Nga Giovanni Sartori
Kthehemi te Homo Sapiens-i. Gjithë dijen dhe përparimin ky i fundit ia detyron të kuptuarit përmes aftësive abstraguese.
Dihet që fjalët që ndihin artikulimin e gjuhës njerëzore janë simbole që nxisin dhe ‘’paraqitje’’, pra që na ndërmendin përfytyrime e imazhe gjërash që i kemi parë, por kjo ndodh vetëm me emrat vetjakë dhe me ‘’fjalët konkrete” (shprehem kështu për thjeshtësi parashtrimi), pra me fjalët si shtëpi, krevat, tavolinë, mish, automobil, mace, grua e të tilla të ngjajshme, pra si të themi me ato të fjalorit tonë praktik.
Përkundër tyre, thuajse krejt fjalori ynë njohës e teorik përbëhet nga fjalë abstrakte, që s’kanë ndonjë korrespodent konkret në gjërat e dukshme e, si rrjedhojë, as mund të identifikohen e as të përkthehen në imazhe. Qyteti edhe mund të quhet ‘’i dukshëm’’, por kombi, shteti, sovraniteti, demokracia, përfaqësimi, burokracia e me radhë, nuk janë të tilla: janë koncepte abstrakte, të përpunuara nga procese mendore abstraguese, të cilat ekzistojnë si njësi të krijuara nga mendja jonë. Abstragime ‘’të padukshme” janë edhe konceptet e drejtësisë, legjitimitetit, të ligjshmes, lirisë , barazisë, të së drejtës (e së drejtave), e po ashtu edhe fjalët si papunësu, inteligjencë, lumturi. Madje, e gjithë aftësia jonë për të menaxhuar realitetin politik, social dhe ekonomik në të cilin jetojmë, e akoma me tej, nënshtrimi i natyrës ndaj njeriut, mbështetet eksluzivisht mbi të menduarin përmes koncepteve, që janë të padukshme, që nuk ekzistojnë për syrin. Të ashtuquajturin primitivë cilësohen të tillë pikërisht se në gjuhën e tyre përdorin vetëm fjalët konkrete (hiq përrallat), të cilat vërtetë krijojnë komunikimin, por ofrojnë pak aftësi shkencore-njohëse.
Për këtë arsye ata qëndrojnë prej mijëra shekujsh te fshati i tyre i vogël dhe organizimi tribal. Ndryshe nga ata, popujt e përparuar janë të tillë se kanë përftuar një gjuhë abstrakte- që është edhe një gjuhë me konstrukt logjik, – e cila lejon të njohin edhe analitiko-shkencoren.
Që të kuptohemi: disa prej fjalëve abstrakte (disa, jo të gjitha), janë të përkthyeshme njëfarësoj edhe në imazhe, por bëhet fjalë gjithmonë për imitime jo besnike dhe tejet të varfra të konceptit që nevojitet “të shfaqin”. Papunësia, për shembull, na vjen përmes imazhit të të papunit, lumturia prej imazhit të një fytyre të qeshur, liria teksa sheh një të burgosur që lirohet nga burgu; tek e fundit edhe fjalën “ngjajshmëri” mund ta ilustrojmë duke vërejtur dy topa bilardoje e duke thënë ‘ja, ngjasojnë’’, po ashtu edhe inteligjencën duke parë një tru, por të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veç përafrime të koncepteve në fjalë, madje edhe përkimet që solla më sipër, nuk thonë thuajse asgjë.
Të shohësh një të papunë, nuk bën të kuptosh në asnjë mënyrë se përse ekziston papunësia dhe se si mund të shmanget ajo. Po ashtu, edhe të parët e një të burgosuri që del nga burgu s’e shpjegon aspak lirinë, vështrimi i të varfrit varfërinë apo ai i të sëmurit, sëmundjen. Pra, që ta sintetizojmë: e gjithë dija e homo sapiens-it zhvillohet në sferën e mundus intelligibilis (botës së koncepteve dhe ngjizjeve mendore) dhe aspak e në asnjë mënyrë në atë të mundus sensibilis, botës së përceptuar prej shqisave .
Problemi është që televizioni e përmbys përparimin nga e dukshmja tek inteligjentja dhe e shndërron atë në ictuoculi, pra e rikthen të thjesht dhe pastër e vështruara: ai prodhon imazhe dhe fshin koncepte, duke atrofizuar kështu kapacitetin tonë abstragues e, bashkë me të, edhe aftësinë tonë për të kuptuar.
Sipas sensizmit (një teori epistemologjike braktisur prej kohësh nga të gjithë) idetë janë kalke që rrjedhin nga përvojat ndijore. Por nuk është aspak kështu, është e kundërta. Ideja, shkruante Kanti, është “një koncept që i nevojitet arsyes, së cilës nuk i jepet asnjë objekt i përshtatshëm (kongruirender Gegenstand) nga shqisat, ndaj ajo që ne shohim apo perceptojmë konkretisht , nuk prodhon ‘’ide’’, por futet tek idetë (ose te konceptet) që e paraqesin apo “shprehin”. Pikërisht ky është edhe procesi që atrofizohet kur homo sapiens-i vihet poshtë prej homo viden-it. Tek ky i fundit gjuha konceptuale, abstrakte, zëvëndësohet prej gjuhës perceptive (konkrete), e cila është pafundësisht më e varfër: më e varfër jo vetëm në fjalë (në numrin e tyre ), por sidomos në pasurinë e kuptimeve që shprehin, në kapacitetin konotativ.
*Shkëputur nga “Homo videns-televizioni dhe postmendimi”, botuar nga Dituria, Tiranë 2013
*Përktheu: Albana Nexhipi
Përgatiti: ObserverKult