
Me rastin e botimit të versionit përfundimtar të “Lahuta e Malcís”, 8 prill 1937
Nga Dorian Koçi
Më 8 prill 1937 shënohet një moment kulmor për kulturën shqiptare: botimi i versionit përfundimtar të “Lahuta e Malcís”, vepra monumentale e At Gjergj Fishtës. Kjo datë nuk është vetëm një ngjarje letrare, por një pikë reference kulturore për mënyrën se si elita shqiptare kanë menduar, ndjerë dhe artikuluar historinë e tyre përmes letërsisë.
Ligjërimi historik në Ballkan, veçanërisht ai mbi të shkuarën osmane, nuk mund të kuptohet jashtë ndërthurjes së ngushtë mes historisë dhe letërsisë. Që nga shekulli XIX, historia në këtë hapësirë nuk është ndërtuar vetëm mbi dokumente dhe analiza shkencore, por edhe mbi narrativë, mite, kujtesë kolektive dhe përfytyrim letrar. Në këtë kontekst, e shkuara osmane është shndërruar në një ligjërim historik-letrar, ku faktet bashkëjetojnë me emocionin dhe simbolikën, duke krijuar një tablo komplekse të përvojës historike.
Në mungesë të një historiografie të konsoliduar, popujt e Ballkanit iu kthyen kujtesës së ruajtur në këngë epike, rrëfime popullore dhe tradita orale. Kjo kujtesë nuk synonte saktësinë kronologjike, por ruajtjen e kuptimeve morale dhe identitare të së kaluarës. Pikërisht mbi këtë bazë u ndërtua letërsia historike kombëtare, e cila u bë një instrument i fuqishëm për artikulimin e idesë së kombit.
Në këtë sfond, “Lahuta e Malcís” përfaqëson kulmin e shndërrimit të epikës orale shqiptare në një epope të shkruar me funksion të qartë kombëtar. Fishta arriti të përpunojë trashëgiminë e pasur të këngëve të kujtesës kolektive të shqiptarëve nga viti 1852 dhe në vazhdim duke e kthyer atë në një një univers letrar ku historia, miti dhe morali ndërthuren në mënyrë organike.
Ky proces letraro-historik nuk ishte i izoluar dhe nuk ndodhte jashtë narrativave letraro-historike të kohës. Në të gjithë Ballkanin, letërsia epike dhe historike u bë një mjet për ndërtimin e identiteteve moderne në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane dhe të lindjes së nacionalizmave. Megjithatë, ajo që e dallon “Lahutën e Malcís” është mënyra se si ajo artikulon identitetin shqiptar: jo si një projekt përjashtues mbi baza fetare si rasti i epikës malazeze, serbe apo dhe greke, por si një rend moral dhe komunitar i ndërtuar mbi virtutet e shoqërisë shqiptare të kohës, besën, nderin dhe vetëqeverisjen.
Ndryshe nga disa modele të tjera epike ballkanike, ku identiteti ndërtohet përmes përjashtimit të “tjetrit të brendshëm”, te Fishta “Tjetri” është kryesisht politik dhe perandorak. Kjo i jep veprës një dimension më etik sesa dogmatik, ku heroizmi nuk lidhet me shfarosjen, por me mbrojtjen e rendit moral dhe shoqëror.
“Lahuta e Malcís” përfshin një hark kohor mbi pesëdhjetëvjeçar të historisë shqiptare, duke u përqendruar në konfliktet e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Ajo funksionon si një kronikë poetike e rezistencës, por edhe si një kod simbolik përmes të cilit përpunohet përvoja historike e një shoqërie në tranzicion.
Heronjtë e saj – si Oso Kuka, Dedë Gjo Luli apo Tringa Smajli – nuk janë figura të idealizuara në mënyrë romantike, por përfaqësojnë një heroizëm që buron nga detyrimi moral dhe përgjegjësia kolektive. Ata nuk luftojnë për lavdi personale, por për mbrojtjen e komunitetit dhe të rendit etik që e mban atë të bashkuar.
Një nga elementet më të fuqishme të veprës është gjuha. Fishta përdor një shqipe të pasur me elemente dialektore dhe ritme të epikës gojore, duke krijuar një tekst që lexohet si një këngë e gjallë. Kjo e bën “Lahutën” jo vetëm një vepër për t’u lexuar, por një përvojë për t’u përjetuar. Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni simbolik: malet, lumenjtë dhe trojet shqiptare nuk janë thjesht sfond, por aktorë të historisë. Natyra bëhet aleate e njeriut dhe simbol i lirisë, duke e kthyer historinë në një përvojë të gjallë dhe identitare.Në thelb, “Lahuta e Malcís” është më shumë se një poemë epike. Ajo është një projekt kulturor dhe identitar, një mënyrë për të kuptuar të kaluarën dhe për të ndërtuar një vetëdije kolektive. Përmes saj, historia nuk mbetet një varg ngjarjesh, por shndërrohet në një proces interpretimi dhe kujtese.
Sot, në përvjetorin e botimit të saj përfundimtar, “Lahuta e Malcís” mbetet një dëshmi e fuqisë së letërsisë për të formësuar identitete, për të përpunuar historinë dhe për të ndërtuar kuptime të qëndrueshme kulturore. Ajo vazhdon të jetë një urë mes traditës dhe modernitetit, mes kujtesës dhe vetëdijes, mes historisë dhe artit.
ObserverKult
Lexo edhe:
Kur Faik Konica shkruante për poezinë e Eqrem Çabejt- ja çka thoshte






