Khalil Gibran: Dashuria është një dobësi e lindur, e trashëguam nga njeriu i parë…

Nga Khalil Gibran

Dje ndenja përbri derës së tempullit, duke pyetur kalimtarët për të fshehtat dhe kthesat e dashurisë. Sakaq, para meje kaloi një plak me shtat të pakët dhe hijerëndë e duke rënkuar, tha: “Dashuria është një dobësi e lindur, e trashëguam nga njeriu i parë”.
Kaloi një i ri me trup të fortë me krahët e kryqëzuara dhe me zë ëmbëlak, duke kënduar tha: “Dashuria është një vendosmëri, që shoqëron prore qenien tonë dhe që lidh të tashmen tonë me të kaluarën dhe të ardhmen e brezave”.

Kaloi një grua me sy të trishtuar dhe duke psherëtirë, tha: “Dashuria është një helm vrastar.
Gjarpërinjtë e zinj, të rrëshqitshëm, e thithin atë në shpellat e Ferrit, kështu, rrjedh, duke u përhapur në hapësirë, pastaj bie e mbështjellë me piklat e vesës, ku shpirtrat e etur e pinë, dhe si pasojë dehen për një minutë, pastaj zgjohen për një vit, pastaj vdesin përjetësisht”.

Kaloi një vajzë e re, me faqe të përskuqura dhe duke buzëqeshur tha: “Dashuria është një lumë i pazakontë. Zanat e agimit e derdhin atë në shpirtrat e fortë, duke bërë që ato të lartësohen të ngrira para planeteve të natës dhe të notojnë duke kënduar para diellit të ditës”.

Një burrë i veshur me të zeza dhe me një mjekër të gjatë e të butë, duke u vrenjtur, tha: “Dashuria është një marrëzi e verbër, që nis me fillimin e rinisë dhe shter me mbarimin e saj”.

Një burrë me një fytyrë të ndriçuar e tipare të mefshta, i gazmuar, tha: “Dashuria është një dije sublime, që llamburit vegimet tona, kësisoj i shohim gjërat shkoqur”.

Një i verbër kaloi, duke shpupuritur tokën me shkopin e tij dhe duke klithur tha: “Dashuria është mjegull e dendur, që rrethon shpirtin nga çdo anë, duke ia pezulluar vragat e ekzistencës, e bën atë të mos shohë tjetër veç fantazmave të pritshmërive të saj, që dridhen mes shkëmbinjve, dhe të mos dëgjojë jehonën e britmës së saj, që vjen nga sekretet e luginës”.

Kaloi një djalë i ri, që mbante në dorë një kitarë dhe duke kënduar, tha: “Dashuria është një rreze magjike, që teptis nga thellësitë e shpirtit të ndjeshëm dhe feks skajet e tij, e së këndejmi ju e shihni botën të vrapojë nëpër lëndina të gjelbra, dhe jetën si një ëndërr të bukur, që rri e lartësuar midis zgjimit dhe zgjimit”.

Përktheu: Agron Islami

ObserverKult


gruaja ime dashuria nga khalil gibran

Lexo edhe:

KHALIL GIBRAN: A I DËGJON E UA VË VESHIN KËTYRE THIRRJEVE, KËTYRE ANKIMEVE?

O erë, që na kalon pranë herë duke kënduar ëmbëlsisht e butshëm. E herë duke shfryrë e duke kuitur, ne të dëgjojmë por nuk mund të të shohim.


E ndjejmë prekjen tënde por nuk mund ta shquajmë formën tënde. Je si një oqean dashurie që vërshen mbi shpirtrat tanë. Por nuk i mbyt ata.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult