Gjergj Fishta dhe Tirana komuniste, nga Krist Maloki

Gjergj Fishta

“Një aksion për zhdukjen e çdo gjurme të gegnishtes”,- kështu e quan Arshi Pipa ndërmarrjen e vitit 1972 përmes Kongresit të Drejtshkrimit në emër të shqipes së njësuar letrare. Dhe sipas tij rrënjët e këtij dënimi dhe dhunimi të gjuhës ishin shumë më të hershme, që me vendosjen e diktaturës në Shqipëri, ku u ndaluan rreptësisht autorë si Fishta, Camaj, Harapi,etj.

Pipa shkruan se “Stalinizmi e konsideronte katolicizmin gegë, si kryearmikun e vet. E kjo ishte një nga arsyet pse Fishta ndalohej, sepse ai ishte përfaqësuesi kryesor i katolicizmit”.

Kultura perëndimore, pas së cilës ìu qaste Shkodra në atë kohë, përbënte një problem për regjimin që rrënjtë i kishte nga lindja, dhe kjo dritare për nga perëndimi,- përfshi këtu një numër të madh njerëzish që edukoheshin në perëndim, që u persekutuan dhe vizituan burgjet e egra të diktaturës,- duhej mbyllur.

Ai u refuzua, jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij Titistët, janë të krahasueshme – duke lënë mënjanë poezinë – me karikaturat e Fishtës për Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te Lahuta e Malcís), por edhe për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk, pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e “Posta e Shqypnís”, nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë).

Po të jetonte edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e komunizmit shqiptar, me siguri do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhtar i kombit (vëllai i tij françeskan Vinçens Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar, e më vonë Arqipeshkëv i Durrësit, vdiq në burg).

Arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohet fishtofobia e partisë, është se ai ishte gegë i Shqipërisë së Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh.

Lidhur me akuzat që bëheshin Gjergj Fishtës një shkrim e kishte bërë edhe Krist Maloki, të cilin mund ta lexoni në vazhdim.

Nga: Krist Maloki

Këtu po ndahemi pak, sa për t’i davaritë do mjegullina e tis tymnaje që e kan errësue – padyshim – qielin e Shqipënise së kuqe. Jemi të bindunë që autodafeja dhe përdhunimi i vorrit në Shkodër kan qenë patjetër pasoja e ndonje ekstaze a vetmoskontrollimi të ndonjë çete të shfrenueme, ma parë te fanatizueme, apor të ndonjë komandanti shpirt vocrrak, hyperfanatik he tej-përtej xhahil; sidoqoft, në të gjithë historinë shqiptare nuk gjindet një ngjarëje paralele.

Pos kësajë, Tirana duhet ta e dijë që Gjergi Fishta ska qenë kurr “armik i popullit” si fajiset- edhe në kuptimin e nalt te fjalës s’ka qenë kurr as “anmik i popullit”- si fajiset- dhe në kuptimin e nalt të fjalës, s’ka qenë kurr anmik i idealeve komuniste… përkundrazi!

E pse? Gjergj Fishta, njëherë, ja ka kushtue gjithë jetën e dhe artin e tij Kombit a Popullit Shqiptar, ndoshta në një mëndyrë ma fort individualiste e kryeneqe, porse në të vërtetën aj vet asht shkri dhe asht ba flieë po per njat Komb, po per njat Popull të shkret. Nuk dihet se a ka pasë ma parë e se a ka edhe sot shumë shqiptarë që mund të peshohen me kandarin e Gjergi Fishtës, si kah arti, si kah karakteri, si kah dija, kultura etj.


Po të kishte dashtë aj njeri, kishte mujtë me ja këthye shpinën Vendit te vet me kohë dhe me e shkue jetën me gëzime e defrime të panjehuna, kudo e kahdo, ne saje të zotsive dhe talentave tê panjehuna të veta. E qe pra Gjergi Fishta ska ngrehë shtëpija, villa e pallate, si shumëkushi tjetër nga t’ashtuquejtunit patriota shqiptarë, aj s;ka kërkue karjera e pozita kushtetplote dhe nuk ka grumbullue pasunina mbi kurriz të popullit fakir-fukarà.

Madje në të gjithë veprën fishtjane nuk gjindet asnjë fjalë, asnjë frazë dhe asnjë përfytyrim që mund të merret – afras a largas – si shprehëje e një shpirti kapitalist. Përkundrazi njaj Gjergj Fishta e ka shkur gjithë jetën e vetë në përvujtni, vetmujtëje dhe vettlijim të pashembëllt, e ka marrë mbi vehte barrën shamnisë nen shgunen e murmët dhe të randë të Françesk Assisit dhe i ka sherbye Vendit e Popullit të vet deri në piken e fundit të vetmohimit.


