reklamë

Gili Hoxhaj: Kur të tradhtojnë

Kur të tradhtojnë,
rrëzohen krejt fjalët
e bukura për dashurinë
që nëna t’i lexoi
si përrallë,
që duhet të përsëritet
deri kur mëson ta besosh.

Kjo bëhet
himni yt,
si betim për të mbrojtur
identitetin tënd,
pa ia lëshuar dorën tjetrit.

Bëje himn dashnie
edhe urrejtjen e të tjerëve
që kanë braktisur
mësimet më të bukura të jetës,
se pushteti
është fuqia e dashnisë për t’i dhënë
tjetrit.

Harroje tradhtinë
e të dashurit,
mikut,
mikeshës
dhe të gjithëve
që kanë kurajë të të vrasin
pasi të kanë buzëqeshur,
që kanë kurajë të të përqafojnë
pasi janë çjerrë
t’i këpusin krahët.

Kur nuk arrijnë t’i këpusin,
përqafimi u shijon
më shumë mbi krahët e lënduar
me të cilët humb fuqinë
edhe t’i largosh.

Mos e shiko askënd
derisa shikimin e ke të turbullt
dhe mendjen e trazuar.
Këtu kanë lindur
mizoritë më të mëdha të botës.

Askush, me të parën,
nuk e pranon tradhtinë
si akt të shëmtuar.
E pranon
kur ndërgjegjja bën vetëvrasje te tjetri,
derisa ti mëson të falësh.
Falja të liron nga
mëkatet që s’janë tuat.

Njeriu, kur është në gjendje
ta mbytë lumturinë që
të lidh me të,
shkëput një fije
të asaj që na bën njerëz.
Ti merre këtë fije
dhe bëje litar shpëtimi.

Njeriu nuk mbetet gjithmonë viktimë
e besimit të verbër.
Njeriu zgjohet fitimtar
kur arrin gjumin në paqe.
Ëndrra të këqija
leji aktet e shëmtuara të të tjerëve.

Fali të gjithë,
por mos e harro
asnjëherë
sa herë është dashur
t’i falësh
pa e vrarë
njeriun e mirë
brenda vetes.

*poezi e lexuar në Poezi për Fuqi nga Artpolis – Art and Community

ObserverKult


Lexo edhe:

Gili Hoxhaj: Ata që e jetuan jetën para nesh…