Gjendem i vetëm me vdekjen, e kam menduar më pak të bukur…

Esmeralda Shpata huaj

Nga Esmeralda Shpata

Shtriqem kinse dhe shoh vajzën me kapele kashte në kokë. Ajo sikur gëzohet me pamjen time, ndjesia shungullon ajrin që më ngjitet në gjoks.
Nga e djathta kam ekzekutorët, nga e majta kam ngjarje të parëndësishme, në të dyja kahet i humbur jam.
Unë bëj faje. Fajet e mia s’kanë skrupuj. Vij përqark për të shpëtuar, endjet e mia nuk i zgjidhin hallet. Vetëdënohem a më dënojnë, nuk e marr vesh.
Këto çaste pres ekzekutimin. Përqendrohem drejt e te kapelja, e cila përbën hollësinë më njerëzore në çastet e mia të fundit.

Vrasja ime nuk regjistrohet nga askush. Gjendem i vetëm me vdekjen, e kam menduar më pak të bukur. Pamja e saj prej kashte është një mashtrim. Fytyra e saj e cemtë është mbushur me quka. Mahnitem, vdekja ime më josh, bëjmë dashuri si të çmendur, më le përshtypjen e saj mbi fytyrë dhe bën kryq mbi mua.
Jeta ime ikën, ngjan me një copë të ndotur sfungjeri të mbushur me llum. Kërkoj të lahem. Nuk mundem, sapo bie ndërmend e kuptoj që nuk do të mundem kurrë.

Ekzekutorët vijnë, merren seriozisht me trupin. Më shtrijnë. Mishi kërcet, edhe kockat. Fshijnë duart e skuqura mbi lëkurën time. Retë lëshohen mbi mua, unë duhet t’i pranoj shërbimet e natyrës më lehtësisht.
Sytë më mbetën gjysmë të hapur, nuk e besoj dot se vdiqa për kot. E tmerrshme vdekja ime, më dridhet mishtë.

I kam menduar më të ndjeshëm ekzekutorët e mi, shpresoja t’u dhimbsesha, të më lëndonin sa të mund ta përballoja. Ata janë mekanizma të shpikur nga mendja. Dhe i vdekur u trondita.
Më ndodhi të kuptoja, disi, enigmën e qenies sime.

Titulli i origjinalit: “Ndërkoha”

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: AJO LUAJTI NGA FIQIRI…