Gëzim Kame: Letër mikut tim Viktor Zhusti

Viktor Zhusti

Gëzim Kame: Letër mikut tim Viktor Zhusti

Viktor,

miku im i jetës dhe profesionit!

Mbrëmë, për të dytën herë, pas Vlorës, në Teatrin Kombëtar, ndoqa shfaqjen “Profesionisti”.

Kisha vite që nuk kisha ndjerë të tilla emocione estetike dhe profesionale, që buronin prej asaj që me aq mjeshtëri kishit zbuluar në skenë!

Ishte një “kuartet”, “teatër dhome”, ku çdo element ishte realizuar artistikisht, me masë e përpikmëri!

Së pari, dua të vë në dukje zgjedhjen e veprës, për forcën artistike e sidomos aktualitetin, aq të ngjashëm e të mprehtë, si të qe shkruar enkas për ne!

Përkthimi i shkëlqyer nga miku ynë i përbashkët, Timo Flloko, qartësia e dialogut, gjuha e pastër, e zgjedhur, konkrete dhe aktive, qe një ndër faktorët që spektatori i shumtë ndoqi subjektin me të tillë kujdes e kërshëri, që jo çdo herë ndodh në marrdhënien sallë-skenë!

Sigurisht, mbasë një vepre të zgjedhur e trajtuar me mençuri, “fshihet”, krinuesi, drejtuesi dhe organizatori i gjithçkaje në veprën skenike, që udhëheq trupën (ai që rëndom në zhargonin e skenës e quajmë qënie me tri kokë), regjisori, udhëheqësi artistik pedagogu dhe truri i atij krijimi skenik.

Kjo është dhe arritja më e madhe e regjisurës së Leka Bungos, prej të cilit kam parë disa shfaqje, por kjo, dallonte në çdo aspekt.

Asnjë synim për efekte të jashtme, “i fshehur” me kujdes në trajtimet dhe krijimet e aktorëve dhe njëkohësisht, prezent në çdo gërmë, mendim, detaj, pauzë skenike, ide dhe perceptim tërësor!

Të arrish të paraqesësh një ansambël unik në stil e me një gjuhë të thjeshtë teatrore (për mendimin e formimin tim) është rruga më e vështirë në regjisurë, është pjekuri artistike, që meriton vetëm lavdërim!

Element tjetër, kryesor, në veprën skenike, është padyshim aktori!

Viktor i dashur, në këtë rol ti ke një shpërthim aktoresk të rrallë, do ta quaja, një majë në galerinë e figurave të shumta që ke realizuar!

Ka mjaft aktorë, pa dyshim të talentuar, që e sjellin personazhin tek vetja, ekzistojnë objektivisht në skenë dhe janë të vërtetë e bindës në gjithçka bëjnë. Të tillë, janë shumica.

Ka dhe një “rracë” tjetër aktorësh (si më të rrallë) që, ndryshe nga të parët, dalin nga vetja, tjetërsohen, duke u përpjekur të krijojnë një figurë artistike, sa të plotë e të vërtetë, aq dhe të pangjashme me gjithçka të krijuar para kësaj.

Kjo, besoj, është një “specje” e rrallë!

Tek “Profesionisti”, pashë edhe një herë përjetimin dhe transformimin e thellë, i futur në lëkurën e personazhit, psikologjinë, emocionet, ritmin, timbrin e vokalit dhe syrin e tij!

Ky transformim nga vetja tek personazhi, cilësi e çmuar, jo e kudogjendur, kërkon eksperiencë, vullnet, këmbëngulje, kulturë, inteligjencë, cilësi këto, të një talenti të spikatur!

Të lumtë miku im dhe faleminderit për emocionet që më dhurove edhe kësaj here!

Dua të përshëndes dhe mikun tim Astrit Hasani, për vërtetësinë me të cilën interpretoi figurën e shkrimtarit.

Ishte një partner i denjë krah teje!

Më kishte marrë malli për të parë punë thellësisht të pjekura profesionalisht, që respektojnë spektatorin dhe jo egon e artistit, në podiumin e Teatrit, këtij Tempulli të shenjtë !

Urime të gjithëve!

Miku dhe kolegu yt,

Gëzim Kame.

ObserverKult


Lexo edhe:

LETRA EMOCIONUESE E VIKTOR ZHUSTIT PËR NDRENIKËN: SHËN PJETRI PO NA PRET NË QIELL PO NE KEMI AKOMA ARSYE PËR TË QËNDRUAR NË KËTË BOTË

Aktori i madh Robert Ndrenika festoi dje 81-vjetorin e lindjes.

Ne me këtë rast po botojmë këtë letër të Viktor Zhustit, të cilën ai ia niste dy vite më parë me rastin e festave të fundvitit.

Letra është vërtet emocionuese, ndaj po e ribotojmë, pasi janë fjalë zemre.

Letra e Zhustit për Ndrenikën:

Robert i dashur! Unë, përgjithësisht shkruaj urime dhe për Krishtlindje, dhe për Bajram, dhe për ditëlindje, dhe për ndonjë festë tjetër.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult