Po ktheheshim në shtëpi pas dy ditësh pushimi në bjeshkë. Rruga me kthesa të ashpra hapej mes thepave shkëmborë. Ishte ditë e ngrohtë shkurti.
Isha duke e shikuar ndryshimin e ngadaltë të pamjeve të natyrës përtej xhamit shkaku i lëvizjes së veturës që po lëshohej teposhtë rrugës kur na ndali një polic. Miku im V., e hapi xhamin, polici tha se kishte ndodhur një aksident, nuk ka pësuar askush, iu përgjigj interesimit të ftohtë të mikut tim, por, e kuptuam, duhej ta parkonim veturën pranë një shkurreje, në një copë lëndinë të ngushtë anash rrugës e të prisnim. Rruga është krejtësisht e bllokuar nga aksidenti, derisa të vijnë zjarrfikësit për ta hapur, mund të kalojë shumë kohë, prandaj, vazhdoi polici, do t’ju këshilloja ta pinit nga një kafe në atë kafenenë atje më lart dhe bëri me dorë në drejtim të disa pishave.
Kafeneja ishte në të vërtetë një skele e ngritur mbi një cep të ngushtë uji të liqenit të vogël, i cili mbushte ngathtë ngushticat e grykave rrëzë kodrave të gurta. Ai ishte liqen i vogël artificial, por unë, gjatë rrugës për në bjeshkë dhe kthimit që andej, asnjëherë nuk e kisha vërejtur këtë kafene buzë tij. Brenda ishte ngrohtë, kafeneja kishte dritare të mëdha, nga tavani e deri në dysheme, pamja ishte e bukur dhe, posa u rehatuam, vërejta që në ujë, atje poshtë, jo më larg se njëqind metra, diçka interesante po pluskonte mbi valët e lehta. Nuk ishte barkë, njëherë na u duk sikur derë e ngushtë e zezë dhe vetëm kur ne të tre i ngulëm sytë mirë, e kuptuam se ishte një arkivol, asi luksoz.
E morëm vesh pasojën e aksidentit. Nga vendi ku u ulëm, e imagjinuam edhe skenën e ndodhur më herët, atje më poshtë, në rrugë: makina që bartte arkivolin ishte ndeshur me një kamion me rimorkion plot rërë. Makinës, nga goditja, i ishte hapur dera e prapme, arkivoli kishte rënë në asfalt dhe pastaj kishte rrëshqitur teposhtë bregut të thepisur, duke përfunduar në ujin e liqenit. Kamionit i ishin hapur kanatat dhe rëra ishte derdhur rreth e rrotull tij, kryesisht në anën e djathtë, midis rrugës.
Miku im V., njëherë buzëqeshi, pastaj tha se arkivoli ishte bosh. Unë nuk arrita të bëja ndonjë konstatim, nuk e kisha idenë, megjithatë arkivoli dukej i lehtë mbi valë, madje disi gazmor, i lirë. Miku tjetër, që gjatë udhës së kthimit qëndronte prapa në makinë e kohë pas kohe tregonte barsoleta, tha se ishte me kufomën brenda. Por, nuk vumë bast. Nuk vinim asnjëherë baste. Ne thjesht shkonim nganjëherë në bjeshkë, në vilën e V., trashëguar nga i ati. Një vilë e bukur, rrethuar me ajër të pastër, pisha, kroje dhe qetësi.
Nuk vumë bast. Ne nuk vëmë kurrë bast, thashë me vete. V., i tha ato fjalë sa për të bërë pak humor të zi, siç e kishte nganjëherë zakon. Mirëpo, ishte a nuk ishte bosh arkivoli? E shikoja teksa pluskonte mbi valë. Copa druri të prerë kushedi nga çfarë lisi a peme, të bëra dërrasa, të rregulluara, të lyera me të zezë, me cepat e gdhendur, pa ndonjë shenjë përmbi, as kryq, as hënë e yll, as yll Davidi, hiq asgjë. Kjo nuk është me rëndësi, thashë. Është apo nuk është bosh? Makina që e bartte ose po shkonte ta merrte të vdekurin, gjithsesi ishte nisur për ta dërguar në varreza, edhe pse nuk kishte ndonjë varrezë në afërsi, për aq sa mbaja mend; dhe kishte kohë të gjatë që shkoja bashkë me miqtë në bjeshkë, për një a dy ditë, i kisha shëtitur ato anembanë, kisha parë shtëpi të izoluara, të varfra, njerëz me fytyra sikur gur, por mikpritës, bagëti, përrenj, ujëvara të holla, livadhe të vogla mes lisave, kafshë të ndryshme, njëherë edhe një ujk të parrezikshëm, por nuk kisha parë kurrë ndonjë varrezë. Bjeshka, kur i hipja në shpinë, atje lart te qielli, m’i jepte dy ndjesi: parëndësinë dhe përjetësinë.
