Gjergj Jozef Kola: Tregimi i vjeshtës

Nga Gjergj Jozef Kola

1.

Ai hapi sytë dhe mendoi menjëherë se kishte ardhë në botë si Gjergj Kastrioti i ri, për me liru vendin.

“Më e liru prej kujt?“, erdhi pyetja.

“Prej kujt?“ – pyeti ai vedin.

Pyetja e vërtetë ishte: prej kujt ma parë duhet me e liru vendin? Prej komunistash, prej soroistash, prej salafistash? Prej të gjithëve ktyne istave, të mbledhun bashkë.

U ngrit, ia hodhi sytë dhomës dhe shkoi drejt dritares, me u sigurue nëse ishte në kështjellën e Krujës apo veç në dhomën e hotelit. Hapi perden: dielli ende nuk e kishte nxjerrë syrin e zjarrtë mbi mal.

Atëherë vendosi me u kthye në shtrat e me u zhytë në andërr.

“Shpesh andrrat janë ma të sigurta se realiteti, sepse realiteti na sjell andrra me sy hapte që ua kalojnë edhe andrrave ma të çmenduna…“, mendoi, dhe e kapi gjumi si strehë e fundit e mbrojtjes prej andrrave.

2.

Në andërr përjetoi diçka të pabesueshme dhe iu duke e vërteta fjala e urte që thotë se çka shef njeriu në anderr nuk e ndesh kurrë në jetë.

Lajmet e para të ditës ishin të pabesueshme. Kroacia sapo kishte kthye disa produkte bujqësore, domate e patate, sepse ishin me pesticide. Menjëherë pas saj edhe Sllovenia kishte bllokue specat e kastravecët, sepse kishin shumë kimikale.

“A dojnë me mbytë dynjane?“, pyeti vedin.

Mandej u siguru se ishte në anderr dhe vazhdoi me andrrue ashtu me sy hapë.

“Po Greqia dhe Italia, që janë kojshi me ne?“, pyeti e njiheresh tha edhe pergjigjen: “Ata nuk kanë marrë e nuk marrin gjë prej nesh, sepse na i dinë hilet mirë…”

“Po pse e kanë ba këtë?“, mendoi njashtu në andërr.

“E kanë ba, sepse edhe ne na kane sjellë mish të prishun e të lirë dhe e kena shite e konsumu me shtate pale qejfe.

“Po këto frutat e zarzavatet a i kena hanger e pi?“ – pyeti prap vedin.

„Po…“ mendoi ai pa za.

„Ah, faleminderit që jam në anderr, se përndryshe…“, qeshi me vedi.

Kaloi matanë dhe deshti me hanger një akullore, por mendoi se mund të vinte nga qumështi i helmuar me pesticide dhe e la këtë punë.

U soll ne krahun tjeter se mos gjente ndonji anderr ma te mire.

3.

Shkoi në kryeqytet dhe ndeshi lajmin e pabesueshëm. Zv. Kryeministri ishte zhduke pa gjurmë. Kishte marrë disa miliona nga disa projekte të bankës botënore dhe ishte zhdukë ditën për diell. Nuk e besoi, porse meqë ishte në andërr e la ashtu dhe vazhdoi.

„Ah, qeveria aktuale e KM Rama ka gjysmën e më shumë të ministrave në burg ose të ikun, të arratisun – i thanë.

„E ku shkojne?“, pyeti.

„Tek ne asht metode:

vjedhin sa të mundin,

mandej ikin në Perendim,

me paratë që kanë në offshore

bëjnë nje jetë përrallore.“, kendoi nji za ne tallava.

„Ah sa mirë që jam në anderr.“ – mendoi.

Porse ishte shkru mos me e lanë te qete se i thanë se pensionet ishin diku rreth 100 euro dhe ndihma sociale rreth 50 euro. Nga ana tjeter nafta ishte ma e shtrenjta në Evropë.

„Ah sa mirë me qenë shqiptar në anderr.“, kendoi e njiheresh qeshi dhe vazhdoi rrugën po ne anderr qe fatmiresisht nuk kishte lidhje me realitetin.

Përditë vriten njerëz në aksidente: shoferë të rinj, pa patente, me droge, me alkool; shumica mbajnë edhe portretin e Ramës ne makina dhe thonë se kështu nuk i ndal askush…

„Kryebashkiakët kujtojnë se drejtohen qytetet tuj shtru rruget me asfalt e per krimin e organizuem që vret përditë nuk dojnë me dijtë.“, vazhdoi zani i mrendshem në anderr.

„Jam në anderr, jam në anderr!“, thirri ai, dhe vazhdoi me u sjellë në shtrat pa guximin me hapë sytë e me u përballë me realitetin e ashpër që i kujtonte herembashere se kishte ardhë në botë si Gjergj Kastrioti.

4.

Mandej folën per shkollat e disa mesues u ankuen se nuk kishte ma nxanës, se të gjithë po iknin nëpër botë, me çka të ishte e mujtun e ku të ishte e mujtun e kishte shkolla bosh pa nxanes e vetëm mësues të vetmuem.

„Ah sa mirë që jam në anderr.“, mendoi se shkollat tona janë gjithmonë bosh.

„Keto po realizojne nji plan djadhezor,“ i tha nji mesues, „po shpopullojne mbarë vendin e deri tash iu ka ecë mbarë. Që ta dish ti, shqiptareve kur asht puna për pune dreqit i ecin punët ma mbare se nuk ka. Edhe per drogën e per krimin në botë jane diku ne vendet e medaljeve, të parë, të dytë apo të tretë.

„Jam në anderr, në anderr!“ , tha ai e i hapi syte e doli në dritare. Fushat përballë të pakorruna, pemët plot e të pavjeluna…

„Ku janë njerzit“ ?,  pyeti recepsionistin.

„ Cilet njerëz, prej Konispolit në Vermosh e kanë braktisë krejt vendin, fushat e malet. Vetem nëpër disa qytete të mëdha jeton elita politike me ndjekesit e saj e përndryshe ska të tjerë ma.

Ai mbylli me të shpejtë dritaren se dielli sapo doli dhe e ndriçoi pa mëshire e pa i lanë vend me mendu se ishte në realitet apo në andërr.

„Ku me u futë pra?“, mendoi, „se njilloj si andrra e si realiteti po me shtypin si nji morse e fuqishme.“

Reflektoi disa çaste, mandej hapi dritaren, mori dyshekun dhe e vendosi mbi te, se tashma realiteti e andrra ishin shkri e ai ndjehej si hibrid, apo ma mirë si nji qenje që shëtiste lirshëm sa në andërr e sa në realitet e ndjehej në të dyja si në shtëpinë e vet.

Pyetja e recepsionistit nëse donte qe ai me ia sjellë Perkrenaren e Shpatën e Gjergj Kastriotit – Skanderbeg tashma iu duk e kapërcyeme nga koha e vendi.

Shtator, 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

“ÇKA I DUHET BOTËS VETJA PA TY?”, POEMË NGA GJERGJ JOZEF KOLA