Nga Gerard Genette
Në Francë- disa vite më parë – vetëdija letrare po zhytej në një proces involutiv paksa shqetësues: polemika midis historisë letrare dhe “kritikës së re”; debate të errëta, në brendësi të vetë “kritikës së re”, midis një të vjetre dhe një të reje “të re”, e para ekzistencialiste dhe tematike, kurse e dyta me frymë formaliste dhe strukturaliste; shtim jo i shëndetshëm i studimeve dhe hetimeve mbi tendencat, metodat, prespektivat dhe udhët pa krye të kritikës. Nga ndarja në ndarje, nga reduktimi në reduktim, studimet letrare tashmë dukeshin përjetësisht të prirura për ta kthyer gjithnjë e më shumë fokusin nga vetja, dhe për t’u mbyllur në një ringjallje, endje, narciziste, sterile dhe në fund të fundit vetëshkatërruese, duke arritur të përmbushë parashikimin e Valéry-së në 1928: “Ku po shkon kritika? Shpresoj, drejt shkatërrimit të saj.”
Në një situatë kaq e papëlqyeshme, gjithsesi, mund të jetë thjesht dukje. Çdo lloj reflektimi paksa serioz mbi kritikën, efektivisht, mbart me vete një reflektim mbi vetë letërsinë: qartësisht e dëshmon, për shembull, rrugëtimi i ndjekur nga Prust-i tek Contre Saint-Beuve.
Një kritikë mund të jetë thjesht empirike, primitive, mendjelehtë, e pamenduar, “e egër” një metakritikë nga ana tjetër nënkupton gjithmonë një “ide të caktuar” për letërsinë, dhe ky mendim i nënkuptuar është i destinuar të bëhet i qartë brenda një kohe jo shumë të gjatë. Le të shohim tani se si një fakt në një farë kuptimi negativ mund të bëhet, për ne, relativisht pozitiv: nga vite spekulimesh dhe studimesh të mundimshme të kritikës mund të burojë ajo që prej më shumë se një shekulli, nga ka munguar aq shumë- saqë na ka bërë të humbasim madje edhe vetëdijen për një mungesë të tillë; një impass i dukshëm i kritikës mundet pra të çojë në një rilulëzim të teorisë letrare.
Duhet folur pikërisht për rilulëzim duke qenë se – nën emrin e poetikës dhe të retorikës – teoria e ‘’gjinive’’ dhe, në një kontekst edhe më të përgjithshëm, teoria e diskursit, datojnë, siç dihet që nga anktikiteti më i largwt: që nga Aristoteli deri tek La Harpe, në mendimin perëndimor, u ruajtën të dyja, deri me ardhjen e Romantizmit. Ky i fundit, duke e spostuar vëmendjen nga format dhe gjinitë drejt “individëve krijues”, e sakrifikoi këtë reflektim gjeneralist në favor të një psikologjie të veprës letrare tek e cila, që nga Saint –Beuve dhe ndjekësit e tij, është mbajtur në këmbë ajo që, sot, quhet kritikë. Por edhe nëse kjo psikologji pajiset (apo tjetërsohet) në mënyra të ndryshme me perspektivë historike apo psikoanalitike (frojdiane, jungiane, bashëlardiane e kështu me radhë), ose me sociologji (markiste ose jo), nëse anon më shumë nga autori si individ apo nga lexuesi (nga vetë kritiku), apo nëse edhe njëherë tenton të mbyllet në ‘’imanencën’’ problematike të veprës, ndryshime të tilla të theksit nuk modifikojnë kurrë në mënyrë rrënjësore funksionin thelbësor të kritikës, i cili mbetet ruajtja e dialogut midis një teksti dhe një psike të vetëdijshme dhe/ose të pavetëdijshme, individuale dhe /ose kolektive, krijuese dhe/ose receptuese.
Madje edhe projekti strukturalist, në fund të fundit, shumë mirë mundet të paraqesë në këtë kuadër thjeshtë një nuancë: të paktën, duke e kufizuar vetëm në atë aspekt të tij, sipas të cilit ai konsiston vetëm në studimin e ‘’strukturës’’ (ose “strukturave”) të një vepre, të konsideruar, në mënyrë pak fetishizuese, si një ‘’objekt’’ i mbyllur, i përplotësuar, absolut: pra, pashmangshmërisht, duke synuar motivimin (duke ofruar një justifikim përmes procedurave të analizës strukturore) e një mbylljeje të tillë dhe, në të njëjtën kohë, vendimin (ndoshta arbitrar) ose rrethanën (ndoshta rastësore ) që e krijon: duke harruar paralajmërimin e Borges-it që idenë e veprës së përmbushur e bën të kushtëzuar “nga lodhja dhe nga supersticioni”. Që prej afro gjysëm shekulli, në përballjen e vet me historinë letrare, kritika moderne është sforcuar të ndajë konceptet e veprës dhe autorit në perspektivën e vet taktike (shumë të kuptueshme) për të kundërvënë të parën me të dytin, përgjegjës për shumë teprime dhe aktivitete ndonjëherë të pavlefshme.
Sot fillojmë të ndjejmë faktin se si këto janë të ndërlidhura dhe se si çdo formë e kritikës është detyrimisht e mbyllur në rrethin vicioz të referimit të ndërsjellë mes tyre.