Arkivoli vazhdonte të pluskonte mbi ujin që kishte filluar të nxihej; po vinte muzgu i asaj dite të ngrohtë shkurti. Dielli këtu perëndonte më herët, duke shpërndarë në qiell rrezet e fundit të vetat e pastaj, ngadalë, gjithçka vinte duke u errësuar. Ishte apo nuk ishte bosh? Ktheva sytë nga V., ai po shikonte diçka në telefonin e vet të mençur. Interesant, tha, kur më hetoi që po e shikoja. Paska lidhje të fortë interneti kjo kafene! Pas një sekonde vazhdoi të fliste për ndjenjën e rëndë të pikëllimit që ia shkaktojnë lajme të caktuara. E kishte lexuar diku, pikërisht atyre çasteve, një rrëfim të shkurtër për fëmijët luftëtarë, për vdekjet e tyre në luftërat e të mëdhenjve. Pasi i tha këto, më shikoi shkurtimisht, hoqi syzet me dioptri, i fërkoi sytë e ballin, kroi hundën, i vuri syzet dhe filloi të zhytej prapë në ekranin e telefonit. Miku tjetër, N., ai i karrigeve të prapme të veturës, kishte kohë i zhytur në ekran. Shkruante me dikë. Pas pak e hetoi që po e shikoja, ngriti kokën e buzëqeshi. Kush të ka faj që ke hequr dorë nga teknologjia, më tha. Përkohësisht, ia ktheva. Po përpiqem të rezistoj sa të mundem. Qeshi. Shikoje arkivolin pra, ma ktheu.
Bregut të thepistë po lëshoheshin dy zjarrfikës, që kishin mbërritur para pak minutash. Veprimet e tyre nuk i kuptoja. Njëri mbante në dorë një litar të gjatë me një si çengel në krye, kurse tjetri përpiqej ta lidhte anën tjetër të litarit për shkurreve aty pranë. Por, shkurret ishin të vogla, me degë të dobëta. Pas pak, zjarrfikësi i parë la çengelin, u ngjit me shpejtësi lart në rrugë dhe pasi foli diçka me policin, ky i fundit shkoi e u përpoq ta afronte veturën e policisë te gremina e vogël. Fundin e litarit zjarrfikësi e lidhi për pjesën e prapme të veturës së policisë dhe, pasi u lëshua në greminë, kapi çengelin dhe e hodhi në drejtim të arkivolit. Mirëpo, arkivoli tashmë ishte larg bregut dhe po ikte tutje drejt mesit të liqenit duke pluskuar mbi ujë. Uji vazhdonte të nxihej dhe nga pika ku gjendesha tashmë arkivoli pothuajse ishte shkrirë në të, kështu që e dalloja me shumë vështirësi. Vetëm dritat e makinës së zjarrfikësve, të lëshuara mbi liqen, e shquanin nganjëherë. Kur dukej qartë, arkivoli vazhdonte të pluskonte i përgjumur. Zjarrfikësit hoqën dorë nga çengeli. Dy shoferët, edhe i kamionit, edhe i makinës së arkivolit, qëndronin pranë njëri-tjetrit, si miq të vjetër dhe pothuajse vetëm shikonin. Dukej se nuk kishin pësuar gjë nga aksidenti.
Barkë, thashë me vete. Po të kenë barkë, mund ta nxjerrin lehtë.
Shpeshherë ndodh që mendime të njëjta ose të ngjashme të lindin në të njëjtën kohë në koka të ndryshme. Nuk shkuan as dhjetë minuta kur një dritëz u shfaq në mes të liqenit dhe sa vinte e rritej. Po ashtu edhe zhurma e një motori. E mora me mend që policia e kishte kërkuar ndihmën e peshkatarëve. Por, barka ishte e vogël për ta mbajtur brenda arkivolin luksoz, sigurisht të rëndë. Dy peshkatarë u munduan ta ngrehin e ta fusin në barkë, por natyrisht që nuk arritën. Përpjekja e tyre ishte më shumë dëshmi pamundësie për zjarrfikësit dhe policinë. Nën dritat e makinës së zjarrfikësve peshkatarët bënin shenja mohimi me duar. Dukeshin sikur të arratisur që dorëzohen. Njëri nga ta shihej që fliste në telefon me dikë, mbase me policin.
Nëse lidhet arkivoli për barke, thashë me vete, mund ta afrojnë në breg, pastaj mund ta nxjerrin. Kështu edhe bënë pas pak. E lidhën, zhurma e motorit u përforcua dhe ngadalë e afruan te bregu. Zjarrfikësit e kapën dhe me ndihmën e peshkatarëve e ngritën me mjaft vështirësi përpjetëzës së humnerës dhe e qitën në rrugë. Polici u afrua te arkivoli i lagur dhe teksa e shikonte, nën dritat e makinave, dukej sikur prift me kapelë ushtarake.
Nuk kaluan as tridhjetë minuta dhe njëra pjesë e rrugës u lirua disi për qarkullim. Edhe pse, thënë të vërtetën, përveç veturës sonë, atypari kishin ngecur vetëm edhe dy vetura të tjera. Në njërën prej tyre ndodhej një vetmitar, që kishte zgjedhur ta shikonte skenën së afërmi, duke tymosur duhan, ndërkaq në tjetrën ndodhej një çift i ri, që kishin hyrë, po sikur ne, në kafene dhe kohë pas kohe qeshnin.
Pak para se të futeshim në veturën tonë, kërkova me sy shoferin e makinës së arkivolit, por nuk arrita ta shquaja, kështu që e pyeta policin nëse arkivoli ishte bosh apo jo. Ai më shikoi gjatë dhe u përgjigj se, në të vërtetë, nuk i kishte shkuar mendja të pyeste. Zakonisht nuk janë bosh, tha pas pak mendueshëm.
Zakonisht nuk janë bosh, përsërita.
Me rëndësi është se nuk mbeti atje në liqen, tha polici, u fut në veturën e vet dhe u zhduk.
2016