Gjergj Jozef Kola: Stili origjinal i Musine Kokolarit

musine

Ese me rastin e ditëlindjes së Musine Kokalarit, mbajt në Konferencën shkencore organizue nga Albanian Institute of Cultural Studies me pjesmarrës nga kryeqytetet mbarëshqiptare në Ballkan dhe kryeqytet europiane.

Nga Gjergj Jozef Kola

Vjenë, me 10.02.2024

1.

Musine Kokalari ka nji stil origjinal, ashtu siç kanë në vitet 30-40 të shekullit të kaluem të gjithë rilindasit e post-rilindasit shqiptar.

Letërsia e kësaj periudhe ka qenë për mu personalisht gjatë diktaturës por edhe sot në demokraci nji lekturë shumë frymëzuese, pikërisht prej stileve origjinale.

Jo pa qëllim Musineja përzgjedh Naimin, si Virgjilin e saj Dantesk me e udhëheq nëpër rrugët e Romës, qytetit të përjetshëm, sepse ka shumë të  përbashkëta me të e sidomos gjuhën e bukur e të pastër, në toskërishten e gjallë e të përditshme.

Në kohën e lirive të mëdha, siç ishte ajo e jona mbas pushtimit shekullor osman, largimi i shkambit të randë të pushtuesit që na kishte ndalu gjuhën me fermanin sulltanor, solli në tokën e lirueme shumë filiza të ri, të etun për jetë. Këto filiza u banë Lisa e kjo vetëm falë stilit te tyne.

2.

Në çdo kohë të nji kombi, Fatet e tij varen prej Pendave që ai nxjerr e Pendat e tij varen nga origjinaliteti i tyne.

Kështu na sot mundena  me njoftë me sy mbyllë nji poezi të Fishtës, të Koliqit, të Migjenit e Mjedes, Nolit, Çajupit e Lasgushit, sepse lirija asht e domosdoshme me kriju stile.

Padyshim këtu ban pjese edhe Musineja, si nji stil origjinal në letrat shqipe.

„Kështu më tha nënoja plakë“, mbetet nji kryevepër për stilin e saj, për toskërishten elegante e plot jetë që përdorë Musineja.

Sot kena shumë shkrimtare zonja e zonjusha shqiptare që shkrujnë në standart, në këtë variant të zbehtë të toskërishtes, porse asnjena prej tyne as që mundet me iu afru stilit të larmishëm e plot nerv të jetës, stilit të Musinesë.

Këtu lindë pyetja e natyrshme: PSE?

Sepse stilet që krijohen në liri janë stile të jashtzakonshëm. Ata mbajnë fytyrën e lirisë.

Te Musineja ndahen botët e letrave shqip: shkrimtarët sot që nuk kanë stil e adhurojnë shkrimtarët e standartit e vetë shkruejnë në standart, si dhe shkrimtarët që shkruejnë si Musineja, jashtë standartit e kanë stilin e tyne origjinal.

3

Kështu edhe stilet që u rriten në perëndim, më lejoni me përmend dy prej tyne: Martin Camaj e Arshi Pipa, këto dy gjeni të fjalës së shkrueme shqipe në diasporë, gjatë diktaturës komuniste në Shqipni.

Ata të dy falë lirisë që gëzuen në perëndim arritën me kriju perla të pavdekshme e nji stil të papërsëritshëm origjinal në letrat shqipe. Landën e parë e morën në trysninë e diktaturës dhe i dhanë formën origjinale, stilin e papërsëritshëm që ka forcë me ushqy nji brez te tanë.

4

Musineja i rri besnik gjuhës së saj, stilit të saj gjuhësor e letrar.

Me stil gjuhësor unë kuptoj gjuhën e gjallë, të folmen e përditshme plotë me jetë e me stil letrar, kuptoj shndërrimin e kësaj gjuhe të përditshme në frymën origjinale të autorit.

Ajo nuk e pranon standarden e 72 e nuhat se ky standard asht edhe vdekja e gjuhës dhe e stileve letrare. Me kët akt ajo kërkon edhe atje në burgun 20 viteve d në internimin e 20 viteve me u ba nji digë mburoje ndaj të keqes gjuhësore që po kërcënon kombin shqiptar.

Musineja e di mirë e ka nuhatjen gjeniale të shkrimtarit, se nji krijues duhet ose me ecë me kohën, ose me u shtyp prej saj, porse e ka edhe një mënyrë të tretë: me dalë mbi kohën.

