Nga Gëzim Tushi
Aktualisht si shoqëri jemi para faktit të kryer, kur interneti dhe mediat sociale po mbizotërojnë gjithnjë më tepër në jetën e përgjithshme qytetare, sidomos habitatin moshor specifik të të rinjve tanë. Kjo situatë e re sociale, e panjohur më parë, po shoqërohet me një varg dukurish të reja, të ndërlikuara që duhen kuptuar dhe interpretuar drejt, në raportin ekzistencial midis internetit, individit dhe sistemit të komunikimit virtual.
Duke qenë se sasia, intensiteti i përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale, në pikëpamje sasiore dhe cilësore është fenomen gjithëpërfshirës, me dimensionalitet në zgjerim, me tendencë të qartë agresive dhe eruptive, në shoqëri ka filluar të shfaqet një tendencë e unifikimit të informacionit që përdoret dhe konsumohet çdo ditë në mënyrë frenetike, pa pauza kohore nga “internautët” (përdorues të internetit), e shoqëruar kjo në mënyrë të pashmangshme me krijimin e një strukture egalitare, e cila po adopton modalitetet e reja të ngjashme në “ligjërimin publik”, ose të asaj që sociologët e kohës e konsiderojnë si “komunikim pa fytyrë”.
Duke analizuar këto tendenca sociale, prirje komunikative të ndryshuara radikalisht, duke i vlerësuar ato si pjesë përbërëse organike e strukturën aktuale, të ndërlikuar të komunikimit social, mendoj se kjo prirje përveç anës së ndikimeve të integruara si pjesë e jetës postmoderne, është e lidhur me faktin, se lidhjet konkrete fizike, direkte e të personalizuara midis njerëzve, po reduktohen, për shkak të ndikimit të prirjeve dhe mënyrës individualiste të sjelljes së njeriut, i cili jeton gjithnjë e më shumë në një shoqëri jo vetëm të izoluar dhe anomike, por edhe të “rrethuar” nga indiferentizmi social në zgjerim, apo sjelljet evidente agresive dhe armiqësore. Mjafton të shikojmë atë që ka ndodhur në këto tri dekada për të kuptuar shkaqet e situatës që ka sjellë dobësimin e lidhjeve, marrëdhënieve, strukturave kolektive të jetës sociale.
Ky proces i “qendërzimit tek individi”, bashkë me idolatrizimin e lidhjeve dhe komunikimit virtual, përveç kollajllëkut të interferimit të informacionit interpersonal, është bërë një mënyrë moderne e ndërtimit të moduleve të reja virtuale të ndërtimit të komuniteteve. Të cilat për shkak të prirjeve indiferente dhe individualiste, janë bërë të vështira të ndërtohen dhe funksionojnë si dikur në realitetet e vërteta ku jetojnë njerëzit tanë. Është e vërtetë që lidhja e njeriut me rrjetet sociale, është bërë prirje obsesive, virale, shprehje dominante e lidhjeve të reja, të ngushta, të pashmangshme të njeriut me teknologjinë. Realitetin duhet ta shikojmë ashtu si është, jo si duam të jetë.
Interneti, përdorimi intensiv dhe zgjerimi komunikimit përmes rrjeteve sociale është ndoshta nga dukuritë me peshë sociale konsistente e tipologjisë së jetës, marrëdhënieve të sotme në Shqipëri, me fuqi sociale dhe interpersonale me efekte të paimagjinuara më parë, për shkak të forcës ndikuese “imperialiste”, që demonstron publikisht mbi konceptet, praktikat jetësore, modelet dhe teknikat komunikative “online”. Si kurrë më parë “makineria mendore” e njeriut, pikërisht për shkak të teknologjisë së informacionit, fuqisë, kapaciteteve komunikative nuk ka qenë kaq shumë në veprimtari të ndërmjetësuar nga teknologjia e gjithë pushtetshme e komunikimit dixhital.
Në përgjithësi, duke bërë një vlerësim më të gjerë sintetik, duke i vlerësuar situatat dhe interferimet e njeriut me teknologjinë, në mënyrë sinkretike duhet të themi, se jemi përballë një “epidemie sociale” të papërmbajtur, të vështirë për ta disiplinuar apo vënë “nën kontroll”. Interneti dhe rrjetet sociale janë dukuri globale novatore, intensive, të përhapura në të gjithë fashat sociale demografike, moshore, kulturore dhe gjeografike. Padyshim, nuk mund të ndodhte ndryshe me njerëzit dhe shoqërinë tonë. Interneti dhe marrëdhëniet e njerëzve me të, duket se e ka bërë gjithnjë e më anësor marrëdhëniet sociale dhe lidhjet me mjedisin real.
