Gëzuar zotni mësues, kurajo në këtë botë të pistë, ku më lart vlerësohet dhjami i barkut se gjeografia e shpirtit!

Prometejëve të njëmendtë të shkollës shqipe

Nga Fadil Sulejmani

GËZUAR VITIN E RI!
Gëzuar zotni Mësues! Paç vit të mbarë, të mbushur me suksese të reja në fushën fisnike të edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj!
Gëzuar për shumë vjet, shëndet e kurajo në udhën prej idealisti të papërmirësueshëm në botën e pistë, ku më lart vlerësohet dhjami i barkut se gjeografia e shpirtit!

Gëzuar në emër të pishtarëve që janë e që s’janë më; në emër të prometejëve të zjarrit, që ndriti shpirtin feniks t’atdheut të zënë peng nga tjetri dhe nga vetvetja; në emër të titajve, të cilëve ua kemi borxh mbijetesën ndër zamane t’acarta, kur shumëkushi s’ishte i këtuhit dhe shtirrej kinse s’di gjë për kastrimin e vijave identitere të etnisë që Zoti e bëri kismet per ne. Vetëm ti, zotni Mësues, s’lejove të ta përdhosë kush hijen, i ndërgjegjshëm se ke përballë injorancën e kultivuar me sistem ndër masa amorfe nga xhambazët shqipfolës, të cilët s’lanë gjë pa shitur në tezgat e djallit.

Gëzuar, nëse ke me se të gëzosh dhe kokën lart, si përherë – si dje kur ishim pre e një arushe, si sot kur jemi tebdilosur n’lisnajën e një dhie bishtpërveshur zgjebarake. Ti je mendja, zemra dhe shpirti i kombit fatkeq, pavarësisht vërshimit të sërishëm të ujërave të verdhë, të pistë, të zinj, të katrantë… të shtonave që rrjedhin plehut të madh të kohës, për të ta kujtuar se asgjë nuk ka ndryshuar thelbësisht. Ti duhet të jesh në krye të detyrës, si një vitore e përhershme vatani, se honorarxhinjtë e djallit dhe pobratinit të tij, të strukur madje dhe prapa Zotit, ta nëpërkëmbin idealin, ta ndërrojnë kodin gjenetik, ta shembin rozafatin.

Gëzuar për inat të plehut që të quan: me nder me thënë, që të pandeh të dobët, të paaftë, të padenjë për respekt. Të tillët thonë: mësuesi është ai që nuk pati kaçik të bëhet mjek, arkitekt, inxhinier, jurist, ekonomist, klerik… Po ti e di të vërtetën e kësaj meseleje: nëse do të kalbësh e të shfytyrosh një shoqëri, nise nga përulja e mësuesit.

Gëzuar, zotni Mësues, që me pagën e profesionit fisnik mund vetëm të ëndërrosh mirëqenien elementare, veturën, pushimin veror, statusin e merituar shoqëror… Është kohë zuzarësh kjo, kur idealet shndërrohen në çakërqejfe.

Gëzuar dhe mos u ligshto kur selanikëve mbijnë si preshi n’m… laboratorë minjsh të bardhë, të zinj, të murmë…, ku eksperimentohen metodat e shuarjes së frymës sonë në këste të padiktueshme.

Gëzuar, zotni Mësues dhe vazhdo të punosh si dikur për shpirtrobërit që s’e meritojnë lirinë. Bën diçka, pashë Atë që lëviz mjegullat, se përsëritja përsëritet përsëri. Sfido, pa frikë e pa zori, glembajët e jetës sonë politike, shoqërore e kulturore, matrapazët që janë në stinën e sigurimit të pashallëqeve stërnipore, jeniçerët postmodernë dhe idetë e tyre ahistorike, rekrutët në rritje n’tabore t’iblisit dhe gjithë ata që duan t’na bëjnë relikt.
Gëzuar, pra, zotni Mësues dhe dije se je më i domosdoshmi për atë që ëndërrojmë të jemi nesër. Ti je M Ë S U E S I!/

ObserverKult

————

Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: E SHKRUAR MË 31 DHJETOR