshkët e Istogut, Kaliqani fshat në Istog, gëzon pamje të mrekullueshme natyrore.

Ky fshat vazhdon të ruajë traditat e vjetra shqiptare, duke nisur nga odat të cilat atje, gëzojnë thuajse të njëjtin funksion si dikur.

Madje, një nga odat e njohura të fshatit Kaliqan, mblodhi një numër të madh burrash e të rinjsh nga rajone të ndryshme, për t’u ngjallur nostalgjinë e lojës me kapuça.

Ishte “Kampionati i Kosovës në Lojën me Kapuça”, i organizuar nga Klubi Alpin Podguri nën Patronatin e Federatës së Lojërave dhe Sporteve të Kosovës.

E siç e do tradita, i gjithë organizimi i përcjellë nga disa fjalime, nis me këngë e valle. Ndër to, u luajt edhe “Vallja e Podgurit”, nga dy të rinj të veshur me motive kombëtare, raporton “SOT” i KTV-së.

Radha po i vinte lojës me kapuça, arsyes kryesore të mbledhisë në këtë odë.

Të ndarë në disa grupe ashtu siç e do rregulli i lojës, kundërshtarët u përkisnin trevave të ndryshme.

Mes tyre, këtë lojë me histori shumëvjeçare e bënte të veçantë prezenca e 94-vjeçarit nga Malisheva, Ismail Krasniqi.

Edhe pse në moshë, përballë një të riu, ai nuk dorëzohej lehtë.

Një ide e tillë e jetësuar për herë të parë në një natyrë Kampionati, u lartësua edhe nga të ftuarit.

Mes këtyre dashamirëve të traditave të vjetra, kishte edhe të tillë që kishin ardhur nga mërgimi për të parë nga afër këtë ngjarje.

Një mbrëmje e tillë nuk kishte si të mbyllej pa një darkë me ushqimet tradicionale, pasi që burrat po i priste një mbrëmje e gjatë me lojëra e muzikë./ktv