Rezulton i qartë gjithashtu fakti se si statusi i veprës si e tillë nuk e shter aspak realitetin (dhe as “letraritetin”) e tekstit letrar. Diçka akoma më e rëndë është fakti se: vepra (imanenca e saj ) nënkupton një sasi të dhënash të cilat e kapërcejnë atë dhe kanë të bëjnë me fushën e gjuhësisë, të stilistikës, të semiologjisë, të analizës së diskursit, të logjikës narrative, të tematikës së gjinive dhe të epokave, etj. E pra, kritika – si e tillë–gjendet në situatën e parehatshme për të mos qenë në gjendje të bëjë pa të dhëna të tilla, por gjithashtu edhe të mos i kontrollojë dot. Pra, duhet të pranojë nevojën e një disipline, që me autonomi të plotë, të marrë mbi vete ato forma studimi të pakushtëzuara që nuk lidhen me veçanësinë e një vepre të caktuar: dhe që mund të jetë vetën një teori e përgjithshme e formave letrare –le të themi pra një poetikë.
Nëse më pas një disiplinë e tillë, duhet ose jo, të kërkojë të formësohet si “shkencë” e letërsisë, me ngjyrimet e papëlqyeshme që –në këtë fushë –mund të sjellë përdorimi i nxituar i termit, ndoshta është një problem dytësor. Gjithsesi është e sigurt që vetëm një disiplinë e tillë mundet ta pretendojë një gjë të tillë, duke qenë se, siç e dinë të gjithë (por që tradita janë pozitiviste, adhuruese e “fakteve” dhe indiferente ndaj ligjeve duket se e ka harruar prej kohësh), e vetmja ‘’shkencë’’ e mundshme është ajo e të ‘’përgjithshmes’’.
Më shumë se një studim i formave dhe i gjinive në kuptimin që i jep retorika dhe poetika në epokën klasike (gjithmonë të prirura, që nga Aristoteli e këndej, për të ndërtuar traditën sipas normës dhe për të kanonizuar eksperiencën) tani bëhet fjalë për një eksplorim të të ndryshmeve mundësi të diskursit, në raport me të cilat veprat e shkruara tashmë dhe format e përdorura deri tani shfaqen po aq si raste të veçanta përtej të cilave përvijohen kombinime të tjera të parashikueshme, ose të deduktueshme. Është njëri prej kuptimeve të mundshme që mund t’u jepen formulave mjaft të njohura të Roman Jakobson-it, që si objekt të studimeve letrare propozojnë jo letërsinë, por letraritetin, jo poezinë, por funksionin poetik: në një këndvështrim akoma më të përgjithshëm, objekti i teorisë në një rast të tillë nuk do të ishte vetë realja, por tërësia e virtuales letrare.
Kundërvënia e një poetike të hapur ndaj asaj të mbyllur të klasikëve, dëshmon qartazi që nuk bëhet fjalë (ashtu siç mund të besohet) për një rikthim tek e shkuara parakritike, por krejtësisht për të kundërtën. Ose teoria letrare do të jetë moderne, dhe e lidhur me modernitetin e letërsisë, ose nuk do të jetë asgjë.
Duke paraqitur programin mësimor të poetikës, Valery deklaronte me kryeneçësi të shëndetshme (gjthsesi e justifikuar) se “përtej prirjes për të zëvëndësuar apo kundërshtuar historinë letrare, objekti i kësaj mësimdhënieje do të ishte ai që t’i ofronte historisë letrare në të njëjtën kohë një hyrje, një kuptim dhe një qëllim”. Marrëdhëniet midis poetikës dhe kritikës mund të jenë të tipit analog, me këtë variant-thelbësor– që, ndërkohë që poetika e Valery-së nuk kishte në këmbim pothuajse asnjë pritshmëri nga hsitoria letrare, e cilësuar prej tij si “tymnajë e madhe”, teoria letrare në fakt ka shumë për të fituar nga punimet e veçanta kritike. Nëse historia letrare nuk është aspak një “tymnajë’’, ajo është gjithsesi në mënyrë të dukshme, ashtu si teknikat psikologjike të deshifrimit dhe stabilizimit të një teksti (dhe në fund të fundit shumë më tepër), për një disiplinë e bashkangjitur në studimin e letërsisë, në të cilën eksploron eksluzivisht aspektet dytësore (biografinë, kërkimin e burimeve dhe të ndikimeve, gjenezën dhe ‘’fatin’’ e veprave, etj).
Kritika është, dhe do të mbetet, një qasje thelbësore, dhe mund të parathemi që e ardhmja e studimeve letrare qëndron thelbësisht në ndërkëmbimin e nevojshëm midis kritikës dhe poetikës – në vetëdijen dhe në ushtrimin e përplotësueshmërisë së tyre.
*Shkëputur nga libri “Figura III”, Gerard Genette, botuar nga “dy Lindje, dy Perëndime”,
Përktheu: Mirela Shella
Përgatiti: ObserverKult
————————–
Lexo edhe:
LIRIKË PIKËLLIMI PËR TË BIRIN E NDJERË NGA ALI PODRIMJA: LUM LUMI