Gazmend Kapllani vlerësohet me çmimin “Shqiptari i vitit” në Çikago

Shkrimtari Gazmend Kapllani dje ka marrë çmimin “Shkrimtari i vitit” nga Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane në Çikago.

Siç ka njoftuar Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, Kapllani është vlerësuar për krijimin e programit të parë ndërdisiplinor të studimeve shqiptare në Universitetin DePaul.

“Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane vlerëson shkrimtarin Gazmend Kapllani me çmimin “Shqiptari i vitit”. Kapllani, anëtar i Këshillit Kombëtar të Diasporës, u vlerësua dje në Çikago për punën e tij në krijimin e programit të parë ndërdisiplinor të studimeve shqiptare në Universitetin DePaul në Çikago”, thuhet në njoftim.

Kurse shkrimtari Kapllani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, është shprehur mirënjohës për këtë çmim.

“Pata nderin ta pranoj çmimin “Shqiptari i vitit” në Chicago, nga Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (një nga shoqatat shqiptaro-amerikane më të vjetra dhe më prestigjioze në Amerikë). Është dhurata më domethënëse për fillimin tim të ri në Universitetin DePaul”, ka thënë ai.

Po ashtu, Kapllani ka thënë se “Shqiptari i vitit” është ndër çmimet që e ka përmbushur atë më së shumti gjatë karrierës së tij si shkrimtar dhe gazetar, përcjell albinfo.ch.