Sigurisht që aj s’ka qene komunist i organizuem apor propagandist i idesë marksiste, porse a nuk ka pasë gjatë historisë botërore qysh nga Platoni, nepër kristjanet e parë e deri te Leon Tolstoji – njasi “komunista ideala” si edhe Gjergj Fishta – që ja kalojn shpirtnisht e praktikisht sa e sa dishepujve të patentuemë te Marx-it a të Lenini-it?…

Dikush e paska qitë mandej se Gjergj Fishta paska qenë tepër patriot a nacjonalist dhe kësodore qenka në kundërshtim me ideologjinë internacjonale të marksist-komunizmit. Sa gabim! Para nja gjasht vjetësh ka vdekë ne Rusì historjaku, ndoshta ma i madhi i vendit të vet, me emen Even Tarle.

Randsija e tijë qëndron aty që aj ka mujtë me dishmue – me akte e fakte – që çdo vepër e madhe në kët bot mund të frymëzohet dhe të kryehet vetëm nepër shtytjen e shpirtit patriotik të popullit a të kombit, dhe se personat e mëdhaja historike e lozin vetëm rolin e njatij herou si u përshkrue ma nalt.

Argumentet e historjakut të famshëm rus kan qenë aq të përmbledhuna dhe sugjeruese sa e kan shtye Stalinin me e ndryshue pak a shumë ideologjinë marksiste-leniniste dhe me i dhanë rregjimit të vet një drejtim fare të ri. Kështu me 16 Maj 1934 aj proklamoj bashk me Molotovin nje dekretligjë, mbas së cilës ner shkolla sovjetike do t’u mësonte historija e vendit nen pikëpamjen e patriotizmit sovjetik, në mos me frymen e nacjonalizmit rus.


Dhe me qenë që prijsat e mbedhaj të bolshevizmit -si Rykovi, Buharini, Sinovjevi etj. – e kundershtojshin kët “devijacjon” të prijsit suprem, u hapen gjygjet e famshëm të vjetëve 1936 deri 1938, nepër tê cilët u zbatue “çistka” e madhe (=spastrimi) që perfëshiu të gjithë internacjonalistat dhe kosmopolitikanët e Unjonit te Republikave Sowjetike (USSR). Kush i merr sot në dorë librat dhe proklamatat e Stalinit nga koha e luftës së dytë botënore, mund të shofi orë e ças se si flet aj – vet prototyp e shembëll i nje herou të vërtet të kombit – mbi luften atdhetare a patriotike, dhe se si fellohet aj ner ndjenja dhe dishire të popullit të vet, sa i ban këtij koncesjone deri ner lamije të mysticizmit e religjonit.


Sot asht nje e vertetë e pamohueshme që fitorja e kundra agresorëve fashista ka qenë e mundunë në pikën e parë nepër frymzimin e patriotizmit; sot njajo shpirtsì patriotike dhe njajo idë “nacjonal -çlirimtare” i ka rrëmbye të gjithe popujt e shtypunë – n’Azì e n’Afrikë – dhe ja ka mbushë zemrën plot hov e heroizëm kundra imperjalistave dhe agresorëve të huejë…
E qe pra – me veprat e ndryshme, sidomos me Lahuten e Malcisë Gjergj Fishta s’ka dashtë kurgja tjetër!

Fajiset kangëtari i Maleve sei paska poshtnue dhe diskriminue “sllavët” . Edhe Këtu gabohen kritikanat. Sepse jo vetem që pershkruhen “sllavët” e Lahutës si trima e burra – vjershtori thotë vet: “Kijau inat e foljau hakun” por ma fort ata paraqiten mbrenda konstrukcionit të veprës epike si figura kundershtare alegorike e symbolike.


Gjergj Fishta vet ka qenë i lidhun ngusht me kulturen sllave dhe ka pasë miq të fortë dhe admirues përtej Veriut të Shqipnisë; dishmija ma e forta asht njaj trifol artistik – Trojstvo franjevačko-Pesničko na Balkanu – ku paraqitet vjershtori i yn krahas me dy ner ma të mbëdhajt vjershëtorë të popullit hrvat. Njajo figurë e tri fytyrave poetike asht perhapë qysh para 30 vjetësh dhe shkon dorë më dorë edhe sot nepër Jugoslavì dhe asht botue ner sa e sa libra, ner to edhe në veprën e madhe srbishte “Knjiga o Balkanu”, Beograd 1936, vëll. I., faqe 346.


Fajiset mandej tribuni i Maleve per kolaboracjon me agresorin fashist, së paku per mungesë kundershtimi të hapët a reakcjoni efektiv kundrejt pushtimit imperjalist të Vendit t’onë me 7 prill 1939, fajiset mandej edhe pse ka pelqye emnime e dekorime si mis i Akademisë së naltë fashiste-italjane.

Se deri ku mund të mjaftojn këta fajsime për me i cilësue Gjergj Fishten si “‘armik të popullit” a “trathëtor të kombit” , kët duhet ta e hetoj dhe ta e ndaj gjygji i paanëshëm i nje historjografije të vertetë, në bazë aktesh e faktesh te sigurta dhe jo ndoshta të sugjerueme nga fanatizmi apor oportunizmi politik. Na, sot per sot, nuk jemi në gjendëje me e thanë fjalën e fundit.