Madje, edhe pse në pamje të parë duket sikur jemi me mundësi më të gjera për të qenë më të lidhur me njëri-tjetrin dhe shoqërinë, kjo nuk ndikon për ndërtimin dhe funksionimin e “komuniteteve reale” të llojeve dhe natyrave të ndryshme. Lidhjet e njerëzve përmes internetit kanë meritën formale, shërbejnë në një farë mënyre për krijimin në mungesë të komuniteteve dhe hapësirave reale, thjesht të “hapësirave virtualisht zëvendësuese”. Që edhe në shoqërinë tonë ka filluar t’i përgjigjet në mënyrë adekuate këtij realiteti empirik, duke qenë kompatibël me standardet e “universit të komunikimit normativ”, që lidhet me individualizimin e mënyrës së të jetuarit.
Por, raportet e shoqërisë shqiptare me internetin dhe ndikimet e rrjeteve sociale në komunikimin personal dhe publik duhen parë në mënyrë dialektike e relacionale, pa zvogëluar vlerën, por edhe pa fshehur negacionet dhe ndikimet e tyre në jetën sociale. Kohë më parë Eric Shmid, ish-shef (CEO) i “Google”, theksoi se, “…interneti është gjëja e parë që njerëzimi ka ndërtuar dhe që nuk arrin të kuptojë si funksionon, eksperimenti më i madh anarkik që kemi bërë ndonjëherë”. Në këtë epokë të globalizmit, teknologjisë dhe komunikimit dixhital, efektet dhe kundërefektet, epërsitë dhe defektet e këtij komunikimi do të ktheheshin dhe në fakt janë shndërruar në një problem social dikotomik. Me anën e vet pozitive në përshpejtimin e lidhjeve dhe komunikimit social, por edhe me shfaqjen e shumë problemeve, patologjive sociale sidomos te të rinjtë, nxënësit të shkollave apo edhe studentët.
Sasia e gjerë intensive, në rritje të pandërprerë e të rinjve që përdorin internetin dhe rrjetet sociale, ka sjellë një situatë të re në komunikimin personal dhe publik. Por duke i parë gjërat në thellësinë e tyre sociale, jo në sipërfaqen empirike, duhet kuptuar se interneti nuk i ka ngushtuar, por i ka thelluar më tej dallimet në fushën e mundësive. Mjafton të shikojmë raportet e të rinjve, marrëdhëniet e tyre problematike me shkollën dhe rrjetet sociale. Sociologët thonë se “…aktiviteti më i rëndësishëm që zhvillohet në shkollë nuk është mësimi, por ndërveprimi me grupet e shokëve…” dhe sipas tyre, “…hulumtimet e fundit tregojnë se fëmijët e të shkolluarve mësojnë ta përdorin internetin për të thelluar njohuritë e tyre, ndërsa fëmijët e atyre me më pak shkollë e përdorin për t’u argëtuar”.
Paul Collier, “E ardhmja e kapitalizmit”, f.254. Mbi të gjitha, ndikimi i shpejtë dhe pa rregulla i informacionit të shpejtë, të njëtrajtshëm në publikun shqiptar, në shumë raste është faktori që sjell shkulme të njëjta, të njëtrajtshme në kohë, të barabarta në sasi, të njëjta në cilësi. Kjo situatë është ndikuese në rrafshimin e nivelit sasior dhe shfaqjes së tendencës egalitariste që sjell “barazitarizmin të informacionit” të përdoruar apo të konsumuar nga njerëzit tanë. Sociologjikisht shoqëria është nën goditjet e këtij fenomeni, duke ndikuar në shfaqjen asaj dukurie thelbësore, të cilin sociologët e quajnë si shfaqje masive të “publikut egalitar”. Një proces që njerëzit i bën në të njëjtën kohë “shkrues” dhe “lexues”, vëzhgues dhe konsumues të ngjarjeve sociale, lajmeve të përditshmërisë së jetës, informacioneve të “bollshme” që prodhon “fabrika e politikës” shqiptare. Në mënyrë evidente, interneti dhe komunikimi përmes tij, është “rrënja sociale” e shfaqjes së fenomenit të ri të “publikut egalitar” në aspektin e informacionit të njëtrajtshëm që konsumon, që natyrshëm po shoqërohet me ndryshime sociale të diktuara në botëkuptim apo sjelljen individuale.