 Ket aftësi nji krijues e merr falë stilit të tij të kristalizuem. Ajo e ka tashmë ket stil origjinal e nuk ka pse me e përshtatë gjuhën. Ajo ka mbaru në universitetin prestigjoz të Romës dhe e di mirë se ata që shkrujnë në standardin artificial të diktaturës nuk kanë stil, janë banalë, bajatë, të pajetë, njilloj si mbishkrimet e fashistëve nëpër rrugët e qytetit të përjetshëm.

Fleterrufetë kërcënuese të fashistave në Romë i ngjajnë si dy pika ujit me Fleterrufetë denigruese të komunistave në Tiranë. Ajo asht e vetëdijshme: Diktaturat kanë nji pikë të përbashkët takimi: dhunën!

Ata le të provojnë aty në epruvetat e Franknenshteinit me gatu ndjesitë e mendimet e tyne, Musineja ka zgjedhë nji rrugë tjetër, rrugën e gjuhës së përditshme e toskërishtes së saj të mrekullueshme.

Mjafton me pa letren që i shkruen diktatorit, nervin që perdorë aty, megjithse e rrënueme fizikisht nga jeta, nga vuejtjet, nga sëmundja e randë e pashërueshme, ajo shkruen sikur të ishte e barabartë me të, madje sikur të ishte mbi të.

A e kishte ajo me të vërtetë kët supremaci intelektuale?

Po, stili saj e kishte kët fuqi të mahnitshme.

 Musineja nuk mund ti shkruante ndryshe diktatorit, edhe nëse ajo kishte me dashtë diçka të tillë, sepse stili i saj ishte kristalizu në të, në atë toskërishten e saj fisnike e plot nerv.

5

Unë sot mundem me dallue  stilin origjinal të disa shkrimtareve shqiptare në mbare trojet tona, si në Shqipni, Prishtinë, Shkup apo Podgoricë sepse ata shkruejnë në nji gjuhë që flasin, në gegnishten e përditshme e këtu varet edhe liria e tyne.

Pra stili vjen prej lirisë që na kena dhe poeteshat shqiptare që shkrujnë në gjuhën e përditshme, në gjuhën e gjallë që flasin i kanë te tana shancet me kriju nji stil të tynin poetik.

Musineja e nuhati kët shanc gjenial të sajin. Ajo promovoi me Naim Frashërin në italishte, porse ajo nuk e shkroi nji veper letrare në kët gjuhë kaq poetike e të përsosun në të gjitha shprehitë, siç asht italishtja.

PSE?

Sepse Musinija tashma e kishte kriju stilin e saj në toskërishten e magjishme që kishte folë përditë, në ndjesitë që kishte regjistru me kët gjuhë e nuk mund ti shmangej asaj, nuk mundej me dalë mbi vedin.

Unë ndeshi disa autorë shqiptar në perëndim që kujtojnë se duke përkthy krijimet e tyne letrare në gjuhë të hueja bahen origjinal: Shembulli i Musinesë na kallxon se origjinal bahesh në gjuhën e zemrës, në atë ku krijohet stili yt. Nji vepër të vdekun nuk mundet me e ngjallë asnji gjuhë e asnji përkthim i huej.

Perpjekjet mjerane sot me pershtatë në standart veprën e Musinesë, prej disa shpive botuese të establishmentit postkomunist, bjen fjala atyne që guxojnë  të kthejnë „Siç më thoshte nënua plakë“ në „si më ka thënë nëna plakë“,  vetem sa e naltësojne stilin e Musinesë, epërsinë e saj ndaj standardit realsocialist.

6

Sot në Florën mbarëshqiptare letrare, shumë shkrimtarë flasin ndryshe e shkrujnë në nji gjuhë të ndryshme e mandej ankohen se nuk kanë stil, se shkrimet e tynë ngjajnë si dy pika ujit me të tjerëve.

Mbi 90% e shkrimtarëve, sidomos romancierëve e ndryshon stilin nga libri në libër, sepse janë ende në KËRKIM TË STILIT TË HUMBUN, me dashtë me citu Marsel Prustin.

Nëse Marsel Prusi arrin me shkru nji roman voluminoz, nji nga kryeveprat stilistike të shekullit XX, këto pseudokrijues nuk ia dalin kurrë nji përpjekje të tillë prej Sizifi.

Kjo nuk asht me u çuditë, sepse imitimi i ngjet mallit kinez, krijon stile të klonueme. Vetëm nji gjuhë e gjallë e përditshme, krijon stile origjinale.

Prandaj Musine Kokalari ka nji stil të mrekullueshëm, të jashtzakonshëm: Origjinal.

