Miqtë dhe familjarët përkujtojnë Arzanën: Ishte shpirti i bardhë që ka me qenë gjithmonë me ne

Teatri Kombëtar dhe komuniteti artistik kanë organizuar Akademi përkujtimore për regjisoren Arzana Kraja që vdiq dy ditë më parë.

Ata e kujtuan si një kolege të pashembullt me shpirt artisti dhe një njeri i veçantë edhe jashtë skenës teatrale.

Në vend të 1 minutë heshtjeje, Arzana u nderua me duartrokitje nga komuniteti artistik, miq e familjarë të saj.

Zana Radogoshi, kolege e Arzanës, tha se ajo ka qenë shumë e veçantë, jo vetëm një artiste, por një person shumë njerëzor, për të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njohin.

“Arzana ka ditë me lujt edhe me një fëmijë, u bëke kukulla e Engjit, Arzana e ka dashtë muzikën i vetmi send që i ka pëlqye ka qenë Shakira dhe ka vallëzua me këngët e saj e ka pas vallëzimin më të bukur. Arzana nuk ka qenë vetëm artiste, ka qenë shumë e veçantë. Ngushëllime familjes dhe gjithë atyre që e kanë pas pjesë të tyre, pusho në paqe”, tha ajo.

Artisti, Shkumbin Istrefi tha se Arzana ishte një bashkëpunëtore që kërkonte vlera dhe punë serioze, duke thënë se është e vështirë të pranohet se nuk do të jetë më fizikisht në mesin e komunitetit artistik.

“Jemi mbledh me përkujtua Arzanën që nuk është fizikisht me ne dhe veprën që ka lenë, kemi punuar bashkë në serialin ‘Kafeneja Jonë’ me shumë se 10 vite. Periudhë e gjatë shumë prej nesh e konsideronim projekt zbavitës por Arzana jo. Ajo kërkonte vlerë dhe përkushtim jetësor, mua ma kandhënë një rol jetësor të Syles, tek filmi ‘Fusha e Mëllenjave’, për këtë rol i jam përjetësisht mirënjohës, përmes bashkëpunimit kam arritur ta njoh si njeri”, tha ai.

Zymber Kelmendi,  mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës e vlerësoi lart punën e Arzana Krajës dhe tregoi që Arzana ishte afër që të mbronte temën e diplomës në nivelin master. 

Kelmendi në këtë akademie e kumtoi rezultatin e temës së masterit me notën maksimale.

“Ngushëllime më të sinqerta. Në emër tim dhe të UP-së, edhe pse ishte më e rregullta ne ligjëratë por në tem mungou, kjo ishte një mungesë për të gjithë, të mentorësh punën e një artiste si Arzana ishte privilegj, ajo erdhi me një baagazh artistik që i kishin lakmi të edhe artistët me më përvojë. Me lejoni që do të komunikoj për Arzanën vlerësimin maksimal për temën e diplomës. Urime Arzana u prehsh në paqe”, tha ai, transmeton EO.

Gresa Kraja, në emër të familjes falënderoi artistët për nderimin ndaj motër së saj. Tha se se ajo do të kujtohet gjithmonë e buzëqeshur.

“Faleminderit që po mundohemi me nda dhimbjen me ne, Arzana ishte shpirti i bardhë që ka me qenë gjithmonë me ne, ashtu duhet të e mbajmë mend gjithmonë. Në emër të familjes Kraja ju falënderoj shumë”, tha ajo.

Në fund të akademisë përkujtimore, u shfaqën disa sekuenca nga puna si regjisore e Arzana Krajës.