Ritmi i ndryshimeve nga ky “efekt egalitarist”, do jetë akoma më i përshpejtuar në të ardhmen. “Publiku egalitar” është element i ri “epokës teknologjike”, së fundmi edhe në strukturën sociale të shoqërisë tonë, me natyrë komplekse dhe dikotomike, që lidhet me ndikimet sociale të internetit. Është pozitiv fakti, që interneti dhe rrjetet sociale i kanë dhënë informacionit social “karakter demokratik masiv”, që qarkullon lirshëm përmes kanaleve të komunikimit social e lidhjeve të dedikuara interpersonale. Nuk mund të mohojmë, se ato kanë sjellë “demokratizim të skajshëm të komunikimit”. Por nga ana tjetër, paralelisht me “demokratizimin” e informacionit social, është krijuar një dukuri e re sociale e strukturore, që ka sjellë dhe është bërë shkak thelbësor për krijimin e një lloj “publiku egalitar”, si pjesë e shoqërisë me mundësi të barabarta në lidhjen, komunikimin dhe informacionin. Nxënësi e studenti, qytetari dhe banori rural, intelektuali dhe i papuni, pensionisti dhe të rinjtë, burrat dhe gratë, janë me të drejta të barabarta në këtë konsum të informacionit elektronik, qoftë politik apo kulturor, global, rajonal apo nacional, i vërtetë apo i gënjeshtërt.
Një rrjet që ka prekur politikën, ekonominë, arsimin, shkencën, kulturën, shëndetësinë, ushtrinë. Në pikëpamje sociale, kjo teknologji ka sjellë pasoja në strukturën e lidhjeve sociale e shoqërizimin human, sepse njerëzit janë më shumë të lidhur, presin më shumë drejtpërdrejt nga teknologjia, se sa nga lidhjet direkte me njëri-tjetrin. Sociologët mendojnë se diskutimet për raportet e njeriut dhe shoqërisë me internetin dhe komunikimin dixhital, duhen vlerësuar në mënyrë sintetike, sepse ndikimet janë gjithëpërfshirëse në ndryshimin e demokracisë. Por, në këtë situatë të shfaqjes dhe ekzistencës së “publikut egalitar”, ndërsa lidhjet virtuale midis tyre forcohen, lidhjet e vërteta midis njerëzve janë duke u copëtuar, deri në nivele të skajshme të shfaqjes së “njeriut të vetmuar”, me vartësi patologjike nga rrjetet sociale, i “vetëmjaftueshëm” në raportet, lidhjet e personalizuara në strukturën komunikative ngushtësisht virtuale. Ne nuk kemi statistika sa është përqindja e popullsisë që ka lidhje me internetin, apo sa herë në muaj njerëzit tanë përdorin “Facebook”-un.
Por me siguri që është në rritje masa sociale e njerëzve, që ka mundur, përmes telefonave celularë (smartfonëve) të kenë akses të zgjeruar në internet. Sepse tani jetojmë së bashku në “shoqërinë e informacionit”, “rrjetëzimit teknologjik të kapilarizuar”, të përfshirë nga fenomeni i “komunikimit të përshpejtuar”, duke e konvencionalizuar gjithnjë e më shumë realitetin, “ndarjen e shoqërisë”, si lidhje virtuale dixhitale nga shoqëria e vërtetë, reale. Dukuri të pranishme, me ndikim të gjerë kulturor, social dhe ontologjik, duke sjellë zhvillime të ndërvarura mbarë shoqërore. Unë besoj se sociologët e postmodernitetit kanë të drejtë në konstatimin e tyre, kur e tipizojnë shoqërinë e sotme me togfjalëshin adekuat si “shoqëri informacioni”, “shoqëri e rrjetëzimit”, “shoqëri mediatike”, të cilat janë të lidhura e ndërvarura midis tyre.
Padyshim, për shkak të niveleve të ndryshme të arsimimit dhe kualifikimit, raporti i qytetarëve me këto struktura të “publikut egalitar” dhe komunikimit modern për ndjekjen e vazhduar të zhvillimeve dhe intensitetit të informacionit, shtrirjes së mundësive të rrjetëzimit dhe mediatizimit dixhital, nuk është i njëjtë dhe nuk influencon në mënyrë të barabartë në strukturën sociale të “publikut egalitar”. Megjithatë, pavarësisht ritmeve, jemi në momentin kur interneti dhe rrjetet sociale, përtej fuqisë së njohur si potencial sui generis dhe aftësisë për të ridimensionuar konturet e shoqërisë përmes strukturimit social dhe elektronik, janë duke e sjellë prani të zgjeruar të tipologjisë sociale të “egalitarizimit të publikut”, të njerëzve që konsumojnë të njëjtin informacion në hapësirë dhe kohë, apo që për shkak të informacioneve tipike standarde, shpesh monotone, bën që njerëzit të përballen me fakte të vërteta e të rreme dhe për pasojë të “dridhen” nga të njëjtat ndjenja e emocione…/Gazeta Panorama
ObserverKult
Lexo edhe:
GËZIM TUSHI: E TMERRSHME/ FËMIJËT SOT DALIN NË NATYRË MË PAK SE TË BURGOSURIT!