Sepse si në shumë raste a momente historike që paraqiten nën dritdn e mjegullueshme t’aksjoneve publike e politike nuk mund të caktohen mprehtas e qartas shtytjet objektive dhe subjektive, d.m.th nuk dihet kurr mirë se shka ka ndollë nen presjonin e rrethanave të jashtme he shka ka ndollë me vullnetin e lirë të personës së fajisune vet.


Po e permendim këtu vetem nje shembëll, vetëm një fakt a nje sprovë të shtytjeve nga jasht që mund te ketë veprue si nje conditio sine qua non: Gjergj Fishta – si mungar katholik – ka qenë i shtërnguem me i-u shtrue urdhënve t’eprorëve të vet: të kuvendit të vet, t’ypeshkvit të vet, të Kryesisë Kishtare ne Shqipnì, të Kongregacjonit të nalt administrator Propaganda Fide në Romë e së fundit të Vatikanit përgjithësisht.


E mrapa Vatikanit vet kan ndaë e caktue Traktatet e Lateranit të vjetit 1929, ku jan marrë angazhime viceversa ndermejt rregjimit fashist- italjan dhe Kishës Katholike internacjonale. E këtu s’ka pasë si me folë njeni a tjetri mungar individualisht a personalisht… po njashtu si nuk u pyetë njeni a tjetri komunist perreth paktit të famshëm dhe zbatimit te tij ndërmjet Stalinit dhe Hit lerit (1939).

E dijtun që per heroun e vertet të kombit nuk ka e nuk mund të ketë pengesa në permbushjën e misjonit të tij, d.m.th se per Gjergj Fishtën – si tribun, kushtrimtar e pishëtar të Maleve – do t’ ishte dashtë jo vetëm me e lëshue zanin e kushtrimin literar kundra agresionit fashist, por po e donte nevoja – me dalë edhe në mal, në daç edhe me pushkë në dorë, si kan ba sa e sa mungarë tjerë në Shqipnì, në Jugoslavi e njeti.

Ka pasë caktue qysh filozofija e Grekëve të vjetër që nuk mund të detyrohet askush per heroizëm a vetflijim, porse aj njeri që kerkon të cilësohet si heros, duhet të marri mbi vehte edhe çdo mundim e do sakrificë per të mbaren e kombit te vet dhe duhet si mbas nevojës – të çojë krye edhe kundra qiejve dhe Zotave të qiellit.

Sa per kaq, në sinfoninë e jetës heroike të Fishtës perziehen disa tinguj të vrazhdë dhe kakofonike, gë nuk mund të shlyehen nga disku gramafonik i tij. Asht e vertetë që Gjergi Fishta – si herò nuk ka “trathëtue” si disa goxha patriota dhe politikanë të Tiranës zogiste që e priten dhe e pershëndeten Duçen si “shpetimtarin e popullsisë myslimane shqiptare”, as nuk ka “trathëtue” njashtu si pehlivanat e Grenoblës – që u shiten, u blëne dhe u morren me qirà si kurvat e Stambollit porse me gjithë atë: Gjergj Fishta asht akuzue dhe duhet të pergjigjet para Gjygjit të Nalt të Kombit Shqiptar!

– Sa per njefarë çfajsimi të tij mund të paraqitet qysh tash tre fakte:

1) Në vjetin 1939 Gjergj Fishta ka qenë i motnuem, afër 70 vjetësh, shëndetsisht e shpirtnisht i dermuem e i raskapitun, në trup gjymës sakat e në zemër e në mende të vete i desiluzjonuem dëshpruem neper gjithë njato zhvillime në Shqipnì që ishin në kundershtim flagrant me botëshikimin e tij heroik e romantik;

2) Gjergj Fishta asht mësue qysh kur me pranue nderime të veçanta e dekorata nga shumë anë, shumë herë edhe burime pak a shumë penible, si bje fjala: më 1912 me dekoraten Mearif nga Padishahu i Stambollit, po n’at vjet me dekoraten Ritterkreuz nga Frano Zefi i Austrisë, në vjetin 1931 me dekoraten Phoenix nga Mbreti i Greqisë etj.etj.;

3) Si mis i Akademisë se naltë italjane Gjergj Fishta kishte të drejtë e mundsi me shkue jetën n’Italì plot qetsì dhe nen shkelqimin e djellit shekullor romak…intanto: Gjergj Fishta ka vdekë – mbe 30 Djetor 1940 – në Vend të vet!…

*Shkëputur nga libri i Krist Malokit “Refleksione, kritikë (letrare), analiza dhe mendime” i përgatitur nga Albert Ramaj

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

“O MOJ ÇMENDJE E BEKUAR…”, INTERPRETUAR NGA POETI I NDJERË, PETRIT RUKA