Më lejoni me vërtetu të gjitha këto që thashë tash në mbyllje të kësaj konference për ditëlindje të Musine Kokalarit me nji shkrim të bukur e të dashtun nga Musineja: të vitit 1937 kur ajo ishte vetëm…20 vjeçe.

7.

T’isha një lule – Musine Kokalari

Zbardhoi drita, lindi dielli; u bë ditë dhe në shpirtin t’im ndjeva një gjë të re. Ishte një pyetje që donte përgjigje. Së mbrëndëshmi ndëgjova një zë që më pyeti “Ç’ësht jeta?”

Hap sytë për një cast, vështroj rrotull dhe asgjë nuk gjej, asnjeri nuk përgjigjet në vënd t’im. Ulem dhe u përvishem librave, kërkoj mendimin e atyre që kanë shkrojtur…por edhe atje asgjë.

Pa shpresë largohem prej vëndit ku ndodhesha, e pa kënaqur hedh këmbët e mia; rëndë rrëshqasin, diçka shkelin. Një faqe libri të vjetër. Ulem, e mar, e vështroj dhe vetëm një fjalë këndoj, mosknaqsia…

Mendimet më turbullojnë dhe më së fundi m’u duk se e gjeta të vërtetën, se jeta ësht mosknaqësia.

E drejtë, e pa gabuar. Të gjithë thrresin sikur t’isha…dhe unë gjithashtu.

Jam njeri, më krijoi natyra duke më dhënë dhe tru. Më vërviti në tokë, më bëri më të lartë nga të gjithë shtazët dhe bimët, me gjith atë nuk knaqem, i kërkoj vehtes të jem kështu, të jem ashtu; si kjo dhe si ajo dhe më së fundi e gjeta…

T’isha një lule-lule are, e vogël dhe me erë. Të çelnja në prendverë dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave. Të qëndroja e fshehur, e pa dukur dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve. Prej frike, të larguar prej njerzis do t’më këputnin, do të dhurohesha te njëri –tjetri për shenjë kujtimi. Do të ndëgjonia se ç’flitnin, fjalët e bukura dhe plot shpresë. Do t’më thurnin dhe mua disa vargje të lehta për hir të dashuris.

Një trendafil i egër të mbinja për mbi varrin e ndonjë të riut. Të mirrnja pjesë në lotët që do të derdhnin mbi atë tokë të ftohët.

Karafil i kuq të lulzoja dhe me kujdes të vaditesha …një ditë të vendosesha në jakën e palltos. Do të shetitnja dhe unë rrugët e qytetit, do të kuptonja jetën djaloshare dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;…që të dy qënkan të bukur do të thoshin.

Më së fundi le t’isha së paku një lule e egër, midis rrugës dhe gurëve, pa kujdesin e të tjerëve.

Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu, burrë ase grua…e di, por s’ka gjë, një lule isha dhe jo njeri….

ObserverKult


Lexo edhe:

ENVER HOXHA E DONTE MUSINE KOKALARIN, AJO E REFUZOI E AI U HAKMOR…

I ati, një diplomat në karrierë, ndërsa e ëma e lindur në shtetin helen, bijë nga një derë e pasur. Për shkak të pozitës së të atit, jeta deri në moshën 16-vjeçare i kish ofruar Makbule Frashërit gjithçka që dëshironte.

Puhiza e lehtë e bregdetit grek, turra vrapi bashkë me shoqet në kopshtet e mbushura me portokaj të zonës së Lipjadhës pranë Korfuzit, ishin vetëm një pjesë e përditshmërisë së vajzës së përkëdhelur, të familjes Frashëri.

Por, kthesa e papritur që do të merrte jeta e saj, menjëherë pas ditës që ata do të shkelnin në tokën shqiptare për të vizituar fisin e të atit – të cilët jetonin të shpërndarë mes Tiranës e Korçës – do t’i shembte realitetin përpara syve. Sistemi politik i kohës, ua mbylli kufijtë dhe ata nuk mund të ktheheshin në vendin fqinj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


zyrafete manaj

ZYRAFETE MANAJ: PA LAMTUMIRË

Nga Zyrafete Manaj

nën lëkurën tënde isha dje
kur numëroja rrahjet e zemrës
e fjala zinte vend kur shpirti trazohej
edhe kur dëgjoja fluturat në stomak
nga dashuria n’fluturim.

sot koha ik mërzitshëm ditëve pa ty
pa ta prek ballin e halleve të moteve në trazim
pa ta pa shpirtin flakë të ndezur për atë
ditë të bardhë lirie
se veç liritë japin orët e zhveshura të shpirtrave në trazim.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult