
Në organizim të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, të enjten, më 3 shtator, në Gjakovë do të promovohet libri i fundit me poezi i poetes dhe studiueses, “Grue prej zjermi”.
Promovimi do të mbahet në Bibliotekën “Ibrahim Rugova” duke filluar nga ora 19:00.
Për librin do të flasin studiuesit Migena Arllati dhe Vilson Culaj, ndërsa eventi do të moderohet nga gazetari Blerim Valla.
“Grue prej zjermi“ e vendos dashninë në qendër të ligjërimit poetik, duke e konceptuar si përvojën më të thellë të qenies njerëzore dhe si hapësirën ku njeriu përballet me vetveten, me tjetrin dhe me kuptimin e ekzistencës.
Në këtë univers poetik, gruaja shfaqet si bartëse e lirisë, kujtesës, rebelimit dhe qëndresës shpirtërore, ndërsa poezia shndërrohet në një meditim mbi identitetin, kohën dhe etjen njerëzore për afri e kuptim.
Libri bart edhe frymën e një brezi të rritur mes luftërash, idealesh, tranzicionesh, shembjesh e zhgënjimesh. Një brezi që e ka përjetu historinë mbi lëkurën e vet dhe që vazhdon me kërku kuptim, liri e dinjitet njerëzor.

Për autoren:
DONIKA DABISHEVCI është poete, studiuese dhe botuese. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar edhe masterin për të vazhduar në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoroi po në letërsi.
Ka botuar: “Krizantema të plasura”, proza poetike, Prishtinë, 1996, “Imazhe të brishta”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2004, “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari”, studim monografik, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015, “Kam me ardhë si deka”, poezi, OM, Prishtinë, 2015, “Dashnisë së nji nate”, poezi, Bard Books, Prishtinë, 2020, “E gjithkohshmja Andërr”, poezi, Littera, Prishtinë, 2024, fituese e Çmimit si libri më i mirë me poezi, për vitin 2024 nga Ministria e Kulturës së Kosovës, dhe po ashtu si libri më i mirë me poezi gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, 2024, “La tua robinja” Essemble, Romë, 2017, “Ke stasam kako smrtta”, Rezna, Shkup, 2023, “Mi venos kvazaŭ la morto”, Kava Pech, Çeki, 2023, “Tuttempa revo”, DEC, Kroaci, 2025.
Përvoja e saj profesionale shtrihet mes fushës së medias dhe asaj akademike. Ka punuar në disa gazeta e revista kosovare, pastaj për një kohë të gjatë në Radio Televizionin e Kosovës.
Ka themeluar dhe menaxhon Portalin për Kulturë, Art dhe Letërsi ObserverKult, Shtëpinë Botuese Littera dhe Festivalin Poetik të Prishtinës.
Poezitë e saja tashmë janë përkthyer në 12 gjuhë. Ato flasin në gjuhën angleze, gjermane, frënge, italiane, suedeze, bullgare, rumune, turke, serbe, maqedonase, malazeze dhe esperanto.
ObserverKult
Lexo edhe:
Ag Apolloni: Revolucioni i trupit në librin “Grue prej zjermi”
Mërgim Bekteshi: Arkitektura poetike e qenies te libri “Grue prej zjermi”
Rami Kamberi: Poetika e trupit, identitetit dhe lirisë në librin “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
Sarë Gjergji: Trupi, pushteti dhe rezistenca në “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një himn poetik për gruan, dashninë e lirinë
Donika Dabishevci: Grue prej zjermi






