Gjashtë barcaleta të Nasradinit: Unë jam i çmendur, bëj atë që më sillet në kokë…

nasradini popullore

Nasradini është një prej personazheve të dashura komike që zë një vend të rëndësishëm në kulturën dhe folklorin turk. Barcaletat për të janë shpërndarë kudo ku qe shtrier Perandoria Osmane.
Vlera e Nasradin Hoxhës nuk matet me përjetimet e tij, por me mprehtësinë e mendimit, kritikën dhe thumbimin me të cilin ai vetë i rrëfente anekdotat, apo që populli ia atribuon se i ka rrëfyer ai.
Rrëfimet e tij tallëse dhe satirike janë rrëfyer e kanë mbijetuar për shumë shekuj.

ObserverKult ua sjell disa nga barcaletat për Nasradinin.

Te mullisi

Njëherë Nasradini e çoi një thes drith në mulli për ta bluajtur. Meqë atë kohë aty s’ishte askush i pranishëm, Nasradini e shfrytëzoi rastin e përshtatshëm dhe e mbushi thesin  e vet me drith nga një thes tjetër.
Atypëraty u paraqit pranë tij mullisi dhe e pyeti: “Hoxho, çfarë je duke bërë?” Hoxha u shtir si i pafajshëm dhe tha: “Unë jam një njeri i çmendur dhe e bëj thjesht atë që më vjen në kokë ta bëj”.
Atëherë mullisi iu përgjigj: Ëhë, ashtu qenka apo. Po mirë pse nuk e bën njëherë të kundërtën e të marrësh drith nga thesi yt dhe të futësh në thesin tim?!”
Nasradini nuk ia vonoi përgjigjen dhe i tha: “Po zotëri, unë vërtet jam i çmendur, mirëpo çmenduria ime nuk mbërrin dot deri atje!”

Vëllai më i vjetër

Kur Nasradin Hoxha ishte akoma fëmijë, një i rritur e pyeti atë: “Kush është më i madh, ti apo vëllai yt?”
Nasradini u kujtua pak dhe u përgjigj: “Vitin e kaluar nëna më tha se vëllai im ishte një vit më i madh se unë. Sipas kësaj pra sivjet ne duhet të jemi moshatar”.

Nasradini dhe fëmijët

Kahdo shkonte Nastradin Hoxha, fëmijët i shkonin pas, e tallnin, luanin me të, e qortonin si askë tjetër në botë. Njëherë një i rritur e qortoi Nastradinin:
-More Nastradin! Po ty fëmijët nuk të frikohen fare?
-As unë nuk frikohem prej tyre!, ia bëri Nastradini trim.

Nastradini në Bursë

Nastradini u ndal për punë në Bursë dhe donte të blinte në pazar shallvare të leshta për pesëmbëdhjet akça. Ai e porositi që t’ia mbështillte shallvaret dhe kur u bë gati të paguante paratë dhe të ikte, mendoi se shallvaret që kishte veshur nuk ishin dhe kaq të vjetra, prandaj vendosi që më mirë të blinte një xhube të lehtë në vend të shallvareve. Dhe i tha shitësit:

“Unë doja të blija shallvare, por ndërrova mëndje. Në vend të tyre më jep një xhybe për pesë akça.” “Mirë,” i tha tregëtari dhe i gjeti një xhybe të përshtatshme. Nastradini e mori dhe shkoi, por tregëtari filloi të bërtasë: “Ej, ti! S’më ke dhënë paratë!”
“Po unë ti lashë shallvaret.”
“Po, por ti edhe për shallvaret nuk më pagove paratë,” i vuri në dukje tregëtari. Nastradini i çuditur bërtiti:
“Si? Po po po! Këta bursakët qënkan të çudiçëm. Po nuk i mora shallvaret, çfarë të paguaj për to?”

Toka rrokulliset

Një ditë një njeri e pyeti Nasradin Hoxhën:
“Si ndodh që në mëngjes të gjithë njerëzit zgjohen nga gjumi dhe shkojnë në drejtime të ndryshme?”
“Shumë thjesht”, ia priti hoxha.
“Sikur të gjithë të shkonin në një drejtim, atëherë toka do të rrokullisej!”.

A po shet ti a unë

Nastradini vendosi të merrej me tregti dhe pikërisiht vëndosi të shes turshi në Prishtinë. Bleu turshi e vegla, i ngarkoi turshitë në gomarë e doli në çarshi. Por gomari ishte mësuar që saherë të kalonte pranë një shtëpie, të gjallmonte, kështu që kjo ngjau pikërisht pak para se të bërtiste Nastradini: „urdhëroni, turshi urdhëroni turshi”. Nastradini i hidhëruar iu drejtua gomarit!
— Po ngadalë njëherë, or ti; a po shet turshi ti, apo po shes unë?!

Përgatiti: U.V/ObserverKult


Lexo edhe:


JANIS RICOS: KUR TI MUNGON, NUK DI KU JAM…